Nga Mero Baze – TemA
Ka disa gënjeshtra që po tentojnë të kthehen në mit për ngjarjet e ditëve të fundit, të cilat thjeshtë duhet t’i injorojmë. Mbi to po krijohen teori konspiracioni, përpjekje për viktimizim dhe modele të reja opozitare, për të mbajtur gjallë një lëvizje politike pa perspektivë.
Teza e parë që thuhet gjithandej si krye-argument nga opozita, është zgjedhja e prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm në shkelje të Kushtetutës. Prokurori i Përkohshëm i Përgjithshëm, është i parashikuar në Kushtetutën e ndryshuar me 140 vota në parlament. Në nenin 109 të dispozitave kalimtare, në paragrafin e dytë thuhet qartë se kur mandati i prokurorit të Përgjithshëm përfundon para se të jetë ngritur KLP, funksionet e tij i merr me vendim të Kuvendit, prokurori i Përkohshëm i Përgjithshëm.
Opozita ka ngritur mitin e gënjeshtrës antikushtetuese duke ju referuar zgjedhjes së prokurorit të Përgjithshëm sipas Kushtetutës. Ai zgjidhet me tre të pestat dhe pasi të kalojë vetingun. Dhe ashtu do të zgjidhet. Askush nuk ka premtuar, apo është zotuar se do të shkelë Kushtetutën. Arta Marku është zgjedhur sipas dispozitave kalimtare të Kushtetutës, që është miratuar me konsesues dhe sipas kritereve të përcaktuara me ligj.
Për këtë arsye, ka ndodhur që Gramoz Ruçi dhe Edi Rama të votojnë një vajzë që vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë dhe familje politike e PD. Jo se e kanë qejf, por se u seleksionua nga ligji dhe jo nga preferencat politike. Çdo gjë tjetër është gënjeshtër. Kur të zgjidhet prokurori i Përgjithshëm, do zbatohet pjesa e Kushtetutës që i përket atij. Por opozita duket se as për atë ngjarje nuk është gati. I duket tmerr që nuk zgjidhet nga Berisha, por nga Kushtetuta.
Teza e dytë, është konspiracioni opozitar kundër Perëndimit, si një fuqi e korruptuar, që mbështet qeverinë e Edi Ramës. Sulmet ndaj SHBA dhe BE po përpiqen të krijojnë idenë e viktimizimit të opozitës nga Perëndimi i “korruptuar”, por në fakt po defaktorizojnë opozitën. Duke qenë një histori për konsum të brendshëm të opozitës, ajo ka rrezikun se qoftë dhe 1 për qind e militantëve ta besojnë, bën dëm, pasi kultivon një frymë anti-perëndimore tek opozita, dhe dëshpëron shumë pjesën tjetër normale të saj, pasi nëse për Edi Ramën kanë shpresa se mund ta mundin një ditë, Perëndimin nuk kanë ndërmend ta mundin. Aq më banale e bëjnë këtë situatë sulmet personale me porosi ndaj ambasadorit Lu dhe ambasadores Vlahutin. Ato vetëm sa lexojnë më mirë faktin se sulmet janë vepra të liderëve të opozitës.
Teza e tretë, është përpjekja për t’u viktimizuar nga ngjarjet në Kuvend. I pari tentoi ta bëjë Berisha, me shpresë se dikush do ta rrëzonte përtokë si “lis i premë” dhe populli do shpërthente. Pastaj flamurin e mori LSI dhe kryetarja e saj. Mund të biem dakord që LSI e mundi PD në Kuvend sa i përket dhunës, por nuk kemi asnjë shenjë të reagimit të dhunshëm të shumicës në pushtet kundër opozitës. Qetësia e Edi Ramës kur dëgjonte se si Sali Berisha e shante “surratqen” dhe kur Kryemadhi i thoshte me ulërima “byth*irë”, janë një leksion qytetarie, që shfryu skenarin e dhunës që nuk ndodhi.
Është gjë e mirë që nuk ndodhi, pasi protestuesit iu afruan derës së Kuvendit më shumë se protestuesit Kryeministrisë më 21 janar, bile Flamuri bëri dhe shurrën në oborrin e Kuvendit, por thjeshtë nuk është më një kryeministër vrasës në pushtet.
Teza e katërt, është ndjekja penale ndaj ngjarjeve në Kuvend. Kjo është një procedurë normale që i përket drejtësisë, dhe jo politikës. Dhe kjo vlen dhe për shumicën. Të gjithë ata që janë tërbuar nga sjelljet e Monikës duhet të qetësohen, se ajo atje është për të bërë politikë, dhe ashtu e ka menduar politikën. E ka menduar ta bëjë si e “fortë”. Kjo është zgjedhja e saj, edhe pse shumë njerëzve u duket skandaloze, ngaqë është grua, biles dhe grua e presidentit.
Për anën politike të kësaj sjelljeje, duhet parë bilanci në fund, kur të shikojmë nëse LSI-në do ta rrisin këto sjellje apo do ta ulin. Për anën juridike, ka kush merret. Sa i përket thirrjes në polici dhe prokurori pas protestave, Shqipëria ka precedent që është arrestaur dhe Sali Berisha duke u marrë zvarrë nga makina e tij për shkak të protestave në Tropojë, dhe nuk ka ndodhur gjë. Vetëm gruaja e tij e ka pritur me pizhama para derës së Komisariatit. Këto nuk janë histori që prodhojnë më politikë. Janë thjesht procedura.
Teza e pestë, është ky bombardimi i Lulzim Bashës nga opozitarët si tradhtar, meqë nuk dëshiron të djegë mandatet, apo të bëjë protesta që nesër. Tani këtë çështje opozitarët duhet ta ndajnë, nëse Lulzim Bashën e duan t’i gënjejë, apo t’i udhëheqë. U premtoi një herë radikalizëm në çadër dhe në vend që të shkatërronte kundërshtarin, shkatërroi PD-në. Më duket i matur që nuk po e bën për herë të dytë.