Disa fjalë për veprën “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit…” të Faik Konicës

0
1442

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Vepra më e rëndësishme letrare e Konicës është padyshim proza e gjatë satirike “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”. Ndonëse e pakryer, ajo përfaqëson tiparet më karakteristike dhe vlerat e tij si shkrimtar në përmasa të gjera.

“Doktor Gjipëra” u shkrua dhe u botua në gazetën “Dielli” në vitin 1924. Ishte koha kur kish triumfuar Revolucioni i Qershorit dhe në gjirin e shoqërisë shqiptare zhvillohej një luftë e ashpër politike, para saj shtroheshin probleme jetike si: zgjidhja e formës së regjimit, reforma agrare, demokratizimi dhe modernizimi i aparatit shtetëror, emancipimi kulturor kombëtar etj. Vepra e Konicës është pjellë e kësaj kthese socialhistorike që sapo niste në jetën e popullit tonë. Autori mori shkas nga vrasja e dy qytetarëve amerikanë në Mamuras, që organizoi reaksioni feudal. Konica krimin e Mamurasit nuk do ta vështronte si një rast të veçuar, po si një ngjarje me kuptim të gjerë shoqëror, ku mplekseshin interesa e synime të qarqeve të caktuara dhe shfaqej lufta politike e kohës.

Kjo ngjarje do të zgjonte idealet liridashëse dhe iluministe të shkrimtarit dhe do ta frymëzonte krijimin e një vepre, që do të hidhte dritë dhe do të përgjithësonte realitetin shqiptar bashkëkohor.

Heroi i veprës është Doktor Gjilpëra, një intelektual i ri shqiptar që kryen studimet për mjekësi në Rusi e Suedi dhe ndodhet para alternativës: të qëndronte jashtë, ku e priste një karrierë plot prespektivë apo të kthehej në atdhe e të ndihmonte në mëkëmbjen etj, veçanërisht në përmirësimin e shëndetit të popullit. Ai vendos të kthehet në Shqipëri, atdhedashuria triumfon mbi interesat vetjake.

Autori duke ndjekur vijën e jetës së heroit do ta përshkruajë atë në dy etapat kryesore: koha e qëndrimit jashtë atdheut dhe koha e ardhjes në Shqipëri. Në qoftë se etapa e parë është njohja me doktor Gjilpërën, etapa e dytë, që përbën trungun e veprës është pjesa më e rëndësishme, që bart dhe mishëron idetë e shkrimtarit. Jeta e heroit larg atdheut është dhënë në plan përshkrues, duke evokuar episode dhe gjendje të ndryshme shpirtërore, që nxjerrin në pah natyrën, interesat dhe karakterin e intelektualit shqiptar. Ai është në radhë të parë, atdhetar i bindur, njeri me kulturë të gjerë, mjek i përgatitur dhe human, i zgjuar dhe plot vullnet e vendosmëri. Janë këto cilësi, që e bëjnë atë të kthehet në atdhe.

Kthimi në Shqipëri e vë doktor Gjilpërën përballë një realiteti tronditës dhe shtron para tij probleme që përfshijnë pamje të ndryshme të jetës shqiptare. Veçanërisht figura e doktor Gjëlpërës del mjaft e qartë përballë dy kolegëve të tij, dr.Embrullahut dhe dr.Protogor Dhallës.

Më shumë, se në rethana pune, ata i njohim në biseda e debate, si tipa shoqërorë të kundërt me heroin, me koncepte dhe praktika të ndryshme mjekësore. Ndërsa doktor Gjëlpëra është njeriu i mjekësisë moderne, partizan i natyrës, i helioterapisë (dielli, uji, ajri) që mendon se natyra është mjeku i parë i njeriut, dy mjekët e tjerë paraqiten anakronikë, janë mishërim i dogmës mjekësore të shkëputur nga jeta e parimet e shkencës.

Bota e vjetër në këtë vepër përbëhet jo vetëm nga dy mjekë, por dhe nga figura të tjera negative. I tillë është ministri Salemboza, përfaqësues tipik i forcave të prapambetura e antikombëtare, tipi i tiranit anadollak, intrigant e dinak, i zgjuar e i shkathët. Kurse mjedisi dhe mendësia orientale e parisë së kryeqytetit gjejnë shprehjen e tyre në figurat e agallarëve tiranas siç janë Muhedin Agai e Zylfikar Again.

“Doktor Gjëlpëra” është një vepër e fuqishme satirike. Duke pasur parasysh realitetin e rëndë shqiptar, mendësitë e anakronike e jetën e prapambetur, autori u kundërvihet atyre, i tall dhe i godet pa mëshirë. Qëndrimi ideoemocional mohues bën që në faqet e veprës të ndihet qesëndia dhe ironia, satira dhe sarkazma.

Tema dhe problematika e mprehtë shoqërore, fryma mohuese e disa prej dukurive shoqërore dhe notat e fuqishme satirike e bëjnë “Doktor Gjëlpërën” një vepër me tipare të shquara realiste. Konica sjell kështu një ndihmesë të rëndësishme në pasurimin dhe forcimin e realizmit në letërsinë shqiptare.

Në prozën e gjatë ajo shërben për individualizimin dhe zbulimin e karaktereve të personazheve. Ndikimi i personalitetit të Konicës si artist dhe erudit është i ndjeshëm në letërsinë dhe kulturën shqiptare.