Shkruan Prof. Zymer Mehani
Në romanin “Ermali” (2000) diskursi historik gërshetohet me atë real e oral. Tema e romanit është vuajtja e shqiptarëve nën pushtimin serbomadh. Romani ka XXX kapituj, nga prezantimi i familjes së Dalan Lisarit e deri te Këngët e pranverës shqiptare. Ngjarja vendoset në katundin Lisar. Mirushi është babai i Ermalit dhe Behija, e ëma, e cila është rrobaqepëse. E dhembshme është vrasja e Ermalit, e cila paraqet simbolikën e pafajësisë së rinisë shqiptare, krahas personazheve të pushtuesit serb, siç janë Jovani, Ankica, Millani etj. Në realitet, autori fillon me trysninë që u bëhet shqiptarëve nga serbët, presionet dhe dhuna. Ata i vrasin qytetarët shqiptarë ushtarë duke thënë se ata kanë bërë vetëvrasje, kurse alarmohen dhe ndëshkojnë njerëz për një thyerje xhami, që mund t’i ndodhë ndonjë serbi.
Ata vetë i thyejnë varrezat, vetë i presin kumbullat, që t’i fajësojnë pastaj shqiptarët. Janë këto detaje të romanit që ishin edhe fakte të jetës shqiptare. Kumriu, një djalosh i pashëm, me të gjitha tiparet e një fytyre fisnike, vjen te Mirushi dhe tregon se si derisa ruante bagëtinë, ka parë Sinishën e Draganit duke e vrarë Ermalin. Dragani ishte komandant policie. Rexhep Hoxha është nga autorët që trajton problemet ndërnacionale, të shqiptarëve me serbë, probleme që ishin ndër vite, si: burgosjet, dënimet drakonike, tradhtitë, mashtrimet e persekutimet që u bëjnë shqiptarëve. Këtu ka shqiptarë që janë edhe në shërbim të tyre.
Autori, duke provuar të paraqesë një vijë reale në mes këtyre raporteve ndëretnike, bën një stërzgjatje të subjektit, me një subjekt jo të ngjeshur sa duhet, shpesh duke sjellë fakte sporadike të këtyre raporteve. Shqiptarët janë tolerantë, ata kujdesen për vogëlushin serb, po ai është mosmirënjohës. Janë këto pjesë të një realiteti që autori provon t’i marrë për material ndërtimi të romanit të tij 200 faqesh, “Ermali”.
Vija më e receptueshme e këtij romani është idili, i cili e mban gjallë edhe frymëzimin lirik të autorit, që shënon lidhjen e pastër dhe fisnike të Florës me Ermalin. Autori i paraqet personazhet të pashëm, duke ndërtuar harmoninë me veprimet e tyre. Ata janë të përsosur jashtë reales. Edhe këtu autori është këmbëngulës në toponimet shqiptare (Lisari, Gurra e Lepurit, Gurra e Larës, Arrazi, Bregu i Thanës, Shpella e Arushës etj.), si edhe në emërtimin e fëmijëve me emra shqiptarë duke shkruar se ata nuk duhet të quhen Sinan, por Ermal (hap shkollën në Lisar).
Mirush Dalani është adhurues i arsimit, ai lufton për pastrimin e emërtimeve tona. Edhe këtu kemi rekuizita të zakoneve të vjetra, siç janë hajmalitë e mësyshi, gjë që i japin ambientit një frymë jo në përputhshmëri me idetë për arsimimin që e përshkojnë tërë romanin. Semantika e veprës letrare ndryshon nga koha në kohë dhe sipas psikanalizës nga lexuesi në lexues, ndaj veprat e Rexhep Hoxhës t’ia lëmë kohës dhe lexuesit.