Disa fjalë për romanin “Edhe një herë” të autores Himena Sherifi

0
611
Himena Sherifi - Edhe një herë

Zymer Mehani

Në romanin “Edhe një herë”, autorja Himena Sherifi trajton tema të përditshmërisë së të rinjve tanë, aktualitet që atë e grish, e nxit, por edhe e shqetëson, e ndonjëherë edhe e ngazëllen kur e kundron për të ravijëzuar imazhe të jetës së përditshme të rinisë sonë, sepse ndaj aktualitetit ajo s’mund të jetë indiferente, pasi që e kupton misionin dhe funksionin e vlerës krijuese letrare.

S’do mend se kryetemë e romanit në fjalë është dashuria në kuptimin e saj të ngushtë dhe të gjerë, që shoqërohet shpesh edhe me ankth, xhelozi, ndjenjë të pasigurisë e të frikës etj.

Fabula e romanit, me pak fjalë është kjo: Një vajzë adoleshente don të “lulëzojë” para kohe dhe përpak sa nuk bie pre e vetizolimit të saj. Ajo s’do që të ketë asfarë komunikimi me familjarët e saj, duke menduar se i mungon ngrohtësia dhe dashuria e tyre, e që ata nuk e duan, as interesohen për të.

Ndjenja e vetmisë dhe e anashkalimit nga të afërmit është e rrezikshme për protagonisten e romanit, Mian. Autorja i vë detyrë vetes për ta vëzhguar botën e kësaj figure të mohuar, sipas saj dhe të lënë në margjinat e jetës prej familjarëve të saj. Të gjitha këto do të luajnë rol në formësim të personalitetit të saj, por me rrezik të përhershëm destruktiviteti e deformiteti të karakterit të saj. Pikërisht këto andralla të Mias, kryepersonazhit të romanit në fjalë, me të cilat përballen shumica e të rinjve, sidomos gjatë adoleshencës, autorja i thekson dhe fiksohet pas tyre me sens artistik, aq gjallërisht dhe aq drejtpërdrejt, duke synuar të arrijë komunikim mbase maksimal ndërmjet individëve (prindërve e fëmijëve, vëllezërve e motrave etj).

Episod interesant është sëmundja e nënës së Mias, pastaj dromcat nga frekuentimet e Mias bashkë me vajzat në lokalin e preferuar, e sidomos takimi dhe rënia e saj në dashuri, po në atë lokal, me djaloshin Leo. Mund të themi se këto janë pjesët më të bukura të romanit në fjalë, madje edhe më të dashura për çdo lexues. Rënia në depresion, plogështia, pastaj rënia në dashuri me Leon, së fundi edhe rënia në gjendje kome e Mias, duken imazhe si të kërkuara, si një inercion, që rrëfimi, ngjarja megjithatë të ketë një theks të fuqishëm.

Çdonjëri që do ta lexojë këtë roman interesant, thuajse nuk do ta ketë të vështirë që në personazhin e Mias ta identifikojë vetë autoren e romanit. Kjo dukuri është e pranueshme dhe ka ndodhur edhe te shkrimtarët e mëdhenj dje, sot, por do të ndodh edhe nesër.

Një prej ideve që autorja Sherifi na jep në romanin “Edhe një herë” është edhe kujdesi i shtuar kundrejt shëmtimit, destruktivitetit shpirtëror dhe moral, që mund të haset te brezi i ri. Edhe pse këto anomali mund të jenë inferiore dhe periferike kundrejt shëndetit tonë, ato veç tjerash mund ta pengojnë sigurinë ndaj vetvetes dhe ecjen tonë përpara. Kësisoj lind edhe shqetësimi i natyrshëm i autores, duke kundruar rrjedhat e fatit të personazhit të saj, Mias, për të cilën ajo rrëfen duke mos i anatemuar as raportet jo të mira të saj me prindërit, me motrat dhe vëllezërit. Lëvizjet dhe veprimet e Mias do të jenë gjer në detaje nën lupën e autores, duke e veçuar edhe një dashuri sa magjike, aq edhe të idealizuar të Mias me Leon, një djalë i ri, me të cilin ajo bie në dashuri që në shikim të parë.

Karakteristikë kryesore që veçohet në prozën e autores Himena Sherifi është afiniteti i saj për të depërtuar sa më me forcë dhe prehtësi në vorbullën e përditshmërisë së të rinjve tanë dhe pastaj për të nxjerrë dhe veçuar që andej atë më të qenësishmen, që ka rëndësi vitale- shëndetin mental, por edhe fizik.

Konstatojmë se ky roman është njësim i rrëfimit imagjinativo-artistik, i brumosur edhe me përvojën jetësore të fazës së adoleshencës së vetë autores dhe me elemente autobiografike. Çdo refleks dhe detaj i kësaj proze na ofron kënd të ri vrojtimi me trazime e trandje shpirtërore.

Krejt në fund duhet theksuar se romani “Edhe një herë” i autores së re përnga mosha dhe përvoja krijuese, Himena Sherifi është vepër që padyshim e ka pasuruar fondin e letërsisë sonë artistike të sotme.

Himena Sherifi u lind më 1999 në Prishtinë.
Romani “Edhe një herë” është libri i parë i saj.
Me shkrime filloi të merret qysh në vegjëli, sepse sipas saj, vetem në shkrime ndihej e sigurt t’i shprehte ndjenjat e saj dhe ta largonte stresin.

Ka mbaruar shkollën e mesme të lartë.
Në fillim e nisi me poezi, pastaj i ka ardhur ideja të shkruaj edhe një roman, në mënyrë që t’i motivojë të gjith njerëzit dhe moshat.
Jeton në Prishtinë.