Shkruan prof. Zymer Mehani
Faktorët që e pengojnë normën e shqipes të zhvillohet në Kosovë janë të shumtë, si statusi që shqipja e gëzon, pasi përdoret krahas serbishtes dhe anglishtes si gjuhë zyrtare, pastaj qëndrimi jo i njëjtë i shqipfolësve ndaj normës letrare – mosrespektimi i saj, bashkësia e folësve- vendi ku flitet shqipja, ndikimi i të folmeve dialektore paralelisht me normën, por ndër faktorët të cilët kanë bërë që zbatimi i normës në shkolla të mos jetë në nivelin e duhur janë: kompetencat (performanca) e mësimdhënësve, komunikimi brenda shkollave, planet dhe programet, tekstet shkollore, metodat e mësimdhënies; mungesa e leximit nga nxënësit etj.
Në shumë shkolla vërehet performancë jo e mirë e mësimdhënësve sa i përket zotërimit të normës dhe, më përjashtim të mësimdhënësve të gjuhës dhe letërsisë shqipe, mësimdhënësit e tjerë, përfshirë drejtorët dhe punonjësit e administratës, nuk komunikojnë me nxënësit në gjuhën letrare dhe bëjnë shkelje të shumta të normës në shkrimet e tyre. Kjo vërehet edhe në shkrimet e vendosura në mure të shkollës (shpalljet, oraret, punimet e nxënësve), por edhe në dokumente të tjera zyrtare: ditarët e klasave, procesverbalet e mbledhjeve, në të cilët gjenden shkelje të shumta të normës së shkruar.
Tekstet shkollore, po ashtu, nuk janë të hartuara sipas kërkesave dhe programeve të reja mësimore, janë të ngarkuara me përmbajtje dhe përmbajnë edhe gabime gjuhësore, kurse disa biblioteka të shkollave nuk janë sa duhet të pajisura me lektura shkollore, në mënyrë që nxënësit të kenë mundësi të lexojnë vazhdimisht.
Vitet e fundit nxënësit e kalojnë kohën më shumë para kompjuterit dhe televizorit, duke e lënë anash librin, dhe kjo po ndikon mjaft negativisht sa i përket nxënies së gjuhës letrare, ngase disa media – të shkruara dhe elektronike – fare pak i kushtojnë rëndësi gjuhës dhe bëjnë mjaft shkelje të normës.
Po ashtu, ndikimi i familjes dhe i rrethit është i madh, pasi shumë nxënës jetojnë në familje të mëdha, me nivel të ulët apo mesatar të shkollimit dhe përvetësojnë trajta lokale, të cilat i bartin në shkollë dhe i përcjellin pastaj gjatë tërë shkollimit.
Fakulteti i Filologjisë dhe Fakulteti i Edukimit, por edhe fakultetet e tjera që përgatisin mësimdhënës, duhet t’i japin më tepër rëndësi gjuhës shqipe, në mënyrë që në të ardhmen të nxjerrin mësimdhënës më të përgatitur dhe të mos ketë nevojë që gjuha shqipe të futet si lëndë e obligueshme në të gjitha fakultetet, ndërsa drejtoritë komunale të arsimit duhet të jenë më të kujdesshme në përzgjedhjen e kuadrit mësimor dhe të pasurojnë bibliotekat e shkollave me lektura shkollore bashkëkohore, për të gjitha moshat e nxënësve.
Meqë gjuha është pasuri dhe vlerë shoqërore gjithëkombëtare, mbetet detyrë e të gjitha institucioneve arsimore, qendrore e lokale, duke filluar nga MASHT-i, institutet, fakultetet, DKA-të dhe qendrat e tjera të edukimit, përfshirë edhe mediat, që të punojnë më shumë për ruajtjen dhe pasurimin e saj, por barrën kryesore duhet ta kenë shkollat, veçanërisht mësimdhënësit e gjuhës dhe të letërsisë shqipe.