DIMRI S’VJEN ME LULE

0
538

KALOSH ÇELIKU

Adem Jashari (Poemë për fëmijë përkushtuar legjendarit Adem Jashari)

Prolog

Dimrakeqi me shkop në dorë
Tak – taaak, troket në derë.
Veriu fryn, jashtë bie borë
Bilbili thërret një pranverë.
Që, e presim me vite e vite
Siç pret lulja një rreze drite.

Zjarri ndizet, ndizet me flakë
Shkollarët rrinë zgjuar mbi libër.
Djepin e përkund një Nënëplakë
Maleve t’u ngjitemi në Dibër:
Me çanta krahut e plot halle
Xixat mbi çati heqin valle…

  1. (HAPA – HAPA PAS LISAVE)

Maleve, më zen frika
Mjekrën ma tjerr dielli.
Furka e tij është me thika
Këtu e te qielli.

Hapa – hapa eci pas lisash
Tinës, tinës me çeta bishash.

Trimat e mi, si ujqërit sulen
Diellit, vrik  ia shuaj zjarrin.
Këmba ime e shkel edhe lulen
Fushën, malin.

Hapa – hapa eci pas lisash
Tinës, tinës me çeta bishash…

  1. (DIELLIT IA LIDHA SYTË)

Ushtarët e mi janë trima malesh
Natyrën e mbajnë në zingjirë.
Zogjtë thonë: Unë jam egërsirë?!

Qiellit, kur e lëshoj kalin e Zi
Bajlozi Zi jam i dytë. Dimër.
Diellit me shami ia lidh sytë.

Ditë për ditë dua një dash të pjekur
Vashën të ma sjellin te shtëpia.
Bajlozi Zi jam, jo Halil Garria.

Dora m’është mësuar të pres koka
Zjarr jam, s’di pse s’digjet toka?!…

  1. (LUMIT SI T’IA NDAL HAPIN)

Pritën, e kaçakut vura pas një druri
Akull, thash: lidhja duart, këmbët!
Lotët i shpërthyen edhe një guri
I nxorra dhëmbët:

Fushës rritë zemrën e barit
Luleve, ua lanë faqet.
Kryengritje, më bënë livadhit
Ngre bajraqet.

Duart i zgjatë, përqafon Rrapin
Lajme, i dërgon detit.
Lumë, si të ta ndal hapin
Fushës, qytetit?!…

  1. (DELES IA DOGJA BARIN)

Gjokut, hopa i hipa në shpinë
Shqipet: këtu e kemi shtëpinë.
Edhe këngëtari
Edhe luftëtari.

Qiellit, u ngjita si shqiponjë
Kosova: këtu jam vetë zonjë.
Për punët
Për rrugët.

Hapin e lëshova me gjokun
Dielli: s’e japim shoku – shokun.
Nëpër stuhi
Jemi bërë hi.

Trimërisht, dikur zbrita në tokë
Malet, më thanë me shokë:
Këtu nëse bie terri
Këndon mauzerri.
Fushën e zbardhova, malin
Deles Rudë, ia dogja barin…

  1. (BURIMIT I VURA DRY)

Dora – dorës si bleta
Përronit zbriste çeta:
Kitrat me gjithë bishta
Lepur trimi më gishta.
Kaprolli me brirët si lis
Dhelpra, që u dilte fis.
Sorkadhja e bukur hopa-hop
Gjyshe drenusha me shkop.
Sorra që i dhimbte këmba
Iriq Ferra me dy shtëmba.
Zogu me këngën në sqep
Gushkuqi, nga një plep.
Qukapiku me disa lajme
Laraska me gunë të larme.

Ujkun s’e kishin thirr te burimi
Balli m’u mrrol, m’hipi zemrimi:
Trimave, vrik u dola sy më sy
Burimit rrëzë malit i vura dry…

  1. (ZOGJËVE UA PRISHA
            SHTËPITË)

Frikë s’patët, mbetët nëpër shtëpia:
Lejleku, dallëndyshja me shoqe e shokë
Vjeshtës s’ju thirrën kur ikën me mijëra?
Zogjtë: Kurrë s’e lëshojmë këtë tokë
Kurrë s’e lëshojmë këtë tokë!

Erë, fryj sa të mundesh me gojë
Majat e lisave tërhiqi deri në tokë
Trimave, unë t’ua mësoj një lojë.
Zogjtë: Burrat vdesin kokë më kokë
Burrat vdesin kokë më kokë!

Vit për vit me stuhi u rash në kulla
Vullnetarë t’i lëshoni këto shkrepa.
Lisa, pemë me dorë vetë i shkula.
Zogjtë: Kënga jonë na rritë në djepa
Kënga jonë na rritë në djepa!…

  1. (UJKUN E LËSHOVA
         TE QËNGJAT)

Zemra m’u egërsua, skuqën sytë
Gjoksin para, u rroka fyta – fyt.
Shpat më shpat ngrita lartë dorën
Tungjatjeta miq, pse ma hani borën?

Qengjat qeshën me këtë lajkatar:
O burrë, mos u ngutë, ne hamë bar!
Motin që shkoi, kur erdha në vizitë?
Lum miku, ne kemi lindë këtë vit.

Baballarët, atëherë, ata brirëdredhur
Ujkun e lëshova te qëngjat e trembur…

  1. (DHELPRA M’I FSHIN
     GJURMËT ME BISHT)

Natën, kur eci territ si hije
Maleve t’ua vjedhi bilurët.
Dhelpra m’i fshin gjurmët.

Kurthat i vë pranë çdo lisi
Cung pas cungu i fus hundët.
Dhelpra m’i fshin gjurmët.

Hënën, kur e zgjoj nga gjumi
Darkën ta haj – jam i urët.
Dhelpra m’i fshin gjurmët.

Dorën ua shtri – ua jap besën
Miqësi të lidh me fatlumët.
Dhelpra m’i fshin gjurmët…

  1. (LISAT U BËNË
     KOKË MË KOKË)

POETI:
Ditë për ditë salmon furtuna
Malin, fushën i mbuloi guna.
Era turret, dhe gjëmon moti
Malet tona s’i tremb baroti.
Këngën e vet këndon përroni
Gjoksin para qëndron ftoni.
Thanës së fortë i ngrinë gishtat
Drerit me shokë iu sulën bishat.

DIMRI:
Gjoks më gjoks rrokem me drurin
Copë – copë e bëj edhe gurin.
Trimat në luftë ma dinë hujin
Frikë s’e kam Gjeto Basho Mujin.
Djersët s’di pse më rrjedhin ballit
Obobooo, kreshniku i hipi kalit!

POETI:
Ditë për ditë sulm, o shokë!
Lisat u bënë kokë më kokë…

  1. (XHA NAIMI MU TURR
              ME VARGJE)

Maleve bëra kërdi, të zbres fushës
Rruza të bardha t’u varë gushës.
Nxënësit t’i ndaj nga mësimi,
Xha Naimi.

Pusi t’u vë mu te dera
Librat, le t’ua marri era!
Dry t’i vë sot asaj nuses,
Njësh mësueses.

Sulm u bëra syve, fytyrës
Besnikë i qëndruan detyrës.
Vargjet mu turrën te Këndimi
Xha Naimi…

  1. (POETËT MË SULMUAN
          ME VJERSHA)

Zemra mu dobësua, ujë mu bënë teshat
Maleve, u nisa të ikë nga vjershat:

Mehmedali Hoxha më vuri pritë
Ali Huruglica pas tij një ditë.
Gaqo Bushaka me një roman
Rifat Kukaj nxorri jatagan.
Vehbi Kikaj m’i lëshoi gurrat
Abdulazisi Artan Artën si burrat.
Odhise Grillo pusi me një tregim
Ymer Shkreli: duart lart, o trim!
Fadil Bekteshi në “ Gëzimi “
Vahit Nasufi në libër këndimi.
Ymer Elshani me një përrallë
Adelina Mamaqi ballë më ballë.

Gani Xhafolli, më ndali n’rrugë:
Zotëri, mjaftë hëngre me dy lugë!…

  1. (BILBILI E THIRRI
        PRANVERËN)

Majë malit, u ula mbi një gur
Kufiri është këtu, ngula flamur.
Fytyrën do t’ma freskoj era
Këmbët të më pushojnë te dera.
Kreshnikët, s’do t’a shkelin pragun
Poetët do ta urtësojnë pak vargun.
Maleve të rritem, të bëhem trim
Vitin tjetër të sulmoj me guxim.
Lotët, po ç’më rrjedhin si lumi
Frikë kam, mos më zej gjumi!

Kënga e maleve e përplasi derën
Bilbili, vrik:  e thirri Pranverën.
Dimri i zemruar, e thirri ujkun
Bilbili me një këngë: Bujkun.

Dimri: unë jam Bajlozi i Zi
Bilbili: Unë, Gjergj Elez Ali…

  1. (ADEM JASHARI U NGRITË
             NGA SHTRATI)

Moti u prish, fryn veriu
Ademit ballin ia lag shiu.
Nëntë vjet ratë në shtrat
Nëntë plagë nëpër shtat.
Kosova plagët ia lan me lotë
Bajlozi i Zi del nëpër botë.
Kosovën ia kërkon, mejdanin
Ademi, s’e turpëroi vatanin.
Armët ngjeshi, muarr malin
Tym e mjegull e bëri kalin.
Bajlozit të Zi ia preu kokën
Ademi s’e jep Kosovën, tokën.

Nëntë vjet, nëntë plagë i pati
Ademi sot u ngrit nga shtrati…

  1. (E BUKURA E DHEUT
     ERDHI NË KOSOVË)

Dielli buzëqeshi, përshëndeti me dorë
Tungjatjeta lule, zogjë – ju zgjova!
Kënga dëgjohet larg shtatë orë
Festë ka Kosova.

Dasmorët ia marrin një kënge kreshnike
Cuca e heq vallen përkrah djalit.
Nusen e solli në Kosovën heroike
Ademi i malit.

Daullet, krisma m’zgjoi n’Kërçovë
E Bukura e Dheut erdhi në Kosovë…

Shkup, 1985 – 1999

Nga libri: Dimri s’vjen me lule (pesë poema për fëmijë, Shkup – 2007)