Në kohën e krizës morale të pluralizmit në fjalorin e përditshëm ka filluar të zbehet koncepti i vlerave të proklamuara si ide dhe vizion shoqëror duke u zëvendësuar me konceptin e kompromisit, që në shumë raste paraqet interesin e individëve apo klanëve të ndryshme duke zhvlerësuar parimet morale e demokratike.
Dr. Nail Draga
Periudha e pluralizmit politik në Mal të Zi për rreth tre dekada ofron mundësi të analizave shumëdimensionale, sepse kemi të bëjmë më një periudhë kohore me plot sfida. Madje klasa politike në pushtet në këtë mjedis ka pësuar një metamorfozë si rrallë kund, si në aspektin social e politik që ishte vendimtare për Malin e Zi, deri në pavarësimin e tij të plotë, ndërsa nga ana tjetër kemi politizimin e e të gjithë ambientit shoqëror, që ngjason me atë të kohës së monizmit, që është në kundërshtim flagrant me demokracinë dhe shoqërinë pluraliste në përgjithësi.
Parimi i interesave
Përvoja deritashme na mëson se kompromiset janë një e drejtë demokratike, dhe së nuk janë dukuri të panjohura, sepse për të arritur një objektiv ata janë pothuaj të vetmet mundësi reale të momentit. Por, a duhet që të pranohen çdo herë kompromiset, edhe pse në dukje del së arrihet një objektiv. Pikërisht në këtë aspekt kemi të bëjmë me etikën politike e cila është përcaktuese si për individet dhe subjektet politike të cilët marrin vendimet përkatëse. Nëse duhet për t’u qendruar besnik parimeve atëher këtë çështje duhet trajtuar më shumë kujdes, sepse lehtë mund të ndodh që për hir të interesave të ngushta të dalim jashtë parimeve, duke mbeshtetur koalicionet e panatyrshme politike. Pikërisht, këtu qendron edhe problemi sepse aty ku përfundon morali fillon politika, e cila nuk respekton parimet por interesat, qofshin ata edhe momentale.
Raste të tilla ka kudo, e sidomos kur në pyetje janë koalicionet në qeverisje si lokale apo qendrore. Në këtë aspekt përjashtim nuk bëjnë as shqiptarët, ku si shëmbull tipik na shërbën pushteti lokal i Ulqinit, përkatësisht marrëveshja qeverisëse e arritur me liberalet në vitin 1996 e të tjera të ngjajshme më pas që iritojnë qytetarët e në veçanti votuesit e subjektëve përkatëse.
Por, kompromiset e tilla dëshmojnë qartë se disa individ apo subjekte për të ia arritur qellimit janë në gjendje të bashkëpunojnë edhe me djallin, dukuri kjo e njohur jo vetëm me përmasa lokale, por edhe regjionale.Është çështje tjetër se kompromiset e tilla janë të momentit, sepse në zgjedhjet vijuese, mund të ketë dekompozime tjera, varësisht prej aktorëve politik, të cilët për të mbetur në skenë përdorin çdo mundësi, sepse nuk kemi të bëjmë me parimet apo etikën politike por me përfitimet e mundshme nga pjesëmarrja në pushtet.
Koha e krizës morale
Ka kohë që dëgjojmë sintagmën „kriza morale“, e cila ka filluar të marrë përmasa shqetësuese shoqërore. Jo se kjo sintagmë nuk ka ekzistuar edhe më parë, por është shqetësuese së në pluralizëm ka humbur kriteri i vlerës, duke u zëvendësuar me antivlerën. Dhe s’ka si të jetë ndryshe se aty ku mbaron morali fillon politika, pra jemi duke jetuar në një shoqëri të politizuar, që i ngjason sistemit të monizmit, ku partia ishte baraz me shtetin, ndërsa interpretimet tjera ishin për konsum të ditës.
Një dukuri e tillë ka të bëjë sidomos me çështjen e punësimeve në vende të ndryshme të punës ku nuk punësohen individë me përgatitje profesionale dhe vlera të dëshmuara, por në shprehje vjen përshtashmëria shoqërore, përkatësisht përkatësia partiake. Dhe raste të tilla, ka kudo në vendet e ish kampit socialist, ku as Mali i Zi nuk është përjashtim. Madje një dukuri e tillë ka marrë përmasa të mëdha duke u bërë si trend shoqëror. Pikërisht në këtë aspekt, nëse analizojnë emërtimet e drejtorave në institucionet shkollore, shtëpive të shëndetit del qartë se të gjithë janë nga partia në pushtet e ndonjë rrallë edhe nga pjesëtarët e koalicionit qeverisës. Madje është e kotë të konkurohet edhe nëse je profesionalisht i përgaditur dhe më autoritet në kolektivin përkatës, nëse nuk ke mbeshtetje politike. Dhe ajo mbeshtetje paraqet elementin bazë për t’u zgjedhur drejtues i atij institucioni. Raste të tilla kemi kemi kudo, ndërsa në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë është bërë pothuaj dukuri normale.
Injorohet profesionalizmi dhe meritokracia
Edhe pse ekziston thënia emblematike „se punës duhet gjetur njeriun, e jo njeriut punën“, jemi dëshmitar se një thënie e tillë ka kohë qe nuk përfillet! Pasi nuk janë duke u përfillur parimet e profesionalizmi, meritokracisë dhe të kontributeve, vlerave intelektuale dhe autoriteti shoqëror, nuk është befasi kur dëgjohet së në vende udhëheqëse më peshë janë emëruar indvidë të cilët në situata normale nuk do të kishin një mundësi të tillë. Identik është edhe rasti më përgatitjen e listave për këshilltarë e deputet të subjekteve politike të cilat janë privatizuar e monopolizuar nga indvidë apo klane të ndryshme, duke dëshmuar një dobësi të vazhdueshme me pasoja në përfaqësimin politik të subjektëve përkatëse.
Pa dilemë së kemi të bëjmë me kohen e krizës morale në pluralizmëm duke mënjanuar vlerat e dhënë përparësi antivlerave. Dhe në këtë kohë përfitojnë tipat intrigantë duke realizuar ambiciet e veta, sepse ata s’e kanë dert se kryejnë edhe veprime kundëretike, kundërnjerëzore e madje edhe kundërkombëtare.
Pasojat e kompromisëve
Dhe nga një mospërfillje të tillë del se janë zgjedhur kuadra të cilët nuk janë meritor për vende përkatëse andaj kemi gjendje aspak të pranueshme për qytetarët dhe të punësuarit në subjektet e ndryshme. Jo vetëm në fushën e arsimit e shëndetësisë, por edhe në veprimtrai të tjera siç janë ministritë, ndërmarrjet publike apo sekretariatet e ndryshme në pushtetin lokal, nuk janë aspak ma mirë. Dhe kuadrat e tilla përveç së përfaqësojnë vetën e tyre ata poashtu prezantojnë edhe subjektin që i ka deleguar në postet përkatëse.
Edhe pse të rrallë ka pasur raste kur individë të ndryshëm nuk kanë qenë dakord me kompromise të tilla dhe janë tërhequr nga subjekti përkatës. Një veprim i tillë edhe pse me numër simbolik, dëshmon se ende ka individë që mbrojnë parimet para kompromiseve, duke qenë shëmbull për të tjerët. Duke marrë parasysh së kemi të bëjmë me çështje të ndieshme është e moralshme që të vlerësohen parimet ku vlerat profesionale të kenë përparësi duke dëshmuar qendrim ndaj çdo veprimi destruktiv me të vetmin qellim për të ruajtur e mbeshtetur sistemin e vlerave e jo të çdo kompromisi që janë me pasoja për të tashmën dhe të ardhmën.
(Tetor, 2018)