DIKUR NE, DJELMOSHAT KRIJUES

0
466
Kristaq Turtulli

KRISTAQ TURTULLI

(Fragment)

Ishim djelmosha ëndërrues, krijues, sa gishtat e dorës. Tre vinin nga fshati; i serti, i vrullshmi, ziçishtari Thani Naqo. Dy Skënderët, siç i quanim me shkurtim: liriku, delikati, poeti Skënder Rusi, humoristi, fabulisti Skënder Demolli. Nga qyteti, krijuesi rebel Petraq Kita dhe unë. Takoheshim në shkallët e mermerta të Pallatit të Kulturës, që na mëkoi me mushtin e parë, mbetet i dashur dhe i shenjtë për ne, por që tani janë bërë zyra bashkie.

Mbasi mblidheshim të gjithë, si gjithnjë drejtoheshim nga hotel ‘Krimea’ që ishte përballë. Tre krijuesit nga fshati kishin zënë atje një dhomë, por shpesh herë Leta flokëbardhë, me pak kurriz të dalë, punonjësja plakë e hotelit grindej ultas, kur ne ngrinim zërin të mbërthyer nga emocioni që na jepnim deklamimet e krijimeve tona. Meqenëse e kisha nga mëhalla, ajo shpesh bënte një vesh shurdhër dhe një sy të verbër.

Para se të ngjitnim shkallët e ngushta Petraqi fuste në xhep shishen me vodkë. Të pestë ishim mustaqe pa dirsur dhe në hapat e para të rrugës së gjatë të krijimtarisë letrare, por me plot shpresë dhe besim. Kishim mundur me vështirësi të botonim vjeshta e tregime. Mbasi dihej që ne provincialët e kishin të vështirë të çanim gardhin e hekurt të kryeqytetit dhe, botuesit vigjilentë, pedantë, të brumosur me mësimet e partisë e marksizëm leninizmit.

Diskutonim gjithë zjarr për letërsinë, vodkë të thjeshtë pa garniturë, na nxehtë dhe dhoma e vogël e rrëzëllente nga ëndrrat e bardha dhe rrugët e gjëra të letërsisë. Kishim vite që takoheshim, vinim nga rrethi letrar dhe kaluam në degën e lidhjes së shkrimtareve. Liriku i ëmbël Skënder Rusi, si gjithnjë i heshtur, ëndërrimtar që si nënkresë kishte poezinë. Skënder Demolli shakaxhi, fabulist dhe zemërbardhë. Thani ishte ndryshe nga të dy; duhanxhi, rebel, zhurmëtar, mbante veten për tregimtar, dhe fshehtas na thoshte se jam e vjershëtar dhe, me dëshirë të fshehtë për tu bërë sa më shpejt shkrimtar i njohur…

Qysh atëhere ka kaluar afro gjysmë shekulli, sa shpejt ikin vitet, sa shpejt…