Diktaturë me kufij të hapur

0
2591

Dionis Xhafa

Diktaturat e ndërtuara në shtetet e botës kanë diçka të përbashkët: mbylljen e kufijve. Shqipëria nga vitet 1945-1990 i mbylli kufijtë dhe kështu vepruan disa shtete të Evropës Lindore. Kjo gjë ndodh sot në Korenë e Veriut. Kufijtë mbyllen për shkakun e thjeshtë, që në atë vend të mos hyjnë ndërkombëtarët, e kështu liderët vendorë nuk dalin në gjykatë, edhe pse kanë kryer krime të rënda.

Diktaturë është edhe Turqia sot. Mirëpo, kufijtë i ka të hapur. Përse ndodh kjo? Si ka mundësi? Erdogani po ashtu do vijojë të bëhet gjithnjë e më shumë diktator, pasi përndryshe do të përgjigjet përpara drejtësisë, për krime, arrestime të popullatës dhe korrupsion. Por, Erdogani qëndron në pushtet dhe po e rrit gjithnjë e më shumë pushtetin e popullaritetin në shtetin turk. Kjo, duke pasur një popull në masë budalla.

Erdoganin e mban në pushtet hipokrizia dhe gjithashtu islami, fe të cilën ai e përdor për të rritur pushtetin personal. Të tilla gjëra dihen tanimë. Dihet gjithashtu edhe se Erdogan është thuajse diktator e se dallimi nga Enver Hoxha është se lideri turk ka parime gjoja të djathta. Por, le të ndalemi te fakti se në Turqi sot ka diktaturë me kufij të hapur. Si është e mundur kjo? Si është e mundur që SHBA-ja dhe BE-ja nuk e nxjerrin Erdoganin në gjyq ndërkombëtar për veprat e liga, siç ka ndodhur me Slobodan Millosheviçin?

Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk e dërgojnë Erdoganin në gjyq ndërkombëtar, do të thotë se këto organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë janë bashkëfajtorë për diktaturën erdoganiste. Andaj, nëse SHBA-ja dhe BE-ja duhet të jenë të bardha e të pastra në faqe të botës, do të duhet ta çojnë Erdoganin në sallë të gjyqit, për të dhënë llogari për krimet e tij pushtetare.