Autor i njohur i «Pallati Jakubian» dhe «Kam vrapuar drejt Nilit», ’Ala al-Aswani
Autor i njohur i «Pallati Jakubian» dhe «Kam vrapuar drejt Nilit», ’Ala al-Aswani kthehet në librari me një libër, që ka një titull diagnostikues. Dentist i përkushtuar plotësisht letërsisë, i kontrolluar, censuruar dhe së fundi i persekutuar haptazi nga policia sekrete e al-Sisi, al-Aswani – jeton kryesisht në Amerikë. Për «la Lettura» thotë: «Nuk besoj se pranverat arabe vërtet kanë vdekur. Çdo revolucion ka nevojë për kohë që të maturohet: farërat e revoltave të rreth 10 viteve më parë mbesin të gjalla».
Përgatiti ARMIN TIRANA
Zvjerdhja me diktaturën për ’Ala al-Aswani erdhi shumë shpejt. «Në kohën e Luftës së 6 Ditëve në qershorin e 1967: sapo kisha mbushur 10 vjeç. Unë dhe të gjithë shokët e mi të shkollës qemë të magjepsur nga karizma magjike e Presidentit Gamal Abdel Nasser. Qemë të sigurtë se posedonim ushtrinë më të fortë e të gjithë Lindjes së Mesme. Do ta shpartallonim armikun sionist sa hap e mbyll sytë dhe shpejt do të shkonim të pinim çaj në lungomaren e Tel Avivit. Në 48 orët e para daullet e zakonshme të propagandës na krijuan iluzionin e fitoreve të bujshme të aviacionit tonë. Por qysh ditën e tretë edhe censura e regjimit nuk arriti më ta fshihte realitetin: kishim humbur. Egjipti kishte pësuar humbjen më të bujshme të historisë së tij», thotë al-Aswani duke rimarrë fjalët hapëse e librit të tij më të fundit, Diktatura.
Rrëfimi i një sindrome, gjatë një ore e gjysmë intervistë telefonike nga banesa e tij e re njujorkeze. Babai i tij Abbas, një avokat socialist mjaft i njohur dhe i respektuar aq sa mund të shprehte, të paktën privatisht, kritikat e tij ndaj Nasser, nuk hezitoi atëhere që të kapej me korrupsionin galopant, kundër hierarkëve dhe burokratëve të paaftë yesmenë, kundër gjeneralëve të nënshtruar, të promovuar vetëm prej besnikërisë së verbër dhe frikacake ndaj pushtetit. «Isha konfuz. Gjithçka që na kishin mësuar në shkollë dhe dëgjonim nga mediat rezultonte tmerrësisht false», kujton ai.
«Menjëherë më pas asistuam në ngjarje edhe më të këqija. Nasser e ofroi publikisht dorëheqjen e tij, por sheshet u mbushën me turma që i kërkonin të qëndronte. Ishte shtangëse: të mësuar me figurën karizmatike dhe paternaliste të heroit – president, qytetarët – nënshtetas vazhdonin ta mbështesnin përgjegjësin më të madh të shkatërrimit të tyre. Pa të ndjeheshin jetimë. Më pas tha se gjithçka ishte orkestruar nga aparatet ushtarake për të shmangur përmbysjen e regjimit. Mendoj se ka qenë e mundur. Çdo mosdakordësi u shtyp. Kushdo që sulmonte publikisht residentin u akuzua për tradhëti dhe ju mbyll goja. Qe mësimi i parë i rëndë për atë sesa është e rëndë dhe penalizuese të jetosh nën një regjim fashistoid».
Qe një mësim të cilin shkrimtari më famshëm bashkëkohor egjiptian nuk e ka harruar kurrë. Përkundtazi, e ka zgjedhur si motor të parë të impenjimit të tij intelektual. Në Egjipt vazhdoi ta ushtrojë zanatin e tij si dentist edhe për të qenë financiarisht i pavarur. Në 2011 qe në vijën e parë në mbështetjen e «pranverës arabe» në Kajro. Në vitet e fundit e ka paguar personalisht: i kontrolluar, i censuruar dhe, së fundmi, i persekutuar nga gangot e policisë sekrete të Abdel Fattah al-Sisi, aq sa është arratisur në Shtetet e Bashkuara, për
të vazhduar të shkruajë. «Këtu kam siguruar disa leksione universitare dhe nuk bëj më dentistin. Librat e mi janë përkthyer në 37 gjuhë, jam i lirë të udhëtoj kudo që më ftojnë», shpjegon ai.
Qysh në romanin e dalë më 2018, «Kam vrapuar drejt Nilit», ju e keni paraqitur diktaturën egjiptiane sikur të ishte një sëmundje ngjitëse që prek gjithçka, që i heq dinjitetin ekzistencës. Kurse ky libër i ri është thuajse i zhanrit të shkencave politike. Çfarë ju ka shtyrë të ktheheni tek tema?
«E kam pësuar në lëkurën time. Në Egjipt, duke filluar nga grushti i shtetit ushtarak i vitit 1952, liritë personale janë shkelur në mënyrë metodike. Gjyshërit tanë qenë shumë më të lirë. Megjithëse jetonin nën influencën e rëndë e kolonializmit britanik, qenë të nga kushtetuta e miratuar në vitin 1923, më pas fatkeqësisht e abroguar nga oficerët e rinj puçistë. Nasser ishte një autokrat përqëndrues, që në emër të panarabizmit socialist vendosi ligji lirivrasëse mbi mediat dhe nuk lejoi kurrë asnjë lloj opozite të organizuar, jo vetëm atë të Vëllazërisë Myslimane. U abroguan partitë.
Në vitin 2011 shpresonim se duke shkarkuar Hosni Mubarak gjërat do të mund të ndryshonin. Por pas grushtit të ri të shtetit të 2013, fundin e qeverisë së zgjedhur të Mohammad Morsi dhe hipjen në pushtet të ish Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralit al-Sisi, situata është përkeqësuar. Al-Sisi ka urdhëruar të bllokohen shkrimet e mia në mediat lokale, që në fakt janë në shërbim të aparatave të policisë. Gazetat kanë refuzuar komentet e mia, radio dhe televizione janë detyruar që t’i anullojnë intervistat e mia dhe
daljet e mia nëpër talk show. Çdo herë që kthehesha nga jashtë pyetesha nga agjentët dhe çohesha për orë të tëra në zyrat e Shtabit të Përgjithshëm.
Prej frikës se mos më sekuestrohej e fshihja usb-në time në sendet e higjenës. Romani im i fundit është botuar në Bejrut. Asnjë botues egjiptian nuk do ta kishte pranuar prej frikës nga raprezaljet. Në fund, kanë qenë agjentët e mi letrarë në Shtetet e Bashkuara ata që më këshilluan të emigroja, rrezikoja rëndë». Egjipti kolonial ishte më i lirë? Një tezë padiskutim e guximshme. Nasser ka qenë një prej simboleve të progresistëve perëndimorë në kohë e luftërave për shkolonizim.
«Po, ishte një prej kauzave të mëdha socialiste në vitet ’50 e ‘60. Ama nuk kam frikë ta them se im gjysh jetonte në një klimë shumë më liberale se kjo e Egjiptit të sotëm. Jam mësuar të kritikohem. Propaganda e al-Sisit më akuzon se jam prosionist, pasi librat e mi janë përkthyer në hebraisht, por letërsia nuk ka as kufi, as tabù, duhet të jetë e lirë». Ju pohoni se në planetin tonë ka më shumë viiktima nga diktaturat sesa nga koronavirusi.
«Sigurisht. Represioni politik është shumë më i rëndë se Covid-19. Të mos e harrojmë kurrë. Një studim i Freedom House amerikan, i bërë i njohur më 2017, ilustron se, duke përdorur si metër gjykimi Deklaratën Universale e të Drejtave të Njeriut, nga 195 vendet e marra në shqyrtim vetëm 87 përcaktohen si “të lira”; “jo të lirët” janë të paktën 49 dhe ato “pjesërisht të lirë” janë 59. Nga 7.4 miliard qënie njerëzore vetëm 39% prej tyre gëzon
liri totale dhe 36% është totalisht e privuar prej saj.
Kjo nuk do të thotë të pësosh arrestime, tortura, vrasje masive, të jesh viktimë e korrupsionit, e paaftësisë, e arbitraritetit nga ana e autoriteteve që gëzojnë pandëshkueshmëri maksimale. Xhelatët nuk duhet t’i japin llogari kurrkujt. Në shtetet
totalitare kriteri i promovimit në shkallët hierarkike mbështetet mbi besnikërinë e padiskutuar ndaj eprorëve. Mund të vrasësh edhe armiqtë e regjimit, e rëndësishme është t’u bindesh urdhërave».
Nëqoftëse ndjekim logjikën tuaj, atëhere regjimit egjiptian nuk do ta mund ta zbulojë kurrë identitetin e vrasësve të Giulio Regeni. Nëqoftëse do ta bënte, do të hidhte poshtë vetëveten dhe parimin e autoritetit mbi të cilin legjitimohet dhe falë të cilit mbretëron.
«Absolutisht jo. Al-Sisi nuk mund të shesë të njëjtat forca që e kanë çuar në presidencë pas grushtit të shtetit dhe që akoma sot e garantojnë. Është e rëndësishme që e gjitha kjo të kuptohet nga qeveritë demokratike perëndimore, që me fjalë mbrojnë liritë, por konkretisht bëjnë marrëveshje ekonomike me diktaturat. Italia, Franca dhe Gjermania i shesin armë Egjiptit, ashtu siç bëjnë amerikanët. Kompania ENI sapo ka nënshkruar kontrata fitim prurëse. Kështu mbështesin al-Sisin».
Por ju shprehni preokupime më të përgjithshme. Besoni se ka një lloj dorëzimi global ndaj diktaturave?
«Jetoj në Perëndim dhe shoh një numër në rritje njerëzish më të gatshëm nga sa kanë
qenë në të kaluarën, që të heqin dorë nga liritë e tyre civile – liritë personale, në emër të sigurisë ekonomike dhe të kufijve. Populistët europianë, ashtu si Trump në Shtetet e Bashkuara, po e zmadhojnë figurën e liderit të fortë, e njeriut të fatit që mund gjithçka dhe është në gjendje që i vetëm t’i zgjidhë problemet. Një sondazh i kohëve të fundit i BBC ka treguar se 43% e portugezëve e shohin me nostalgji epokën e Antonio Salazar. E gjitha kjo nuk më duket në rregull. Diktatori nuk vjen nga hiçi: forca e tij derivon pikërisht nga disponueshmëria e popullsisë për ta pranuar atë. Në studimet e mia kam mundur të vërej se diktatorët ndjekin rrugëtime shumë të ngjashme».
Cilët?
«Ajo që e bën diktatorin një figurë mitike, një hero që lufton komplote të çdo lloji dhe kontribuon në krijimin e qytetarit të mirë të bindur. Janë ide shumë të rrezikshme të propaganduara në kohë të ndryshme, por me fjalorë të ngjashëm, nga Nasser, nga al-Sisi, nga Jean-Bedel Bokassa, nga Idi Amin, nga Muammar Gheddafi, nga Saddam Hussein, nga Francisco Franco dhe deri tek Mussolini e Hitleri. Më shumë se një shekull më parë, lideri meksikan Porfirio Díaz i premtoi në mënyrë mjaft eksplicite njerëzvë të tij se do t’ua garantonte bukën, por kushdo që do të rebelohej do ta pësonte. Kështu, diktatori zuri vendin e ligjit, u vendos sipër çdo rregulli».
E dini se në Libi shumë kanë nostalgji për Gheddafi?
«Nuk më habit ky fakt. Vendet me tradita të pakta demokratike përballë vështirësive janë të parat që bien në kurthin e diktaturës. Po shpjegohem duke kujtuar dy raste të kundërta. Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore votuesit e Britanisë së Madhe, demokratike prej shumë kohësh, nuk ia rinovuan mandatin Winston Churchill, që kishte qenë edhe kryeministri i fitores, dhe votuan për laburistët. Përkundrazi, ne egjiptianët, thuajse të privuar nga traditat demokratike, konfirmuam Nasser, që megjithatë nga kishte çuar në katastrofën e sipërcituar të vitit 1967».
Si e shpjegoni humbjen e pranverave arabe?
«Nuk do t’i cilësoja aspak si të vdekura. Edhe në Egjipt farërat e revolucionit pothuajse 19 vjeçare mbesin të gjalla. Jo rastësisht, al-Sisi ka një frikë të tmerrshme prej tyre».
Ju keni pasur mundësinë që të emigronit, por jo të gjithë mund ta bëjnë. E dënoni shkrimtarin që nuk rebelohet?
«Varet, unë besoj se mund dhe duhet të rezistohet, edhe duke e paguar personalisht dhe me koston e arratisjes nga vendi, për ta vazhduar luftën. Në libër marr në shqyrtim disa figura kyçe. Antonio Gramsci qe një intelektual i madh koherent dhe kurajoz, që vdiq për shkak të qëndrimit të gjatë në burgjet e Mussolinit.
Luigi Pirandello fillimisht aderoi në fashizëm, më pas u pendua dhhe në pjesën e fundit të jetë së tij thuajse i shtrëngua në heshtje nga regjimi. Shkrimtari ynë kombëtar, Nagib Mahfuz, Nobel për Letërsinë më 1988, bashkëjetoi thuajse paqësisht me regjimin. Nasser e mbrojti, pavarësisht se ushtarakët donin të burgosnin.
Sigurishht që qe gjithmonë i vëmendshëm për të shmangur shumë probleme. Boris Pasternak e botoi Doktor Zhivago në Itali, pasi në Bashkimin Sovjetik do të censurohej. Më
parë i kishte shkruar një letër patetike Stalinit. Gabriel García Márquez i dënonte diktaturat
jugamerikane, por ishte i dashuruar pas stalinizmit dhe nuk e kritikoi kurrë. Nuk e kuptoj. Sigurisht që nuk do t’ia shkruaja kurrë al-Sisit një letër kërkimfaljeje, pasi do të turpërohesha shumë»
Marrë nga Nacional