DIKTATURA NË DEMOKRACI

0
777

Këndvështrim rreth librit të Shefqet Dibrani: “DEMOKRACIA DIKTATORIALE 1+2”, publicistikë, botim i autorit, St. Gallen 2018

Shkruan: Prof. Demë JASHARI

Është rast i rrallë dhe ndoshta unikat që fati për botimin e kësaj kolone me libra përkon drejtpërdrejt me mosnjohjen dhe mospranimin e mandatit politik të një shkrimtari. E, kjo ka ngjarë pikërisht me Shefqet Dibranin të cilit, mandatin e kryetarit të Degës së LDK-së, ia mohoi kreu i LDK-së Isa Mustafa dhe klani i tij. Epilogu i këtij konflikti janë këta libra (gjashtë sish me rreth 3 000 faqe). Andaj, ma merr mendja, autori nuk do të kishte arsye dhe as kohë për t’iu kthyer librave të kësaj natyre, aq më pak në këtë format kaq akuzues e argumentues njëkohësisht. Nëse gjërat kundrohen vetëm nga ky prizëm, do të vërejmë se kemi të bëjmë me një strukturë politike komplet të paaftë dhe të paemancipuar politikisht e cila tregon vetëm muskuj dhe prezanton vetëm inate primitive ku për një plesht e kallin jorganin?!

Libri “DEMOKRACIA DIKTATORIALE 1+2”, (me gjithsejtë 328+396= 724 faqe, me një tekst të ngjeshur), krijon dhe forcon bindjen se kemi të bëjmë me një autor të vendosur e të përkushtuar për ta thënë të vërtetën dhe, njëkohësisht, të vendosur e të përkushtuar për ta reformuar LDK-në. Shefqet Dibrani, me kalimin e kohës, ka arritur të profilizohet si njëri nga krijuesit më produktiv dhe cilësor i cili ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe lexuesit të profilizuar, madje edhe të atyre që merren me vëzhgime letrare e politike. Thënë troç, sot nuk mund të shkruhet për shqiptarët në Zvicër e të flitet për kulturën e librin si dhe aktivistët e këtushëm e të mos përmendet emri i tij!

Libri në fjalë është pjesë e kolonës publicistike ku janë përfshirë kryesisht komente, analiza, pikëpamje, reagime, letra publike drejtuar personaliteteve botërore; fletë ditari, kozeri etj. etj., të cilat si tërësi kompletojnë qasjen e autorit si vrojtues, analist dhe njohës për ngjarje e zhvillime kryesisht politike në mes viteve 2010-2016.

Duket se këto analiza të cilat kanë të bëjnë kryesisht me LDK-në, janë vazhdimësi e konceptit elaborues që autori ua ka bërë këtyre zhvillimeve qysh në librin “11 MINUTA PARA ORËS ’00, ose mirazhi i sukseset të LDK-së”, për tu zgjeruar tek libri “SFIDË PËR DEMOKRACINË 1+2”, libra të cilët jo vetëm që kanë prognozuar zhvillimet politike në LDK e veçmas për rolin negativ që do të ketë Isa Mustafa në këto zhvillime. Edhe “Demokracia Diktatoriale 1+2” ndërtohet mbi këtë strukturë përmbajtjesore dhe ka të njëjtat qasje, vrojtime e analiza ndaj këtyre zhvillimeve.

Komentet dhe analizat përmbajtjesore të përmbledhura në librin “Demokracia Diktatoriale 1+2”, deshifrojnë e zbërthejnë thelbin e devijimeve dhe deformimeve të cilat në vazhdimësi kanë qenë thelb i kritikave parimore, të argumentuara e të bëra publike nga Shefqet Dibrani. Jo vetëm kaq, por autori ka bërë përpjekje për të ndërtuar një strategji si koncept i nocioneve dhe përkufizimeve politike, për ngjarje dhe zhvillime brenda LDK-së të cilat kurdoherë reflektojnë edhe në zhvillimet e përgjithshme politike në Kosovë.

“Demokracia Diktatoriale”, si tërësi tematike, merret kryesisht me kursin negativ të Isa Mustafës i cili, në vend të reformës dhe dialogut, do të përcaktohet për udhëheqje teknokrate e cila ka vazhduar dhe përfunduar me hakmarrje politike, e këtë hakmarrje e ka përjetuar z. Dibrani në veçanti, kurse Dega e LDK-së në Zvicër në përgjithësi. Pra, pasojat e këtij konflikti janë parë edhe në zgjedhjet për pushtetin lokal dhe atë qendror ku, në disa raste, vota e diasporës i ka përcaktuar rezultatet e kandidatëve; d.m.th. këto konflikte kanë determinuar rezultatin në zgjedhje dhe do të përcaktojnë ndikimin e LDK-së në të gjitha proceset politike në nivel vendi.

Analisti Shefqet Dibrani, si autor dhe veprimtar nismëtar i LDK-së, është mjaft i shqetësuar për devijimet e kursit politik që i ka prirë Kryesia e LDK-së dhe shefi i saj aktual, duke e sjellë këtë subjekt në një krizë ekzistence dhe identiteti. Pavarësisht shkrimeve mediatike dhe analizave të porositura të cilat pareshtur kanë glorifikuar punën e Isa Mustafës, zhvillimet reale dhe rezultatet kanë shkuar në drejtim negativ duke degjeneruar e devalvuar konceptin e dikurshëm filozofik e përmbajtjesor të Lidhjes Demokratike të Kosovës që nënkuptonte vlerën intelektuale, tolerancën, shprehjen elokuente dhe mendimin e peshuar dhe urtinë. Këto dukuri të mbrapshta kanë krijuar konflikt mes brezave, konflikt mes gjeneratave, konflikt mes niveleve akademike dhe konflikt e përçarje mes diasporës. Sipas autorit, në LDK, gjithmonë “ka pasur një solucion pozitiv të grupmoshave, një përfshirje e mirë në aspektin konfesional e gjinor, një shtrirje e mirë regjionale dhe asaj të hapësirës gjeografike jashtë Kosovës, duke futur në këtë mes edhe diasporën!”

Pra, “Vitet e ’90-ta” karakterizohen me themelimin dhe strukturimin organizativ të LDK-së dhe veprimtarinë e saj politike, vite që i ka karakterizuar një përkushtim i rrallë dhe një angazhim maksimal i elitës intelektuale e atdhetare e cila historikisht ka bërë shumë për Kosovën. Prandaj, përjashtimi i saj nga strukturat aktuale uzurpatore, për autorin dhe bashkëmendimtarët e bashkëveprimtarët, është i pa pranueshëm pasi që ai ishte dhe ishin pjesë shumë aktive dhe e angazhuar e proceseve gjatë viteve të ’90-ta e të cilat janë karakterizuar si një lloj rilindje politike për shqiptarët e Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi. Natyrisht, autori, duke jetuar e vepruar në mërgim, vazhdimisht iu është qasur raporteve Kosovë – Diasporë, është marrë me specifikën e atyre viteve pa të cilat, konsideron ai, LDK-ja nuk do ta kishte as suksesin por as tërë atë mobilizim. Prandaj edhe shprehet se vitet e ’90-ta i karakterizonte fryma për: “raportin e ndërsjellë në mes Qendrës në Kosovë dhe Degëve të LDK-së në Diasporë, jo vetëm në planin vlerësues, bashkëveprues e bashkëpunues, por ka funksionuar në mënyrë solide hierarkia e brendshme”, që kulmoi me respektin e ndërsjellët dhe me sukseset reale, vlera të cilat tani janë në rrezik për t’u shthurur e degraduar edhe më tej.

Shefqet Dibrani, është shembulli më konkret se si është trajtuar demokracia e brendshme në LDK, (fenomenin për ti kritikuar deformimet nga brenda nuk e ndeshim te partitë tjera), kurse LDK-ja tashmë është në krizën më të madhe që prej themelimit të saj. E, për këto devijime e dështime, autori fajtor kujdestar e bënë Isa Mustafën dhe vartësit e tij, andaj, shkrimet e librit “DEMOKRACIA DIKTATORIALE 1+2”, janë pjesë e qasjeve dhe angazhimeve që ky autor dhe Kryesia e kontestuar e Degës në Diasporë e kanë pasur për LDK-në dhe Kosovën. Porse, fatkeqësisht, çdo gjë është varur nga vullneti i mbrapsht i Kryesisë Qendrore në Prishtinë. Në anën tjetër, në këto rrethana, autori i këtyre librave ka njohje të mjaftueshme profesionale, andaj me guxim iu ka rrekur e përkushtuar këtyre temave të cilat kanë për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë e cila, nocionin mbi demokracinë e brendshme partiake, duhet t’a kuptojë si përgjegjësi, duke motivuar kodin e dorëheqjes dhe atë të përgjegjësisë në rast të dështimeve – në rastin konkret të dështimeve të njëpasnjëshme të lidershipit uzurpator aktual. Por, mentaliteti teknokrat dhe mënyrat e refuzimit, kanë ndikuar që shumë procese të marrin kahe negative e që për pasojë kanë sjellë një ç’thurje e anarki të brendshme partiake e cila automatikisht është reflektuar edhe në sistemin e gjithmbarshëm shtetëror.

Këto qasje, gjithsesi, mbeten në nivelin e diskursit në raport me kohën, por analizat e Dibranit janë dëshmuar të sakta, prandaj thirrjet e vazhdueshme të tij për reforma të brendshme dhe për ndryshime të mëdha mbeten nevojë e kohës pa të cilat Kosova do ta ketë të vështirë, mbase edhe të pamundur, rrugëtimin drejt integrimeve dhe zhvillimeve Euro-Atlantike. Se Shefqet Dibrani është një analist i guximshëm dhe i pjekur, këtë e dëshmojnë publikimet dhe angazhimet e tija në këtë fushë, prandaj thirrjet e tij për reforma duhet të merren si këshillë racionale, pavarësisht nëse gjuha e të shprehurit është edhe e ashpër. Fundja, kjo mund edhe të konsiderohet si mënyrë e shprehjes së revoltës qytetare dhe, njëkohësisht edhe shprehje e qëndrimit të tij intelektual për të gjitha devijimet e brendshme politike në LDK e më gjerë.

Mendoj se e veçanta e këtij libri janë shkrimet, letrat dhe disa shënime më specifike të cilat, sipas autorit, publikohen për të parën herë brenda “Demokracisë Diktatoriale 2”. Edhe në kontekstin aktual, ato flasin për vizionin dhe qëndrueshmërinë e pathyeshme të autorit, pasi disa gjëra kanë të bëjnë me periudha delikate nëpër të cilat kalonte LDK-ja, procese këto në të cilat paska qenë i involvuar drejtpërdrejt Shefqet Dibrani. Nga këto shkrime që po i theksojmë, për t’i veçuar mendoj se janë: “E njihte FARK-u dr. Ibrahim Rugovën komandant të ushtrisë?!”, faqe 21-25, “Analogjitë e zhvillimeve politike – Shënime nga viti 2004-2005”, faqe 180-2006, “Takim sekret në zyrën e Kosovës në Tiranë”, faqe 296-300, “SHIK-u i LDK-së, përkatësisht Shërbimi Sekret Informativ i LDK-së”, faqe 301-306, për të cilin me sa duket Shefqet Dibrani sjell një variant të panjohur deri më tash, “Letrat e dr. Bujar Bukoshit”, faqe 307-358 etj. etj. Shkrime këto që kompletojnë jo vetëm librin, por edhe vizionin intelektual të vet autorit, i cili si shihet ka pas rol ose ka qenë afër në ato rrjedha e procese gjatë momenteve dramatike që kalonte Kosova.

Dyvëllimëshi “DEMOKRACIA DIKTATORIALE”, zbërthen më mirë zhvillimet e brendshme në LDK, por qasja e këtyre trajtimeve duket të jetë një kronologji konceptuale për të sqaruar më mirë arsyen e një “MANDATI TË KONTESTUAR” që e ka përjetuar vet autori nga ndëshkimi i drejtpërdrejt i Isa Mustafës dhe kryesisë qendrore të LDK-së, prandaj si shënimet do të mbesin një kronologji e rrallë për këto zhvillime, sepse autori nuk e ka kursyer as Grupin për Reforma dhe as nuk i ka falur personalitetet tjera të cilët, si me kazmë, kanë rrëmuar e rrënuar demokracinë e brendshme në LDK.

Gjithsesi, analizat e Dibranit përkojnë me realitetin e kohës, duke qitur në pah fërkimet dhe konfliktet e brendshme në LDK por, veçmas, kështu siç kanë dalë, duket se iu kanë hapur udhë trajtesave të autorit mbi “Demokracinë e kontestuar”, përkatësisht për librin e radhës, “Mandati i kontestuar ose një DOSJE në përpunim”.

Në përfundim të shkrimit dua të theksoj se edhe aspekti teknik i mbarështrimit të materies dëshmojnë për kulturën e autorit, sepse është bërë me një përkushtim të madh, në mënyrë që libri të jetë sa më mirë i realizuar artistikisht e teknikisht.

Element tjetër mjaft tregues është edhe stafi i bashkëpunëtorëve të përzgjedhur nga veprimtarë dhe aktivistë të dëshmuar e të devotshëm të LDK-së në Zvicër si dhe një listë e gjerë e atyre që kanë ndihmuar e sponsorizuar botimin e këtyre librave e që figurojnë në faqen katër të këtij libri. Këto dhe veçori të tjera, e bëjnë personalitetin e veprimtarit, publicistit e shkrimtarit Shefqet Dibrani edhe më të fortë, më të kompletuar dhe më vizionar, ndërsa librit i japin përmasa dhe premisa të lakmueshme.

Lausanne, 02.06.2018
Demë Jashari