LETËR E HAPUR
Shkruan Diellza Brahimi, poete
I nderuar President z. Thaçi
I nderuar Kryeministër z. Haradinaj
Unë që po ju shkruaj jam një qytetare e thjeshtë, që si gjithë qytetarët tjerë kam pritur, me shpresë se pas çlirimit të Kosovës, udhëheqësit tanë do të punojnë me dinjitet dhe përkushtim për një të ardhme më të mire për qytatarin Kosovar, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare etj, por paskam gabuar! Jam zhgënjyer nga ju…
Mora shkas të filloj të shkruaj këtë letër të hapur, sepse zemra s’po duron më gjithë këtë padrejtësi.
Po e shoh fare mirë vendin tim se si po katandiset nga pakujdesia e udhëheqjes suaj, ngase ju ka kapluar lakmia e pozitave e nuk po shihni se si popullin, dita ditës po e dërgoni në humnerë.
Të nderuar udhheqës
A më tregoni si është të jesh i ulur në një kolltuk luksoz, në një kolltuk të ngrohtë?!…
Mendoj se ai kolltuk, ku ju jeni të ulur përkohësisht, do të jetë jo i rehatshëm për ju, sepse një ditë do të shndërrohet në helm për shpirtin tuaj.
A thua, ku ia keni vënë terezinë kësofare?!…
Ku ju mbeti dashuria, mëshira dhe sinqeriteti?!…
Si duket, ju ka kapluar lakmia e pasurisë së tepëruar e jua ka verbuar sytë.
Mendja dhe arsyeja ju ka vajtur në pus të pafund.
A shikoni ndonjëherë se si e katandisët popullin tuaj?
A e ndieni dhimbjen e tyre, mundin e shokëve tuaj, ku i latë?
Si i harruat familjet e dëshmorëve dhe familjet e të pagjeturve, që ende as varrin s’mund t’ua bëjnë familjarëve të zhdukur?
Si i harruat ata baballarë dhe ato nëna që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për këtë vend?
O zotërinj, thirrini mendjes çfarë jeni duke bërë?!
Po për jetimët, çfarë bëtë?!…
A s’ju bren ndërgjegjja për dhimbjen e tyre, që jetojnë pa shpresë?!
Për nënat vetushqyese çfarë ndërmorrët?!… Po përgjigja dihet: asgjë prej gjëje.
A shikoni se rinia ka mësyrë rrugët e botës duke kërkuar një jetë më të mirë …sepse te ne është bërë e pamundur për të jetuar, ngase edhe bukën e gojës jua keni zënë në fyt?…
Gjithë kjo papunësi e madhe, gjithë kjo varfëri, gjithë ky mjerim!…
A thua, s’ju prek aspak ndërgjegjja?!
Mjaft më!
Jepini fund kësaj mizorie, sepse dita ditës popullin po e shkatërroni.
E dini pse ju shkruaj? Sepse jam lodhur shumë nga kjo jetë e s’po mund të duroj nga tërë këto padrejtësi, nga ky mjerim, që po ma zë frymën…
Ku janë premtimet tuaja të kohës së zgjedhjeve?
A s’e keni frikë Zotin?!…
Jo, jo, ju s’u pengon gënjeshtra, sepse jeni mësuar të jetoni me luks. Sofra juaj është e mbushur përplot dhe nuk e keni mendjen se në mëngjes çfarë do t’u servoni fëmijëve tuaj.
Këmbët tuaja nuk e dinë çfarë është të ftohtit e dëborës!
Trupi juaj s’ka ndjerë acarin e dimrit!
Ju s’e dini ç’është jeta në errësirë me muaj të tërë…
Prandaj, jua tregoj unë, sepse i kam përjetuar vetë …
A po shikoni si vriten njerëzit dita ditës nga mospërballja e kësaj jete?!…
Po ju them të nderuar, por e di që s’e meritoni të ju quaj të tillë.
Ah, sikur të mundja vetëm një ditë t’u vëja në vendin e popullit të shkretë e t’i përjetoni këto dhimbje e plagë të rënda të jetës!…
Atëherë, a thua, si do të vepronit ju ?!…
Dërgoi për publikim, Zymer Mehani, poet e gazetar