Dibra me një pellg të gjerë ujor, me Drinin e Zi shtyllë kurrizore e të paktën gjashtë degëve të tij që rrjedhin ujë të pastër burimesh tërë vitin, është më pak e eksploruara në sportin e raftingut dhe lundrimit me kanoe.
Hapësira e mundshme për rafting në hapësirën gjeografike prej 1569 kilometra katrore përshkohet nga Drini i Zi dhe degët e tij në një gjatësi të përgjithshme prej 179 kilometrash, hapësirë lineare mbase më e gjata në Shqipëri.
Drini i Zi nga hyrja në Gjoricë e deri në liqenin e Fierzës, 57 kilometra gjatësi, në saj të ujit të bollshëm si dimrit edhe verës mundëson zhvillimin e shumë sporteve ujore, individuale e kolektive, kanotazh me kanoe njëshe e me varka të mesme e të mëdha.
I bukur udhëtimi nëpër Drinin e Zi është nga Ura e Topojanit në dalje tek delta e Katundit të Ri, në ngushticën e Muhurrit ku takohet me Murrën, në deltën e Fushë Çidhnës ku takohet me Setën dhe në ndrydhjen e tij nga takimi me ujërat e Veleshicës në Skavicë…
Në këtë rrjedhë Drini lag themelet e lashta që lidhen me Kalanë e Grazhdanit, Kullën historike të Murre në Hotesh, kullat e Dine Hoxhës në Muhurr, Sinën si vend origjina e Kastriotëve, Fushën e Kastriotit dhe atë të Fushë-Çidhnës ku flitet për Betejën e Torviollit, e para ndër 19 beteja fitimtare të Gjergjit të Gjon Dibranit kundër pushtuesve osmanë për të vijuar rrjedhën në themele të Zallë-Dardhës djep i këngës popullore dibrane, e për tu ngushtuar aq shumë midis maleve të Reçit e të Kalisit sa kur e sheh nga larg të duket sikur do ta kalosh me një kërcim një hapësh.
Seta me një burim spektakolare në Gurë-Lurë, në tërë gjatësinë e saj prej13 kilometrash deri në takim me Drinin në Arras, është lumi ku mund të maten guximtarët në rafting nëpër kalimin mbase më të ngushtin e një kanioni ku majat e maleve duket sikur takohen. Një vendas thotë se kanionin e Setës, në rrjedhë uji deri sot nuk njihet ta ketë kaluar askush. Rëniet e ujit në shkallët natyrore pjerrësie, vorbullat dhe ato që vendasit i quajnë “gropat e zeza” janë të frikshme e ta ndalin hapin.
E ndërsa rrjedhës së ujit flitet që nuk ka kaluar askush, shpatit të thepisur të malit vendasit, mjeshtrit e mëdhenj dibranë të ndërtimit të kanaleve ujitëse, kanë shkruar një heroizëm të jashtëzakonshëm duke punuar varur në litar për të hap kanalin e për të ndërtuar tunelet prej ku në vitin 1967 rrodhi uji për vaditjen e tokave të Çidhnës, Dardhës, Reçit nga njëra anë, e të Sinës, Fushë Çidhnës, Kastriotit e deri në Vakuf, në anën tjetër të Drinit të Zi.
Seta, gjykoj që është sfida më e madhe për guximtarët e raftingut, sfidë që të fton për të guxuar veçanërisht në pranverë kur ende uji i saj është në rrjedhjen e vet më të madhe natyrore, ende pa u futur në kanalet ujitëse.
Dhe një e veçantë që nuk e gjen askund në Shqipëri: Një udhëtim me kanoe tuneleve nga kalon uji për ujitje gjatë verës padyshim është një sfidë e bukur për guximtarët.
Veleshica (15 kilometra) që merr e mbush rrjedhën nga burimet e Korabit është kombinimi më i bukur i turizmit malor me raftingun kanioneve të saj që mblidhen e hapen derisa qetësohen përpara se të bashkohen në Zall-Kalis me ujërat e Drinit të Zi.
Murra (19 kilometra) me burime nga malet e Katër Grykëve të Murrës, veçanërisht nga burimet e Shtrungës ku hasen një grup liqenesh për mendimin tim më të bukur se ato të Lurës, shumë pak të vizituar e të fotografuar, ka një rrjedhë që veçanërisht nga Lunara krijon mundësi të sporteve lumore përmes një peizazhi mahnitës.
Zalli i Zerqanit (29 kilometra) dhe ai i Okshtunit (34 kilometra) i pari me burim në Vajkal të Bulqizës dhe i dyti me burime në Prodan të Gollobërdës janë një ndër udhët turistike ujore që flasin për histori qëndrese e kulturë popullore (në deltën e tyre Hajredin Pasha, në Gjoricë ku bashkohen me Drinin, siç thotë kënga, la “Jo ma pak por dymbëdhjetë mijë”)
Malla (18 kilometra) merr ujërat e Kunorës së Lurës, liqeneve emri i të cilëve i ka kaluar kohët dhe vendet për ti zbritur në një peisazh mahnitës në pasqyrë të fshatrave të Krej-Lurës, Arrmallës, Gjurë Reçit për ti bashkuar me Drinin e Zi…
Nuk kam dëgjuar që në Dibër të ketë ndonjë shoqatë apo grupim sportiv që të udhëtojë e të promovojë bukuritë e Dibrës nëpërmjet sportit burrëror të raftingut.
Nuk kam dëgjuar që as Albania Rafting Grup ta ketë shtrirë hapin e saj drejt rrjedhave ujore të Dibrës. Në faqen e saj zyrtare shoh vetëm veprimtari raftingu në kanionet e Osumit…
Shqipëria nga Valbona në Bistricë duhet të tërheqë guximtarë të këtij sporti të bukur nga e gjithë bota duke i dhënë një hapësirë të gjerë turizmit në të gjithë hapësirën shqiptare.
Lumi Drini i Zi dhe degët që e ushqejnë atë verë e dimër janë një faqe sportive e turistike që duhet lexuar.
Abdurahim Ashiku
Gazetar