Diaspora luftoi për shtet e jo për pushtet!

1
604
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 09.05.2020

Pas injorimit dhe anashkalimit të mërgatës nga pushtetet e pas luftës, kohëve të fundit nga njerëz të papërgjegjshëm apo të pa informuar mirë, e për më keq, nga figura të skenës politike (publike) po atakohet padrejtësisht dhe fyhet rëndë mërgata jonë, pjesa më e shëndoshë e arteries tonë kombëtare.

Fyerje të rënda për Diasporën

I pari që e filloi luftën kundër mërgatës tonë një vit më parë ishte gazetari Valon Syla, me fjalorin fyes e denigrues; “Diaspora shqiptare është primitive, janë pasardhësit e analfabetave,…diaspora ka ende të menduarit e viteve të ’90-ta”!

I fundit që fyeu publikisht mërgatën tonë ditë më parë është Haxhi Hoti, ish kandidat për deputet nga radhët e NISMA-s, i cili në një postim në llogarinë e tij në Facebook, u shpreh pikërisht kështu; “Mërgatës me ligj duhet me ja ndalu të drejtën me votu në Kosovë, mërgata e Kosovës janë njerëz shumë të paditur, nuk mundet me i ditë gjërat njeriu prej TV dhe prej internetit. Mos përzihi në Kosovë shumë, se në shtëpit e juaja nuk ju vet kush as maraba nuk ju thonë fëmijet e juaj. Mërgata e Kosovës kur qohen në 4 të mengjesit me punu mendojnë që për Kosovën po qohen me punu, jo për Evropë jeni tuj punu, e jo për Kosovë. Po ta kishit dashur vendin kaq shumë, ishit ardhur në luftë me luftu për Kosovë”.

Sikurse fyerja e parë nga gazetari Syla, ashtu edhe kjo e fundit nga aktvisti i subjektit politik NISMA, janë fyerje të rënda dhe skandaloze, që vijnë nga jeta publike, gjegjësisht prej një gazetari dhe prej një anëtari të një subjekti politik i cili pretendon të qeverisë me vendin.

Askush nuk dha më shumë se mërgata për lirinë e Kosovës

Janë me qindra e mijëra shembuj e argumente që e dëshmojnë të kundërtën e asaj që e kanë pohuar për mërgatën gazetari Syla dhe anëtari i NISMA-s, mund të shkruhen mijëra e miliona fjalë miradie për kontributin e mërgatës tonë para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, por që nuk mund të shkruhet asnjë fjalë e vetme pozitive për ata që fyejnë vlerat tona kombëtare.

Janë me qindra të rinjë nga mërgata e jonë që ishin pjesë aktive e luftës çlirimtare, dhjetëra prej tyre ranë dëshmorë në altarin e lirisë, e sa të tjerë i lanë gjymtyrët e trupit të tyre për lirinë që sot e gëzojmë.

Me të përfunduar lufta, mërgimtarët që deri dje ishin të rreshtuar në vijat e para të frontit, nuk vrapuan pas pushtetit, por iu kthyen punës e jetës në shtetet perëndimore për të vazhduar misionin e tyre të ndihmës së pakursyer në rindërtimin e shtëpive të rrënuara gjatë luftës, për shtetndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Nuk dëshirojë ta kualifikojë me fjalë fyese gazetarin Valon Syla dhe as aktivistin politik, z. Haxhi Hoti, ish kandidatin për deputet nga radhët e NISMA-s për fyerjet e turpshme ndaj mërgatës tonë, për arsye se jam i bindur që kanë mungesë të informacioneve për mërgatën dhe vlerat e saj sublime.

Nga këtu, ju bëjë thirrje të sinqertë të gjithë bashkombasve në Kosovë dhe trojet etnike, që para se të flasin për mërgatën, është mirë që të informohen paraprakisht për kontributin e çmuar dhe vlerëmadh të mërgatës tonë ndër dekada si në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në botën perëndimore ashtu edhe në aspektin logjistik e financiar, që nga krijimi i themeleve të Republikës së Kosovës në vitet e ’90-ta, me finacimin e shtetit paralel në rrethanat e okupimit klasik të Serbisë (mbajtjen e arsimit shqip dhe shëndetësisë), kontributin e jashtëzakonshëm gjatë luftës çlirimtare dhe për ndihmat e pandërprera pas përfundimit të luftës, në rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Kur jemi në këtë segment, vetëm mbajtja e arsimit shqip në vitet e ’90-ta në Kosovë e kishte koston mujore prej disa miliona DM, para këto ardhura nga mërgata jonë.

Viti 1990, vit i themeleve të shtetit

Ky shkrim vjen si nevojë e informimit dhe ndërgjegjësimit të bashkatdhetarëve në trojet etnike, se historia e më e re e Kosovës nuk ka filluar me 6 tetor të vitit 2019 dhe as me 17 shkurt të vitit 2008, por në fund të viteve të ’80-ta dhe fillim vitet e ’90-ta.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 është gurëthemeli i pavarësisë së Kosovës, ndërsa Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 shtatorit e të njëjtit vit apo Kushtetuta e Kaçanik paraqet bazën juridike dhe ligjore të shtetit të Kosovës, kurse Referendumi gjithëpopullor për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur të mbajtur prej 26-30 shtator 1991 shënon vulën plebishitare të popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran.

Pa këto dokumente të rëndësishme historike, Kosova nuk do të arrinte dot as të zhvillimet tjera të më vonshme që u kurorëzuan më luftën çlirimtare, e madje as në 17 shkurtin e 2008-së, që shënon fillimin e njohjes formale ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, kërkesë kjo që i rrodhi nga goja Presidenti historik Ibrahim Rugova deri në frymën e tij të fundit.

Mendësia e viteve të ’90-ta, mendësi e krijimit të shtetit

Suporti kryesor financiar i të gjitha zhvillimeve për dhe rreth Kosovës ishte mërgata e jonë, e cila i financoj të gjitha aktivitetet politike, arsimore, shëndetësore e deri tek ato ushtarake në luftën e fundit çlirimtare.

Me këtë rast, dëshiroj t’i rikujtoj gazetarit Syla, poltikanit Hoti dhe secilit që mendon njëjtë sikurse ata, se pa ndihmën e mërgatës sonë, nuk do të ishte i mundur të realizohej projekti i pavarësisë dhe as çlirimit të vendit tonë.

Mendësia e viteve të ’90-ta ishte mendësi e pastër dhe shëndoshë, e cila edhe sot i duhet Kosovës, më shumë së asnjëherë më parë, për shkak se, ajo ishte mendësi e dhënjes gjithçka për shtetin e Kosovës, e jo marrja gjithçka nga shteti siq ndodhi përgjatë këtyre 21 vjetëve të fundit.

Zoti e bekoftë mërgatën, arterien më të çmueshme dhe më të shëndoshë të qenjes tonë kombëtare!

1 KOMENT

  1. Florim ,
    qe nje mendim per kontributin per LIRI si vijon:

    Lidhur me kontributin apo meritën e Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, ka mendime dhe propagandë se kjo parti apo ai individ ishte i merituar, apo më i merituari.

    Mendoj se pjesa e popullatës më e merituar, dhe më e rëndësishme që Kosova është e lirë dhe e pavarur, është ajo pjese e popullit Shqiptar të Kosovës, që qëndroi, sakrifikoi dhe jetoi në Kosovë, në të gjitha rrethanat, që u imponuan deri në ditën e fillimit të bombardimeve, që i bëri NATO-AMERIKA, pra deri më 24 Mars 1999.

    Shqiptarët që kurrë nuk e ndërruan vendin e lindjes dhe vendin e jetesës, përkundër të gjitha diskriminimeve, torturave, burgimeve, arrestimeve, vrasjeve politike, bombave, helmimeve… edhe të mijëra veprimeve tjera anti-Shqiptare, që i bëri shteti i RSFJ-së dhe pastaj shteti i Sërbisë, janë pjesa më e rëndësishme, më e merituara për liri dhe pavarësi.

    Në media lexojmë për të ashtuquajtur veprimtar apo parti politike, që vepronin jashtë Kosovës, në Zvicër, Gjermani, Austri, Suedi, Britani apo në ndonjë shtet tjetër demokratik, dhe ekzagjerohen veprimtaritë e tyre patriotike.

    Në media shfaqen individë, duke evokuar kujtimet e kësaj veprimtarie jashtë Kosovës, në shtetet demokratike, duke rrëfyer aktivitetet e tyre që nga vitet 1970-ta deri në vitin e fundit të robërise 1999, të cilat aktivitete janë takimet nëpër klube, restorante, kafeteri etj… në të cilat takime këta veprimtar konkludonin se në Kosovë gjendja nuk është e mirë!
    Dhe kjo ishte e tërë veprimtaria e tyre. Përjashtime bënin kur kacafyteshin ndërmjet vehtes se cilat të ashtuquajtura parti janë më të drejta apo më të mira.

    Në të vërtetë shumica e këtyre veprimtarëve që ikën nga fushë-beteja për liri, e cila fushë betejë ishte KOSOVA, e jo Gjermania, Zvicra… etj, …treguan frikë dhe ikën, edhe pse nuk duhet mohuar kontributi që ata dhanë financiarisht sidomos, për Kosovën.
    Beteja zhvillohej në Kosovë, aty ku protestat dhe veprimet tjera ishin të rrezikshme, dhe gjithmonë kishin përgjegjje të dhunshme nga ana e okupatorit, prandaj rëndësia më e madhe ishte te shqiptarët që qëndrusn në Kosovë.

    Në Kosovë patriotët e vërtetë kurrë nuk u dorëzuan dhe nuk ia lanë okupatorit; TOKËN, Shtëpine, Banesën, Shkollën, Ajrin, Livadhet, Kumbullat, Dardhat, Misrin, Armët, Grurin dhe të gjitha pronat dhe pasuritë tjera mbi tokë dhe nën tokë… siç e bënë ata që vendosën të ikin dhe ia dorëzuan ato, që nuk bënte t’i dorëzohen okupatorit. Pra ata që u dorëzuan nuk janë patriotë të mirëfilltë, por jane frikacakë, që ikën nga beteja.

    Nëse do të iknin edhe këta 1.3 Milion SHQIPTAR nga Kosova, sikur që iken frikacaket, në Kosovë nuk do të kishte luftë… dhe KOSOVA nuk do të çlirohej kurrë.
    Okupatori do të i mbyllte kufijt dhe ne do të ishim të shkapërderdhur nëpër planetë… jashtë Kosovës… dhe më lejoni të e shkruaj në anglisht “game over”.

    Protestat në europën perendimore që konsiderohet demokratike, nuk kanë qenë të rrezikshme edhe nuk kanë qenë frytdhënëse, sepse kjo Europe edhe sot nuk e pranon lirinë dhe pavarësine e Kosovës, me disa përjashtime (Britania e Madhe, Italia, Holanda, Belgjika, Gjermania).

    Sot ende ka shtete europiane të europës demokratike që votojnë kundër këndimit të Kosovës në Eurovizion apo kundër të drejtës që Kosovarët të luajnë futboll në Europë (24 Shtete Europiane votuan kundër Kosovës në UEFA)!

    Pra përkundër kinse aktiviteteve te diasporës, ky aktivitet nuk arriti të sigurojë as këngën në EUROVIZION apo ndjekjen e topit nëpër stadiume të Europës… e çka të pritet prej aktiviteteve për LIRI dhe PAVARESI.

    Aktivitetet e partive në vitet 1970-ta-1999 në Europë ishin vetëm biseda për të drejtat e Shqiptarëve!!! Edhe me kaq kryhej aktiviteti patriotik.

    Disa frikacak që ikën nga Kosova mburren se kontribuan me një financim 3% që i paguan qeverisë e cila poashtu ka ikë nga Kosova në vitet 1990-1999. Këtë obligim financiar e madhërojnë pa asnjë arësye, sepse të gjithë qytetarët e Kosovës që vazhduan të jetojnë në Kosovë kanë paguar obligimin 3%.

    Këtu nuk ka qka të vlerësohet apo diskutohet sepse ka qenë obligim.
    Disa thojne citoj” ne ju kemi dërguar mjete financiare për armatim” e ju keni luftuar !!!
    Dërgimi i mjeteve për armatim është baraz me xero në krahasim me luftën për liri që zhvillohej në qdo ditë të ROBERISË. Gjatë okupimit çdo ambasadë dhe çdo institucion shtetëror i okupatorit, në cilindo shtet, ka qenë target ligjor luftarak, dhe çlirimtar për qdo

    Kosovar që ka jetuar jasht Kosovës Asnjë sulm nuk ka ndodhë kundër Ambasadave, Konzulateve …etj, të okupatorit!!!

    Në vitet e rënda të robërisë 1990-1999 të gjithë Shqiptarët ishin trajtuar në mënyre mizore pa asnjë përjashtim. Mirëpo disa patriot të rrejshëm në biografitë e tyre pohojnë se citoj : ” për shkak të dhunës politike nga okupatori në vitn 1993 e lëshova Kosovën!!!

    Po cili Shqiptar nuk ka pasë dhunë politike në vitin 1993 apo në vitet 1990-1999? Asnjëri nuk ka qenë i kursyer, por disa ikën nga fushëbeteja ndërsa të fortit dhe patriotët qëndruan në Kosovë, dhe nuk e zgjodhën rrugën e lehtë të shpërnguljes në vende të sigurta të Europës.

    Diaspora adhuron këngën më të poshtër të tallavizmit diasporik me titull hipokrit: “niset trimi për gurbet”!! Kjo këngë duhet quajtur: “niset frikacaku për gurbet, e trimi mbetet në Kosovë.

    Familjet Jashari, Deliu, Ahmeti, u vranë në Drenicë e jo në Stokholm. Mijëra femra u dhunuan në Kosovë e jo në diasporë. Shkollat në shtëpi u mbaitën në Kosovë jo në Shtutgart. 14 mijë Shqiptar u vranë në ATËDHE jo në Europën perendimore. 2000 femije u vranë në MËMËDHE jo në diasporë.

    Më 1998-1999 jetonin në male 50 deri 300 mijë Shqiptar, e jo nëpër hotelet, motelet, diskot, banesat e sigurta, te ngrohëta të diasporës.

    Kosovarët transportoheshin si kafshë me tren deri në Bllacë, e jo nëpër Banhoffa. Masakrat u kryen në Krushë, Mejë, Reqak, Gjakovë jo në Mërgim.

    Europa VIZA-REFUZUESE edhe sot preferon SHQIPTART të jenë refugjat, azilant, hajna, e jo TURIST, STUDENT apo BIZNISMEN( me përjashtime UK, Italia, Austria, Belgjika, Gjermania).

    Përfundim: sot në trojet SHQIPTARE jetojnë ate cilët së bashku me para-ardhësit e tyre duruan të gjitha diskriminimet e të gjithë okupatorëve të 578 viteve të fundit dhe janë edhe sot SHQIPTAR, e jo sikur shum qe ikën në Otomani, Turqi, Europë… etj.

    Shumica e këtyre të ikurve në periodën e okupimit Otoman janë asimiluar, përveç Arberëshëve që u dëbuan në Kalabri dhe akoma janë Shqiptar.

    Ndërsa këta që ikën në periodën 1955-1998 nuk arësyetohen, sepse të gjithë kanë pasë të njejtat arësyera për ikje… por shumica vazhdoi me durim jetën në kushte diskrimnimi dhe terrori… deri në LIRI dhe PAVARËSI.

    Poashtu diaspora është e merituar që sot 75% ta hajnave qeveritar dhe parlamentar janë nga diaspora që u kthyen për të vjedhë në Kosovë, apo për të kompenzuar humbjet e tyre në diasporë.

    Përpjekjet dhe luftimet e 678 viteve për LIRI, u kryen me 12 Qershor 1999, dhe më të merituarit ishin SHQIPTART që jetuan dhe luftuan në KOSOVË, dhe natyrisht më e merituara për finalizimin ishte ndihma madhështore e SHTETEVE TE BASHKUARA TË AMERIKËS dhe BRITANISË.

Komentet janë mbyllur.