Diamant Arbrashi, shqipëron poetët më të njohur tiçinezë

0
358
Diamant Abrashi

Gjatë këtyre ditëve poeti dhe përkthyesi nga Gjakova, Diamant Abrashi i natyralizuar prej vitesh në Zvicër, vjen para lexuesve me dy përmbledhje të reja poezish të botuara në shqip e italisht.

Abrashi i takon brezit të krijueseve të viteve të 90-ta. Ai deri me tash ka publikuar përkthimin e veprës”Homeri i verbër “të poetit të njohur arbëresh Franco Espoistio.

Përkthimi mjaft cilësor i kësaj vepre i ka dhënë atij guxim dhe kurajë që të merret edhe me përkthimin e autorëve tjerë italianë.

Abrashi së voni ka përzgjedhur për përkthim në shqip autorët më të mirë të poezisë bashkëkohore italiane të kantonit Tiçino të Zvicrës.

Ai veçantë ka përkthyer poezitë e Adele Desideri, Alberto Nessi, Angelo Maugeri, Carla Ragani etj.

Ky cikël poezish titullohet “Brigjet-Sponde” dhe përmban njëqind e njëzetepesë poezi që zgjojnë kërshërinë e secilit lexues.

Libri tjetër me poezi i Abrashit quhet ON-LINE (Letrat e pashkruara)dhe përbëhet nga vargje ose njësi poetike që vijnë njëri nën tjetrin. Prandaj libri ka pamjen e një kolone me vargje.

Përdorimi me mjeshtëri i elementeve gjuhësore e bën poezinë e Abrashit funksionale dhe kuptimore. Në te shohim një organizim të përsosur, ku zgjidhet rendi, tingulli, e çdo fjalë.

Vargu si varg del me kuptim të plotë. Poezitë e Abrashit lidhen kryesisht me jetën, dashurinë dhe vdekjen e njeriut. Një nga temat në këtë libër është edhe lirika e dashurisë së cilës nuk i shpëton sikurse poetët tjerë as Abrashi.

Mbi të gjitha gjithmonë në kuptimin pozitiv habit llojshmëria e shfaqur e këtij lloj vargu të cilin Abrashi e ka kultivuar me mjeshtëri të rrallë.

Gjatë leximit të këtyre poezive lexuesi krijon përshtypjen që Abrashi e ka marrë si model edhe llojin e lirikës së poetit tonë të madh Lasgush Poradeci. Në këto poezi poeti bën dialog me dashurinë, me kohën duke shprehur fate me dimensione të reja e që mund të kapen nga kënde të ndryshme.

Po ashtu në këtë përmbledhje poezish nxjerr krye dashuria dhe malli për atdheun, ku autori këtë dashuri e shpreh tek poezitë “Dasma gjakovare” dhe “Fole e vjetër”.

Diamant Abrashi gjithashtu ka lënë shije të mirë tek lexuesit edhe me përmbledhjet e më hershme të poezive “Qortimet e Vonuara” “L’esilio” dhe “Hapa nëpër kohë” të botuara edhe në italisht nga shtëpia botuese “ARMANDO DADO” e Locarnos së Zvicrës.

Librit “Qortimet e vonuara” të publikuar më 1993 të Diamant Abrashit i paraprinë dhe një analizë e thukët e studiuesit dhe kritikut të njohur letrar Dr. Milazim Krasniqi, me çfarë lexuesi që në shpalosjen e fletëve të para kupton që Abrashi është me aftësi të rralla krijuese dhe për këtë arsye qëndron përkrah autorëve më të njohur të poezisë sonë.

Argumenti më i mirë se Abrashi, është poet i vlerave të mirëfillta janë dhe përkthimet e librave të tij në gjuhët: italiane, frënge, gjermane, suedeze, rumune e sllovene.

Krijimtaria e këtij krijuesi përputhet fjalë për fjalë me kohën, andaj edhe është pjesë e letërsisë së shumë gjuhëve të huaja.

ARIF EJUPI