Dialog të hapur dhe transparent!

0
239
Donika Gërvalla - Albin Kurti

Shkruan: Florim Zeqa, 05.05.2021

Kompromisi si instrument për arritjen e marrëveshjeve, sikurse në fushën e politikës, ashtu edhe në jetën e përditshme është hapje e rrugës për zgjidhje të problemeve dhe pajtim, por që është diçka më pak e “keqe” nga zgjidhjet e ofruara nga palët ndërmjetësuese si alternativa të mundshme. Në këtë segment, kompromisi paraqet të keqen më të vogël e cila me vështirësi pranohet, por që nuk mund të refuzohet.

Më në fund edhe kryeministri Albin Kurti, dalëngadalë por me hapa të sigurtë është duke u futur në vallen e madhe të dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së!

Tashmë edhe Albin Kurti ka filluar të kuptojë më mirë dhe më qartë se çfarë nënkupton kompromisi politik me Serbinë.

Tani mund të thuhet se po i qartësohet ngadalë̈ por sigurt rruga e bisedimeve edhe Albin Kurtit, i cili deri dje thoshte se dialogu nuk është ndër prioritetet e para të qeverisë së tij!

Mirëpo paraprakisht fillimit të dialogut, zyrtarët e BE-së nga Brukseli dhe qëndrat tjera me ndikim po i bëjnë të qartë Albin Kurtit formulën e kompromisit politik.

Kompromisi politik me Serbinë bartë me vete të papritura dhe rreziqe të shumta të cilat mund të çojnë në zgjidhje të dhimbshme për vendin!

Kjo e ka detyruar Albin Kurtin që rreth vetes të tubojë një ekipë të zgjeruar ekspertësh politikë, pjesëmarrës në dialog me Serbinë në të kaluarën e largët dhe të afërt, siq janë; Muhamet Mustafa, Leon Malazogu, Bernard Nikaj, Veton Surroi, Robert Muharremi dhe Blerim Shala. Mbase ky ekip negociator do të zgjerohet edhe më tejë, varësisht prej situatave në të cilat ndodhet kryeministri i vendit.

Kjo është hera e parë që Albin Kurti angazhon rreth vetes këshilltar politik! Kjo dëshmon për sfidat para të cilave ndodhet kryeministri legjitim i vendit tonë!

Tani po shihet qartë se faktori ndërkombëtar është më i vendosur se asnjëherë më parë që bisedimet Kosovë-Serb të përfundojnë me njohje reciproke, pasi deri më tani këto bisedime jo vetëm që mbetën pa epilog përfundimtar, marrëveshjet e arritura asnjëherë nuk u zbatuan në plotni, por gjithnjë mbeten të mangta dhe parciale.

Edhe përkundër deklarimeve të zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së për mosndryshim të kufijve në Ballkan, kompromiset e mëdha për të cilat po flitet pashmangshëm do t’na dërgojnë në atë drejtim!

Dhënja e autonomisë për Asociacionin e Komunave Serbe në veri të vendit, me automatizëm e nënkupton ndarjen në baza etnike, ndarje e cila më vonë do të ndryshojë edhe hartën gjeopolitike në Ballkan.

Këtë po e dëshmon edhe paraqitja e dokumentit jo zyrtar, fantom dhe pa autorësi “non paper”, me projektin për autonomi territoriale për veriun e banuar me shumicë serbe!

Përfaqësuesve të shtetit tonë në dialogun e Brukselit, gjegjësisht Albin Kurtit dhe ekspertëve të tij u mbetët që të kërkojnë nga Serbia dëmshpërblimet e luftës, kthimin e të pagjeturve, kthimin e librave kadastral, artefakteve dhe pasurive tjera të grabitura gjatë luftës si dhe t’i kërkojnë BE-së që ta ndëshkojë Serbinë për të gjitha krimet e kryera në Kosovë dhe jo vetëm, siq kishte ndodhur me shtetin gjerman për luftën e dytë botërore, si një mësim i mirë për Serbinë dhe të gjitha shtetet që provojnë të nxisin apo shkaktojnë luftëra të reja në hapësirat ballkanike.

Qytetarët e Kosovës kërkojnë transparencë të plotë nga Albin Kurti përgjatë procesit të dialogut me Serbinë, duan t’i dinë të gjitha vështirësishtë dhe prapaskenat, benefitet dhe kompromiset, por në asnjë rrethanë nuk e pranojnë tërheqjen e kryeministrit nga ky dialog jetik për të ardhmen e Republikës së Kosovës së 17 shkurtit 2008-të.

Përmbyllja e dialogut, përveq përmbylljes së kapitullit të gjatë të luftërave dhe armiqësive shekullore me Serbinë, Kosovës do t’i hapte rrugën për anëtarësim në BE dhe OKB, në UNESCO dhe INTERPOL, si dhe do të hapte përspektiva të mëdha zhvillimore dhe stabilitet politik për Republikën e Kosovës.