Jeta është e bukur! Eshtë e bukur kur ajo jetohet në mënyrë intensive. Eshtë e bukur kur ajo vihet në funksion të familjes, njerëzve në nevojë dhe komunitetit ku shërben. Jeta ka dhe të papriturat e saj! Ajo u tregua e “ashpër” dhe e “pabesë” edhe me Zeqon! U tregua e “pa mëshirshme” me kolegun tonë, mësuesin e përkushtuar të edukimit fizik, veprimtarin gjithplanësh në art dhe sport, Zeqir Selmani!
Ai u nda nga jeta krejt papritur, në moshën 64 vjeçare, ditën e shtunë ora 6 e mëngjesit të datës 23.01.2021. Zeqo qe kolegu i mençur, fjalëpak e punë shumë, që na “mblidhte” shpesh, për një kohë të gjatë në vite, tek “kabineti” i tij në natyrë, që ishte fusha e volejbollit dhe e futbollit… Kështu e ka jeta…
Ajo duhet pranuar me të “mirat” dhe të “këqiat” e saj… Përcillet me nderime, për në banesën e fundit, nga familiarët, të afërt, shokë, miq dhe gjithë kolektivi i shkollës Zall-Bastar, më 24.01.2021. I përjetshëm qoftë kujtimi i këtij njeriu të mirë!
E shtunë data 23.01.2021. Ndodhem në Kamëz tek biznesi i Bujar Pulës dhe Islam Ramës. Disa ditë më parë së bashku edhe me Zeqon, sapo kishim përcjell për në banesën e fundit Dritën, nënën e tre fëmijëve, këtë grua të mrekullueshme që iku në moshë të re nga një sëmundje e rëndë. Atje qemë takuar, për të fundit herë! E kujt i shkonte ndërmend se shumë shpejt do ikte dhe Zeqo?! Kohë tmerrësish të vështira që duhet ti përballojmë… Një ditë më parë motra ime Reti më kishte thënë: “Doktoreshë Ada, nuk më dha shpresë”. E megjithatë unë shpresoja!
Gjatë bisedës me Lamin që po e takoja për herë të parë, bie telegoni! Parandjenjë e keqe! Hap telefonin. Ora 09 e11 minuta. Jam Ceni, ka vdekur Zeqo! Trishtim për mua, nuk doja ta besoja! Për 10-15 minuta më pas, lajmi konfirmohet nga Eri, Reti, Tini, dhe në fund Tani. Ndahem me Ramën, për të ardhur në destinacion… E çfar rëndësie kanë këto, përball faktit të kryer… Iku pa kthim, një shok i mirë, një shok i mirë për gjithë kolektivin, natyrisht dhe për mua si shok fëmijërie…
Zeqiri lindi në Bastar të Mesëm më 10.05.1957. Lindi në një familje të varfër por me shumë tradita. Prindërit e tij Mehmeti dhe Anifja duke parë aftësitë e Zeqirit që në moshë tëvogël, bënë kujdes për shkollimin e tij. Shkollën fillore e fillon te lokali i vjetër në Majë të Gurzit, dhe e përfundon te lokali i shkollës së re në Lamë të Cenjet, me nota shumë të mira, shoqëruar me fletë lavdërimi. Sa qe gjallë Zeqo më fliste me shumë simpati për mësuesit Ahmet Kamberi, Shpresa Duka, Sadete Toparja që i pati mësues në arsimin fillor… Shkollën 8 vjeçare e fillon dhe e mbaron në Bastar i Mesëm me nota shumë të mira, shoqëruar me fletë nderi për të katër vitet e saj.
Duke kujtuar atë periudhë Zeqiri shprehej: “Kujtoj me shumë nostalgji mësuesit: Myrvete Fetiu, drejtoreshën e shkollës e mësuesen e mrekullueshme të gjeografisë; mësuesen e mirë dhe të pa arritshme të matematikës Flutura Thaçi, mësuesit e tjerë Janaq dhe Areti Likoka etj. Kohë të bukura për arsimin, mësues të përkushtuar, dhe rezultate shumë të mira nga nxënësit”. Zeqo qe modest dhe asnjëherë nuk fliste për vehten e tij, por fliste për shokët dhe shoqet e klasës që patën nota shumë të mira. Faktet flasin vetë, dhe Zeqo qe nxënës elitar në klasën e tij, dëftesa e vërteton këtë.
Në shkollën 8 vjeçare krahas rezultateve shumë të mira në mësime ai filloi të merrej shumë me sportin e volejbollit, futbollit, ku shkëlqene dhe bënte diferencën me nxënësit e klasës, shkollës e më gjerë. Atje ku luante e pozicionohej Zeqiri, ishte edhe fitorja. Zeqo për këto vite shprehej: “Këtu nisën ato “shkëndijat” e para, që unë të “dashurohesha”, “marrëzisht” pas futbollit dhe volejbollit, më pas, ta ushtroja më shumë në shkollën e mesme, dhe të mbaroja edhe Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë”.
Në shkollën 8 vjeçare Zeqiri filloi ti binte çiftelisë dhe të merrej me grupin artistik të shkollës. Shpesh pengohej pasi nuk shikohej me sy të mirë nga politika në ato vite, pasi ishte nip kulaku. E tillë qe koha, gjthçka e politizuar dhe njerzit me talent si Zeqiri në këtë fushë pengoheshin me qëllim. Zeqo e vuante shumë këtë.
Shumë herë ma shprehte me dhimbje këtë, pavarësisht se qemë në pozicione të kundërta. Kjo gjë u duk qartë dhe në vitin 1983 kur Ai, krahas çiftelisë kish mësuar shumë mirë fizarmonikën, ishte pjesë e grupit të Shtëpisë së Kulturës Zall-Bastar, dhe nuk u lejua të merrte pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Kjo “njollë e zezë” e privoj Zeqon të vazhdoi arsimin e lartë në kohën e monizmit dhe e ndoqi deri në vitet e demokracisë. Në bisedat tona të përditëshme, ai shprehej shumë i dëshpëruar për këtë…
Kohë tmerrësisht të vështira për njerëzit e “prekur” në atë periudhë! Fatkeqësisht këtë e vuajti mbi kurriz dhe Zeqo… Pasi mbaroj arsimin 8 vjeçar, nuk mundi të çaj për në shkolla të tjera mësuesie, për arsyet që cekëm më lart. Ai mundi të vazhdoi arsimin e mesëm pranë Shkollës së Mesme Bujqësore “Zall-Dajt”. Në këtë shkollë ai përkushtohet dhe arrin rezultate shumë të mira në mësime. Krahas kësaj, në këtë shkollë merr një kulturë të përgjithëshme dhe shkëlqen në disiplinat e sportit që thamë më lart.
E mbaron shkollën e Zall-Dajtit në vitin shkollor 1985-1986. Sport tjetër ku ku ai dilte gjithnjë fitues dhe ishte ” kampion”, me ne të tjerët në zonë, qe dhe shahu. Pa asnjë egzagjerim, i tillë qe dhe do mbetet Zeqiri! Duke kujtuar shkollën e mesme ai shprehej: “Shkolla në Zall-Dajt, qe e mrekullueshme, me një staf pedagogjik shumë të mirë, me kabinete dhe bazë materilo-didaktike të pasur. Kujtoj me shumë nostalgji mësuesin e lëndëve bujqësore Ibrahim Hoxha dhe mësuesin e filozofisë Ismail Lleshi, kam nostalgji për to”. Dhe kështu vazhdoi arsimi, në breza… Nostalgji ne tani, për kolegun tonë në fjalë, Zeqon e veçantë…
Mbas mbarimit të shkollës së mesme Zeqiri shkon dhe kryen shërbimin ushtarak në Skrapar, në postën pranë Tomorrit. Dhe këtu la përshtypjet më të mira me shokët dhe eprorët.
Pas mbarimit të ushtrisë ai filloi punë në Kooperativën Bujqësore “Shkëndia” Zall- Bastar dhe punoi si punëtor krahu deri në prishjen e saj. Gjatë punës në ekonominë bujqësore punoi në frutikulturë dhe sektorë të tjerë. Kudo që punoi, mbetet shembulli e modeli i nheriut të mirë…
“Pengu” më i madh i Zeqos qe mbarimi i arsimit të lartë. Ishte përgatitur për këtë gjithë jetën, por mundësia ju dha vetëm pas viteve’90. Demokracia e pluralizmi qe shpresë për Zeqon. Shpresë për të vazhduar në një nga degët e arsimit të lartë, dhe mundësisht për mësuesi. Kjo qe dëshira e tij! Me ndihmën e disa drejtuesve të Seksionin të Arsimit të Rrethit Tiranë, regjistrohet te Histori-Filologjia, në degën histori- gjeografi. Qe shumë vonë!
Shpejt ndërron mendim dhe konkuron te Insituti i Kulturës Fizike në Tiranë. I kap të gjitha normat dhe arrin të regjistrohet në vitin 1992-93 në këtë Institut. I mbaron studimet me rezultate të mira në vitin 1996-97. Ndërkohë që vazhdonte studimet e larta për fizkulturë, emërohet mësues i edukimit fizik në Shkollën e Mesme Zall-Bastar. Detyrë të cilën e kreu me shumë përgjegjësi deri tre ditë para se të vdiqte.
Gjatë kësaj perudhe në arsim Zeqo u dallua për:
● Punë plot pasion në lëndët e tij, dhe jo vetëm.
● Përgatitje serioze për orën e mësimit.
● Disiplinë të lartë në punë.
● Sellje model me kolegët, nxënësit dhe komunitetin.
● Zhvillimin e orëve model në fizkulturë dhe autoritet të pa diskutueshëm me nxënësit.
● Masivizimin e sportit dhe përgatitjen e gjeneratave të reja në volejboll futboll, dhe jo vetëm.
● Organizimin dhe zhvillimin e veprimtarive fizkulturoro-sportive në bazë shkolle, zone e më gjerë.
● Në organizimin e lojrave e kampionatit të shahut me nxënësit dhe të rijtë.
● Në përzgjedhjen, ngritjen, organizimin dhe funksionimin e grupeve artistike në bazë shkolle. Për një kohë të gjatë, Ai, së bashku me mësuesen e pasionuar Drita Loka, i dhanë tonin shkollës me ato grupe artistike të vyera.
Shpesh këto grupe, dukeshin si grupe “profesioniste”. Mirënjohje të pakufishme këtyre dy mësuesve, që shpesh na nxirrnin nga lodhja e rutina e përditëshme. Këto me punën e tyre plot pasion, na motivonin, me repertorin, veshjet, këngët dhe vallet tradicionale të artistëve të vegjël. Shkolla pati dhe ka talentë! Fotot në anën e majtë të koridorit e vërtetojnë katërcipërisht këtë.
Kjo qe dhe një motiv më shumë për këtë shkrim modest dhe obligues për mua. “Vocërrakët” na bënin krenar, aty fillonte e ardhmja, këtu ngjizej dhe trashëgohej kultura. Ky qe modeli! Ta ndjekim e forcojmë më shumë atë…
● Për mësimin e nxënësve me disa vegla muzikore si çifteli, fizarmonikë etj.
● Për ushtrimin prej tij dhe trasmetimit në breza të elementëve të lojrave të volejbollit, futbollit etj.
Për këto dhe të tjera , Zeqo do mbahet mend gjatë dhe do përkujtohet nga gjeneratat e ardhëshme. Duke kujtuar vitet e shkollës me Duke kujtuar vitet me mësues Zeqirin, ish nxënësi Kujtim Balliu shprehet: ” Ishin vitet e para të shkollës së mesme ku unë vija nga shkolla Mëneri i Sipërm. Nuk njihja asnjeri në qendër. Kisha edukim fizik dhe prisja mësuesin që të na jepte një top dhe të luanim gjithë orën. Kisha qenë i gabuar shumë. Vjen mësuesi Zeqiri, me regjistër në dorë, bën apelin, na njeh me temën mësimore dhe etapat ku do kalonte ora mësimit. E gjithë ora mësimore, dhe të tjerat më pas, kaluan sikur të ishin matematikë, fizikë, kimi, histori etj.
Kaq serioz, kërkues dhe i mirë qe mësuesi. Mësues Zeqo qe kërkues, metodist shumë i mirë, human, mjaft komunikues. Heshtja e tij fliste shumë…”. Po i tillë qe Zeqo! Ai kishte autoritet të pa diskutueshëm, në “kabinetin” e tij në fushë, gjatë orës së mësimit me nxënësit! E ky autoritet nuk vinte nga frika, por vinte nga puna plot pasion, përgatitja, sjellja model me nxënësit dhe mbështetja te cilësitë pozitive të tyre. Nuk është lënda që të jep autotitetin, atë ta jep dija dhe transmetimi i saj, puna, sjellja dhe komunikimi me të tjerët… Në orën e Zeqos nxënësi motivohej, ai ishte objekt dhe subjekt i orës së mësimit…
Zeqiri qedhe besimtar, adhurues dhe praktikues i denjë i fesë islame.
Në aspektin familjar, u martua me bashkëshorten e tij, Hasime Hoxha. Kjo qe një grua fisnike, e cila e ka ndihmuar dhe lehtësuar në punët e familjes, të shoqin, Zeqorin. Ata kanë pasur një jetë bashkëshortore mjaft të mirë, dhe kanë dy djem të arsimuar dhe sistemuar.
Ikja e parakohshme e Zeqirit, është një humbje e madhe për familjen, farefisin, miqtë dhe të afërmit e tij. Eshtë një humbje e madhe dhe për koleget dhe kolegët e tij të punës. Neve si kolektiv do na mungojë shumë shoku, kolegu shembullor, do na mungojë mendimi dhe këshilla e tij e matur, do na mungojë fjala e tij e ngtohtë dhe me shumë peshë. Nxënësve do t’ju mungojë shumë, mësuesi shembullor, specialisti i përkushtuar i sporteve, do t’ju mungojë njeriu model që i donte shumë ata, dhe udhëhiqte me shembullin e tij!
IBRAHIM KABILI
Tiranë më 30.01.2021