Dhëmbi i parë

0
919
Dh - ilustrim nga Dea Halimi

Ilustrimi nga Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën Dh

Dea Halimi
Dea Halimi

Pastroja dhëmbët me kujdes të veçantë. I fërkoja një nga një me brushën me fije të bardha e të kuqe. Gojën e kisha plot shkumë të pastës, ndërsa përveç vetes në pasqyrë papritur e vëreja dhe fytyrën e babait. Provova t`i buzëqeshja e t`ia tregoja mbajtësen e brushës me dinozaur, të cilën e pëlqeja shumë.
– Babi, ja, shiko… – fola dhe spërkata pasqyrën me shkumë të pastës, pastaj mora t`i prekja dhëmbët një nga një me gishtin tregues.
– Çfarë bën ashtu, largoji gishtat nga goja,- më tha babai.
– Dua të shoh, a më lëkundet ndonjë dhëmbë, – ia bëra.
– Të gjitha vijnë me kohë. Pra, dhe lëkundja e rënia e dhëmbit! Nuk është diçka e papritur.
– Unë brengosem pse mua nuk më ka rënë asnjë dhëmb deri më tash?
– Brengosesh, – më pa me habi babai.
– Dua të më bie dhëmbi i parë… siç i ka ngjarë secilës shoqe e shok të klasës sime dhe – ashtu, të vijë Zana e dhëmbëve e të më sjellë dhurata.
– Diçka të tillë dëgjoj për herë të parë, – më preku në sup babai.
– Ndodh ajo gjë gjithnjë. Shoqes sime, Dhuratës, pasi i ka rënë dhëmbi i parë, ajo e ka mbështjell atë me letër dhe e ka futur nën jastëk e ka rënë të bëj gjumë. Gjatë kohës nga ajo bënte gjumë, në dhomë i është shfaqur Zana e dhëmbit të parë e ia ka sjellë një dhuratë të vogël.
-Beson ti Dea në një mrekulli të tillë, – qeshi babai.
-Po. Besoj. Ajo do të vijë sapo të më bjerë dhe mua dhëmbi i parë.
-Do të vijë, sigurisht zemër, do të vijë… të ta sjellë një dhuratë shumë të bukur.
Unë shpërlava gojën e ika në dhomën e ndejës. Hapa Abetaren e u ndala te shkronja Dh.
– Dhëmbi, – thash me vete, – do të më bjerë dhe mua e natyrisht Zana e mirë e dhëmbëve nuk do të më harrojë të më vizitojë!