Devocioni i “Tri të Falemi Mari”

0
1892
Zoja e Medjugorjes

Zoja e Medjugorjes

Lutje drejtuar Virgjërës së Shenjtë

Kujtohu, o tejet e buta Virgjëra Mari, se nuk është dëgjuar kurrë në botë që ndokush, pasi t’i jetë drejtuar mbrojtjes sate, pasi të ketë thirrur ndihmën tënde, pasi të ketë kërkuar mbrojtjen tënde, të jetë braktisur prej teje!

I gjallëruar nga një besim i tillë, tek ti vij me lotë në sy; fajtor me një mijë mëkate përulem në këmbët e tua që të kërkoj mëshirë.
Të lutem, o Nënë e Jezusit, mos i përçmo përgjërimet e mia, por me mirësi dëgjoji dhe plotësoji! Amen!

Devocioni i “Tri të Falemi Mari”

Jezusi tha: “Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb jetën?”. (Mt. 16, 26). Çështja më e rëndësishme, prandaj, në këtë jetë, është shpëtimi i amshuar. A doni të shpëtoheni? Jini të devotshëm të Virgjërës Tejet të Shenjtë, Ndërmjetësuesja e të gjitha Hireve, duke lutur çdo ditë Tri të Falemi Mari!

Shenjtja Matilde Hackeborn, murgeshë benediktine, që ka vdekur në vitin 1298, duke menduar me drojë për çastin e vdekjes së saj, i lutej Zojës që ta ndihmonte në atë moment të skajshëm. Tejet ngushëlluese qe përgjigjja e Nënës së Hyjit: “Po, do të bëj atë që ti më kërkon, bija ime, porse të kërkoj që të lusësh çdo ditë Tri të Falemi Mari: të parën për të falënderuar Atin e Amshuar, që më ka bërë të Gjithëpushtetshme në Qiell e në tokë; të dytën për të nderuar Birin e Hyjit që më ka dhënë një dije dhe urti të tillë saqë ua kalon dijes dhe urtisë së të gjithë Shenjtërve dhe Engjëjve, e që më ka mbështjellë me kaq shkëlqim saqë ndriçoj gjithë Parajsën si një diell që shkëlqen; të tretën për të nderuar Shpirtin Shenjt për faktin se ka ndezur në Zemrën time flakët më të zjarrta të Dashurisë së tij dhe që më ka bërë kështu të mirë e të dashur, saqë të jem, pas Hyjit, më e ëmbla dhe më e mëshirshmja”.

Trinia e Rublevit

Premtimet

Dhe ja, premtimi i veçantë i Zojës, që vlen për të gjithë: “Në çastin e vdekjes, Unë: 1) do të jem e pranishme duke të të ngushëlluar dhe duke larguar prej teje çdo forcë djallëzore; 2) do të zbraz në ty dritë Besimi dhe njohjeje, gjersa Besimi yt të mos tundohet nga padija; 3) do të të ndihmoj në çastin e kalimit tënd duke ngjallur në shpirtin tënd ëmbëlsinë e Dashurisë Hyjnore gjersa të mbizotërojë në ty deri në atë pike saqë të shndërrojë çdo dhimbje dhe hidhërim të vdekjes në butësi të madhe”.

Shumë Shenjtër, ndër të cilët Shën Alfons Maria dè Liguori, Shën Gjon Bosko, Shën Pio nga Pietrelçina, qenë propagandues të devocionit të Tri të Falemi Mari˗ve. Apostullimi i Tri të Falemi Mari˗ve është aprovuar dhe inkurajuar nga Papët. Ndonjëri do të mund të kundërshtonte duke thënë se bëhet fjalë për një shpërpjesëtim për të marrë shpëtimin e amshuar me lutjen e thjeshtë të përditshme të Tri të Falemi Mari˗ve. E pra, në Kongresin Marian të Einsiedeln në Zvicër, Atë G. Battista de Blois, përgjigjej kështu: “Nëse ky mjet ju duket në shpërpjesëtim me atë që dëshiron të arrijë (shpëtimin e amshuar), nuk ju mbetet tjetër veçse të ankoheni tek Virgjëra e Shenjtë që e ka pasuruar me premtimin e saj të veçantë; ose, akoma më mirë, duhet të kapeni me vetë Hyjin që Asaj i ka dhënë një fuqi të tillë.

Nga ana tjetër, a nuk është në stilin e Zotit që të veprojë mrekullitë më të mëdha me disa mjete që duken më të thjeshtat dhe më të shpërpjesëtuarat? Hyji është Pronar absolut i dhuratave të Tij. Dhe Virgjëra Tejet e Shenjtë, në fuqinë e saj të ndërmjetësimit, përgjigjet me një bujari që nuk përputhet me këtë homazh të vogël, por që përputhet me Dashurinë e saj prej Nëne tejet të butë”. Për këtë, i Nderueshmi Shërbëtori i Hyjit Maria Baudoin, shkroi: “Lutni çdo ditë Tri të Falemi Mari˗të! Nëse jeni besnikë që të paguani këtë detyrim homazhi ndaj Marisë, unë ju premtoj Parajsën”.

LUTJA
Lute me përshpirtshmëri çdo ditë kështu, në mëngjes e në mbrëmje:

O Mari, Nëna e Jezusit dhe Nëna ime! Më mbro nga kurthet e të keqit në këtë jetë e në mënyrë të veçantë në çastin e vdekjes, për Fuqinë që Ati i Amshuar të ka dhënë
Të Falemi Mari…,

për Urtinë që Biri Hyjnor të ka dhënë
Të Falemi Mari…,

për Dashurinë që Shpirti Shenjt të ka dhënë
Të Falemi Mari…

Përhapeni këtë devocion, sepse “kush shpëton një shpirt, ka siguruar shpëtimin e vet”. (Shën Agustini).

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri