Detyra e brezit tonë

0
469
Romana Vlahutin

Nga Romana Vlahutin* – TemA

Vizita e nesërme e Presidentit Juncker në Shqipëri, vetëm dy javë pas shpalljes së Strategjisë së Komisionit për Ballkanin Perëndimor, është dëshmi e qartë e angazhimit të fortë të Bashkimit Evropian në rajon. Po aq e qartë është se populli shqiptar ka bërë një zgjedhje për ta lidhur vendin me standardet e BE-së dhe për ta sjellë atë si një anëtar të plotë në Bashkimin Evropian. Ne jemi dëshmitarë të të njëjtit vullnet të fuqishëm si 27 vjet më parë, kur studentët marshuan për liri nën parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Strategjia e Ballkanit Perëndimor jep një perspektivë të qartë dhe konkrete për integrimin në BE për secilin nga partnerët, progresi i të cilëve do të varet rreptësisht nga aftësia e tyre për të dhënë rezultate. Dhe ne duhet të jemi të qartë: nuk ka rrugë të shkurtra apo anashkalim të reformave thelbësore. Ende ka shumë punë për të bërë, vendime të vështira për t’u marrë.

Në këtë drejtim, zbatimi i reformave në fushën e shtetit ligjor, të drejtave themelore dhe qeverisjes së mirë, mbetet qëllimi më i rëndësishëm për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka bërë ndërkaq përparim të konsiderueshëm në një numër reformash dhe veçanërisht në reformën në drejtësi, por shpresa dhe besimi te qëndrueshmëria e ndryshimit duhen forcuar përmes zbatimit të përditshëm dhe të prekshëm.

Qytetarët janë në qendër të këtij projekti transformimi dhe Bashkimi Evropian ka ofruar gjashtë nisma kryesore për ta mbështetur atë, që nga dyfishimi i përpjekjeve në shtetin ligjor dhe angazhimi në sigurinë dhe migracionin, deri te rritja e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik, ndërlidhja, agjenda digjitale dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Lista e detyrave është e gjatë, por thelbi i saj është i thjeshtë: ambicia për ta bërë cilësinë e jetës së njerëzve në Shqipëri dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor më të mirë, ditë pas dite.

Qytetarët e Shqipërisë kërkojnë të respektohen, të mbrohen dhe t’u jepet një shans i barabartë për të përdorur talentet dhe njohuritë e tyre. Zyrtarët e zgjedhur duhet t’i shohin këto kërkesa si formën më të fortë të shqyrtimit dhe monitorimit.

Kjo duhet plotësuar me angazhimin konstruktiv në procesin demokratik midis shumicës dhe opozitës në një front të vetëm dhe të bashkuar në përparësinë që i është dhënë integrimit në BE. Siç tha Presidenti Juncker në shpalljen e Strategjisë: “Me vullnet të fortë politik, me reforma reale dhe të qëndrueshme dhe me zgjidhje përfundimtare të mosmarrëveshjeve me fqinjët, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ecin përpara në rrugët e tyre përkatëse evropiane. Nëse do ta arrijnë dot këtë, kjo do të varet nga meritat e tyre objektive”.

Ne jemi të gjithë evropianë, ne ndajmë identitetin evropian, vlerat, historinë, kulturën. Sidoqoftë, ende na duhet ta sjellim Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian, jo në një të ardhme të largët, por në epokën tonë dhe në bazë të një pune serioze, konkrete dhe të përkushtuar. Ia kemi borxh prindërve tanë. Ia kemi borxh fëmijëve tanë. Por mbi të gjitha, ia kemi borxh vetes sonë, atyre që jemi dhe si duam të na kujtojnë – si brezi që përfundoi detyrën monumentale për ta bërë Evropën të plotë, të lirë dhe në paqe.

* Ambasadore, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri