Destandardizimi i gjuhës shqipe – proces gjuhësor apo politik?

0
594
Elvana me tana

Luljeta Aliu

Artikulli “Festival në pyll norvegjez”, i shkruar me shumë finesë dhe stil nga Edon Qesari më intrigoi t’i kthehesha pak gjuhësisë, duke më inspiruar për reflektim rreth tematikës që elaboron. Gjithsesi, janë disa elemente të caktuara që më kanë tërhequr vëmendjen më shumë dhe për të cilat do të shkruaj në vazhdim.

Përqasja që Edoni i bën debatit të zhvilluar në Shqipëri rreth këngës dhe/apo tekstit të Elvana Gjatës përfshin disa tema të ndryshme të ndërlidhura mes vete përmes tri dialektikave. Si dialektikë të parë do ta veçoja dialektikën gjuhë standarde – dialekt. Dialektika e dytë, por që në esencë ka natyrë artificiale është ajo e krijuar mes identitetit kombëtar shqiptar dhe atij kosovar. Dhe dialektika e tretë është ajo e vlerave artistike të muzikës moderne. Duke qenë se nuk jam artiste, do të merrem vetëm me dy pjeset e para.

Nëse e kuptojmë gjuhën si një sistem, atëherë dialektet janë pjesë e sistemit të gjuhës. Si pjesë ato mund të përshkruhen kur i vëmë në krahasim me një gjuhë të ngjashme, e cila flitet nga një grup i madh njerëzish, të cilët eventualisht edhe e kanë caktuar një standardizim të gjuhës. Ndërsa kur i analizojmë sipas fonemikës, morfologjisë dhe sintaksës, tri komponentet e gramatikës së një gjuhe, atëherë secili dialekt është gjuhë dhe sistem në vete, pra mund të ekzistojë si sistem gjuhësor edhe pa caktimin e gjuhës standarde.

Edhe në gjuhën shqipe, dialekti i gegërishtes fillimisht mund të kuptohet si gjuhë e mëvetme, meqë i posedon të gjitha elementet e të qenit e tillë, por edhe si pjesë e sistemit të gjuhës standarde shqipe, varësisht prej cilit këndvështrim shikohet. Në rajonet ku flitet dialekti, zakonisht verëhen devijimet në të folurit nga standardi, siç është rasti edhe në pjesët veriore të Shqipërisë. Rreth korpusit të përzgjedhur të rregullave sintaksore dhe vokabularit gjatë caktimit të standardit të shqipes ka pasur prej një kohe të gjatë përplasje, të cilat nuk janë fokusuar vetëm në mbizotërimin e një të folure rajonale toskërishte, por që kishin edhe elemente tjera relevante linguistike për bazë, siç është, ndër tjerash, edhe lënia anash e paskajores (infinitivit) „me“ të ndërlidhur në participin (pjesoren „shku“, „la“, „dërgu“ etj.), e cila si trajtë kishte ngjashmëri më të madhe me përdorimin e infinitivit në gjuhët tjera indoevropiane dhe mbi të gjitha kishte përdorim të shtrirë në një pjesë relativisht të madhe të viseve ku flitet shqipja. Ndërsa forma e zgjedhur për standardin nga toskërishtja e ka caktuar përdorimin e parafjalës „për“ në kombimini me emrin foljor asnjanës të pashquar, psh. „për të shkuar“, „për të larë“ etj.

Qendra dhe periferia e gjuhëve pluricentrike nuk janë të ndërlidhura patjetër gjeografikisht apo të kenë kufinj të caktuar nacionalë. Nëse bëhet krahasimi standard-gegërisht, duhet të kihet parasysh se edhe brenda Shqipërisë vërehen dallime signifikante mes veriut dhe jugut. Së këndejmi kemi pasur një rritje të mobilitetit dhe koncentrim të gjeneratave të reja nga periferia në qytetet e mëdha, duke ndikuar prapë në proceset e destandardizimit. Në përqasjen e tij, Edoni shkruan se për dallim „nga Kosova, ku standardi has probleme me të tanishmen e gjuhës së folur, në Shqipëri ai vazhdon të jetë pjesë e vorbullës më të gjërë të përplasjeve […] në lidhje me mënyrën si u vendos dhe sidomos të raportit asimetrik që standardi diktoi mes dy dialekteve kryesore të vendit“, duke prejudikuar se vetëm në Kosovë ekziston vështirësia e harmonizimit të gjuhës standarde me të folurit. Në të vërtetë, kjo vështirësi vlen për të gjithë pjesën ku banorët nuk e kanë pasur bazë origjinale të folurit e toskërishtes.

Hierarkia gjuhësore është një vendim politik, i cili mirret në një hapësirë kohore të caktuar nga një grup i veçuar individësh, të cilët përfaqësojnë pak a shumë grupimet e ndryshme më të vogla me ngjasim relativ mes veti përbrenda një grupi më të madh, i cili dallon nga grupet e tjera të mëdha përreth tij. Nëse si shembull e marrim gjuhën shqipe, atëherë gjuha shqipe përbëhet nga të folurit e disa grupimeve me ngjasim më të madh mes vete sesa që shqipja ka me maqedonishten apo bullgarishten.

Gjuha standarde, për të gjithë popujt është një kompromis. Si i tillë, pasqyron natyrisht edhe emëruesin e përbashkët mes dialekteve të ndryshme, të cilat asnjëherë nuk përfshihen në mënyrë të barabartë në gjuhën standarde. Meqë është vendim politik i një grupi mbizotërues në momentin e caktuar, ai grup rrallëherë merr parasysh kritere, të cilat, parë nga një perspektivë gjuhësore, do të ishin më të dëshiruara, siç janë pasuria morfologjike, fleksibiliteti i sintaksës apo edhe varieteti fonemik. Vendimi, se cilat elemente të cilit dialekt të atij grupi gjuhësh do të formojnë bazën për standardin gjuhësor, është një akt i cili duhet të ndodhë patjetër tek secili popull gjatë procesit apo përpjekjes për të caktuar gjuhën standarde.

Gjuha standarde caktohet zakonisht pasi të jetë krijuar shteti. Krijimi i standardit bëhet për dy arsye, nga njëra anë për arsye funksionale dhe nga ana tjetër për arsye ideologjike. Arsyet funksionale kanë të bëjnë më lehtësimin dhe kursimin gjatë organizimit të arsimimit të brezave. Aspekti ideologjik ka të bëjë me krijimin dhe promovimin e një identiteti të përbashkët. Varësisht se sa është i madh interesi për një të ardhme të përbashkët, aq më intenzive do të jetë përpjekja për integrim sa më gjithëpërfshirës të elementeve të dialekteve të ndryshme, sepse gjuha e folur e përbashkët krijon një lidhje të fortë mes njerëzve. Në anën tjetër duhet ditur se gjuha standarde mund të imponohet vetëm deri në njëfarë mase të caktuar, varësisht se sa ka ngjashmëri apo afërsi me dialektin e caktuar. Por nëse gjuha standare dhe një dialekt kanë dallime të mëdha, atëherë ekziston rreziku se dikur do të ketë një largim më të thellë të atyre rajoneve, të folurit e të cilave nuk është përfshirë mjaftueshëm.

Caktimi i një standardi gjuhësor nuk duhet të jetë i pandryshueshëm, meqë secila gjuhë është vazhdimisht në evoluim e sipër. Gjuhët standarde të vendeve tjera kalojnë nëpër reforma të ndryshme si në drejtshkrim, poashtu edhe në pasurim me elemente tjera. Meqë kam studiuar ndër të tjera edhe Gjermanistikën në Cyrih, këtë më së miri e di nga gjuha gjermane. Gjermanishtja gjuhë standarde e ka “Hochdeutsch”, me të cilën kanë ngjashmëri më të madhe dialektet e Gjermanisë. Gjermanishtja flitet në Gjermani, Austri dhe në Zvicër. Në të tri vendet gjuha standarde e njejtë përdoret në shkollë dhe në administratë shtetërorë, me të vetmet dallime në shkrim të disa konzonanteve, ndonëse dallimi i dialektit të Zvicrës me dialektet e Gjermanisë apo edhe me gjuhën standarde gjermane është përafërsisht sikurse dallimi mes shqipes së njësuar dhe gegërishtes.

Në kuptim të kësaj çfarë diskutuam më lart, homogjeniteti i propaguar i një gjuhe standarde ka qenë dhe është një iluzion, i cili del në pah si i tillë veçanërisht tani, meqë në kohërat e globalizmit, tendenca për të ruajtuar identitetin, i shndërron gjuhët dhe kulturat rajonale, sociolektet, dialektet në referenca të mirëseardhura identiteti. Sikurse edhe në anglisht, spanjisht dhe gjuhë të tjera, edhe në gjuhën shqipe verëhen proceset e të ashtuquajturit destandardizim. Brenda këtyre zhvillimeve duhet të shihen dhe vlerësohen edhe tendencat për destandardizim të gjuhës shqipe si në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri, e që nuk duhet të ketë motive politike të ndërlidhura me një identitet, i cili do ta konceptonte veten si në rivalitet me identitetin shqiptar. Identiteti kosovar dhe të folurit ndryshe nga standardi ka ekzistuar edhe para se Kosova të bëhej shtet. Mbi të gjitha, identiteti nuk është koncept i ngurtë dhe i normuar gjerësisht dhe secili identitet përbëhet nga sub-identitete të ndryshme. Kësisoji edhe identiteti kosovar nuk e përjashton të definuarit e kosovarëve edhe si shqiptarë.