DËSHMORI SELIM BERISHA NA E TREGOI RRUGËN E LIRISË, E QËLLIMI DERI TE AJO U ARRIT VETËM ME SAKRIFICËN SUBLIME

0
1257

Milazim F. Kadriu

Me rastin e 20 vjetorit të rënies së dëshmorit Selim Berisha, u mor iniciativa që të botohet një libër me poezi përkushtuese nga autor të ndryshëm. Kështu shumë autor nga trojet shqiptare dhe diaspora shprehën dëshirën dhe shkruan poezitë e tyre kushtuar dëshmorit Selim Berisha nga Drenoci i Prishtinës. Poetët arritën që secili në mënyrën e vetë të paraqesin artistikisht portretin, qëndresën dhe rënien heroike të profesorit dëshmor Selim Berisha.

Njëri prej atyre që flijuan jetën në themelet e lirisë së Kosovës, duke luftuar e rezistuar sipas shembullit të heroizmit të figurave, epike, Oso Kuka, Ahmet Delia, Demë Ahmeti, Tahir Meha e të tjerë, është edhe dëshmori Selim Berisha.

Poezitë e këtij vëllimi poetik u shkruan nga poetë të ndryshëm për një luftëtar të shquar të lirisë, kundër armikut serb, i cili me heroizmin e vet pati merita të mëdha, për t’ia vënë atdheut kurorën e lirisë. Kjo qasje e tyre është një nderim por edhe obligim që ne duhet të kemi ndaj figurave të mëdha historike, siç janë dëshmorët e rënë për liri. Andaj duke pasur parasysh këtë, lindi iniciativa që në këtë 20 – vjetor të rënies së dëshmorit Selim Berisha të kontaktohen poetë që kanë shkruar poezi për të dhe të përmblidhen e të bëhet një botim me këto poezi.

Po nisemi nga ballina e librit ku përpos figurës së dëshmorit dominon pamja e betonit që simbolizon rezistencën e dëshmorit dhe themelet e lirisë. Ndërsa dera e bardhë dhe në sfond kopshti me një qiell të ndritur, simbolizon një të ardhme të ndritur që na e sollën dëshmorët e rënë në luftën e lavdishme të UÇK-së.

Ndërsa libri u titullua “ Një krismë pushke për liri ” që është një dëshmi se në fshatrat Drenoc, Barilevë, Breznicë e Prugoc në atë kohë u dëgjuan krismat vetëm nga një pushkë e që ato ishin krisma të forta të pushkës së dëshmorit Selim Berisha që ra heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë.

Fillimisht, këtij vëllimi i paraprin një cikël prej katër poezish të vetë dëshmorit që i ka lënë në dorëshkrim dhe janë gjetur pas luftës. Në poezinë “Nuk do të vdes” të shkruar më 24 shkurt 1999, ndër tjera shprehet :

Nuk do të vdes
Me jastëk nën kokë
Nëse unë do të vdes
Do të vdes me pushkë në dorë

Ndërkaq më pas prezantohen poetët nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora, ku në këtë vëllim poetik janë përfshirë 99 poezi, që ky numër simbolikisht shënon vitin e rënies së dëshmorit.

Muaji Mars bashkë me stinën më të bukur të jetës, na sjell kujtimin e amshueshëm për dëshmorët e kombit. Dhe sot ne i kujtojmë ata, shohim se sa të vegjël jemi ne para veprës së tyre flijimtare.

Sot kur e kujtojmë këtë dëshmor, kujtojmë ato gjurmë që na i la si dëshmi, që janë gjurmë të historisë që na e sjellin kujtesën për mos harresë të veprës së përjetshme të dëshmorit Selim Berisha dhe gjithë dëshmorëve tjerë të rënë për lirinë që ne sot e gëzojmë.

Poezitë e prezantuara në këtë libër janë shkruar me përkushtim të madh nga poetë të dëshmuar dhe poetë me perspektivë nga e gjithë gjeografia e atdheut dhe diaspora. Këto poezi të mrekullueshme iu kushtuan dëshmorit të kombit Selim Berisha, me rastin e 20 vjetorit të rënies së tij heroike.

Dëshmori na e tregoi rrugën e lirisë, e qëllimi deri te ajo u arrit vetëm me sakrificën sublime. Çdo hap tregonte një betejë kurse tërë rrugëtimi përshkruante epopenë. Figura e Selim Berishës bëhet me kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe e dhembjes së thellë kombëtare, pra ndjenja e krenarisë kombëtare shpirti liridashës i shqiptarëve dhe i Selimit, qëndresa dhe rezistenca e pathyeshme, karshi dhunës së ushtruar nga pushtuesi, janë elemente dominuese në frymën poetike të këtij libri përkushtues për Selim Berishën.

Çdo dëshmor simbolizon feniksin e lirisë, që rilind e do të rilind nga hiri i tij i shenjtë, në çdo kohë e në çdo cep të Shqipërisë Etnike. Dëshmorët e të gjitha periudhave kohore, jo vetëm të luftës së fundit, janë dëshmia, krenaria dhe vula historike e lirisë së Kosovës që krijuesit i frymëzon për vepra letrare e historike.

Të jetosh dhe të ndjesh sakrificat sublime të dëshmorëve dhe të heronjve është pjesë e një vetëdije të rrallë njerëzore, pjesë e një shpirti të madh që mbetet pjesë e misionit të tyre të shenjët.

Të shkruash për dëshmorët në fakt nuk do të thotë asgjë tjetër,veçse të përkulesh para veprës së tyre monumentale që është bërë për ne dhe kështu do të jetë edhe për brezat e ardhshëm shqiptarë.

Shpresojmë se edhe ky libër do të renditet në mesin e atyre librave të tjerë kushtuar dëshmorëve, atyre që nuk kursyen asgjë nga vetja për çlirimin e vendit. Poezitë e këtij libri kanë vlerën më të madhe, sepse kanë burimin nga zemra.

Librat e tillë e mundin harresën për të kaluarën, e sidomos për luftën e lavdishme të UÇK-së.

Në këtë libër përkushtues me poezitë e tyre janë përfshirë këta autorë : Abdullah Troshupa, Adem Nimani, Agim Desku, Ahmet Pllana, Albana Vokrri Kola, Albert Hitollari, Ali Prebreza, Arbenisa A. Thaçi, Argjend Hasani-Llashtica, Bahrije Qerimi Spanca, Bajram Bashota, Bedri Halimi, Bedri Shabani, Dava Gjoka Lleshaj, Dibran Fylli, Dilaver Goxhaj ( Shpëtim Golemi ), Drita Kosumi-Syla, Driton Berisha, Eleni Mingu Birçaj, Elhame Gjyrevci, Eshref Berisha, Fadil H. Curri, Fatmir Çitaku, Fejzë Demiri, Flutura Maçi, Gëzim Ajgeraj, Habib N. Zogaj, Hajdin Krasniqi, Hajrush Redenica, Halil Preniqi, Hamdi Hysuka, Hamit Majkovci, Idriz Berisha –Xhixhi, Irena Bida, Izet Shala, Izri Rexha, Jahë Fida, Kimete Osmani Beqiri, Kujtim Hajdari, Lola Shehi, Lulëzim Etemaj, Luljeta Thaçi-Osmani, Lulzim Breznica, Lulzim Hajdari,Lumturie S. Drenica, Martin Çuni, Maxhun Osmanaj, Mentor Thaqi, Milazim Bajraj, Milazim Berisha, Milazim F. Kadriu, Mimoza Çobo, Mimoza Eliona Osmani, Mimoza Leskaj, Minire Rukovci-Hyseni, Mirishahe Elshani, Mirka Killo, Murat V. Gashi, Musa I.Ahmetaj, Musa Jupolli, Mustafë Ismaili, Naim Ymeri, Naxhije Doçi, Nehat Jahiu, Nehat Ramizi, Nexhat Rexha, Përparim Dida, Qazim Berisha, Rabie Bytyqi, Rajmonda Maleçka, Rexhep Abazi, Rexhep Halimi, Rexhep Pnishi, Rudi Berisha, Rrahim M. Sadiku, Sabit Gashi, Safet Hasani, Sahit Shala, Salih Salihu, Sami Sherifi, Sefedin Xhafolli, Seli Murati, Selvete Abdullahu, Skender R. Hoxha, Sofia Gjinika, Shaban Emini, Shaban Pllana, Sheremet Prokshi, Sherife Berisha Thaçi, Shqipe Hasani, Trendafile Molla Baja, Tyran Prizren Spahiu, Xhavit Gasa, Xhemajl Rudi, Xhemile Aliu, Xhevdet Maloku, Zymer Mehani, Zyra Ahmetaj, Zyrafete Kryeziu – Manaj