Dosja: Krimet e komunizmit dhe shqiptarët
Nail Draga
Dr. Muhamet Pirraku, “KALVARI I SHQIPTARËSISË SË KOSOVËS-TIVARI 1945”, Botoi: Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1994
Pas dështimit të komunizmit dhe zhbllokimit të censurës, shqiptarët në ish-Jugosllavi filluan për të parën herë të shkruajnë lirshëm atë që kanë dëgjuar e përjetuar në të kaluarën e tyre historike. Në këtë gamë të ngjarjeve s’ka dilemë së vend të rëndësishëm zë tragjedia e Tivarit e vitit 1945.
Deri më tash për këtë ngjarje shumë tragjike e një ndër më tragjiket në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët edhe pse kanë ditur çdo gjë, ata vetëm se e kanë folur e përfolur pa pasur mundësi që opinionit t’i ofrojnë ndonjë studim, sepse trajtimi i temave të tilla kishte pasoja nga ana e pushtetit.
I vetëdijshëm se kryen një obligim profesional, kohë më parë dr.M. Pirraku iu prezantua opinionit me librin “Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës-Tivari 1945”. Në lidhje me këtë ngjarje autori ofron të dhëna të dokumentuara nga provenienca ushtarake jugosllave, që në këtë studim analizohen dhe interpretohen duke dhënë përfundime të logjikshme, se një masakër e tillë nuk ka qenë e rastit por e përgatitur më parë, por për realizimin e saj pritej momenti.
Deri më tash për këtë masakër qarqet e caktuara shkencore e pseudoshkencore serbe vazhdimisht janë munduar që ta heshtnin, apo ta minimizonin duke e cilësuar atë si incident. Me të drejt cek autori se ngjarja tragjike e Tivarit(1.4.1945) ia kalon “Natës së Bartolomeut”, sepse vrasësit e shqiptarëve, tek shqiptarët përveç kundërshtarët ideologjikë shihnin edhe kundërshtarët kombëtarë dhe fetarë. Ishet ky një demaskim i politikës së “LNÇ” e cila në përfundim të saj tregoi fytyrën e vërtetë, më ç’rast kjo masakër është më mizorja në Ballkan gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Autori pa pasur pretendime që të jetë i njëanshëm, bën krahasimin e raportëve të eprorëve ushtarakë për të dhënat numërike të eshalonëve, prej nisjes së tyre nga Kosova dhe rrugën e tyre deri në Tivar. Pas ngjarjeve të Drenicës, në Kosovë fillon mobilizimi i popullatës shqiptare, për t’i dërguar gjoja për të ndjekur armikun dhe për të çliruar vendin. Qëllimi ishte përfid, sepse mendohej që të pastrohej Kosova nga elemntet nacionaliste në mënyrë që më lehtë të vendosej pushteti ushtarak serbosllav. Andaj në këtë mobilizim i cili nuk ishte i vullnetshëm por i dhunshëm, nga 24 deri më 27 mars 1945 në tre eshalone janë mobilizuar dhe deportuar jashtë Koosvës 7.700 shqiptarë. Gjatë udhëtimit të tyre nga marshruta Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar, ata janë përcjellë nga oficerët serbë, duke i maltretuar vazhdimisht, ndërsa ka pasur raste që i kanë vrarë nëse kanë dalë jashtë kolonës.
Të mobilizuarit ishin të pa armatosur, fyheshin në baza nacionale, e në një gjendje të tillë pak kush ka pasur mundësi të dijë së a janë robër apo të mobilizuar për të ndjekur armikun. Por, nëse analizohet veprimi i ushtrisë jugosllave në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, ku çdo gjë ishte në harmoni me elaboratin e V.Çubriloviqit për spastrimin etnik të Kosovës nga elementi shqiptar, si dhe duke marrë parasysh qëndrimin sekret të njësive partizane, del së asgjë nuk ishte e rastit por e planifikuar mirë.
Në masakrën e Tivarit, e cila ndodhi në monopolin e duhanit në Tivarin e Ri, llogaritet se nga ushtarët e brigadës së dhjetë malazeze janë vrarë 1560 shqiptarë, e dhënë kjo relative, sepse ka të dhëna që kjo shifër mund të jetë deri në 3764 persona. Ky është rast i pa precedent që oficerët të vrasin ushtarët e tyre pa pasur asnjë shkas. Por, ata ishin të gjithë shqiptarë dhe duke ditur diskursin patologjik antishqiptar të serbëve e malazezëve ishte ky një moment i përshtashëm për një veprim gjenocidi.
Kësaj masakre me karakter gjenocidi ndaj shqiptarëve me qellim iu vu pika për të mos krijuar dëshmi akuzuese për gjenocidin serbo-malazez ndaj shqiptarëve, ku rasti i Tivarit ishte i vetmi, me ç’rast kjo ngjarje ishte bërë si tabu temë nga pushteti monist për pesë dekada.
Andaj ndriçimin e kësaj ngjarjeje nga M.Pirraku e konsiderojmë një kontribut me vlerë për historinë e kohës më të re, ku edhe shqiptarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm, por fatkeqësisht janë mashtruar nga sllavokomunistët ku pasojat janë të pranishme deri në ditët tona.
(Botohet më rastin e 75-vjetorit të masakrës së Tivarit)