Milazim F. KADRIU
“Brenda kritikës” të Merita Bajraktari – Januzi, botoi SHB ProkultPress, Prishtinë, 2016
Kritika letrare ka filluar pothuajse krahas me letërsinë duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë. Kështu me shtimin e veprave letrare kritika letrare gjallërohet gjithnjë e më shumë.
Siç e dimë janë katër elemente që e përbëjnë mbështetjen e kritikës letrare : të kuptuarit e kritikës, të kuptuarit e veprës letrare dhe të letërsisë, orientimi metodologjik , prirja dhe mundësitë e kritikëve. Andaj duke lexuar librin “Brenda kritikës” të Merita Bajraktari –Januzi vërejmë se kritika letrare e saj mbështetet në këto elemente.
Autorja në fjalë brenda një kohe relativisht të shkurtër para lexuesve vjen me librin e dytë në fushën e kritikës letrare. Ky libër i titulluar “Brenda kritikës” është i ndarë në dy kapituj. Në kapitullin e parë na vijnë dy shkrime ”Ligjërimi poetik i Ali Podrimjes” dhe ”Simbolika kulturore e Azem Shkrelit” ku autorja merret me aspektet teorike dhe kritike të veprave poetike të këtyre dy poetëve të njohur shqiptar. Autorja thotë se Ali Podrimja që ka më shumë se dhjetë vëllime me poezi konsiderohet si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqipe, ndërkaq Azem Shkreli është një nga shtyllat qendrore të letërsisë moderne shqipe dhe të elitës kulturore shqiptare në përgjithësi.
Ndërsa në kapitullin e dytë në shkrimin ”Historia e letërsisë shqiptare (1983) botuar nga ASHT, autorja në vlerësimin kritik thotë se këtu nuk është prezantuar mjaftueshëm historia e letërsisë shqipe, ka mangësi të mëdha ngase janë mbet anash autorë të mëdhenj si Fishta, Konica, ndërsa janë trajtuar shkurt Kuteli, Poradeci, ndërkohë që autorët e periudhës 1912-1939 janë trajtuar dhe vlerësuar sipas preferencave të pushtetit.
Edhe përkundër kësaj autorja përmend edhe rezultate të mira në këtë drejtim që letërsia shqipe ka ecë dhe është zhvilluar jashtë këtyre kornizave, ku edhe krahas tyre kemi edhe një varg studimesh të avancuara që nuk i kanë lënë anash autorët e anatemuar, ku përmend një varg studimesh.
Në shkrimin me titull ”Kritika letrare shqipe” flet për kritikën letrare të Sabri Hamitit, ku si thotë autorja ”Kritika letrare e Sabri Hamitit ka në fokus kërkimin dhe leximin e prodhimeve letrare, të cilave ua nxjerr në pah vlerat që kanë ngase ai bënë kritikë akademike dhe këtë e dëshmojnë tekstet e tij për studimin dhe teorinë”.
Në vazhdim të këtij libri vjen një vështrim mbi kritikën e Fatmir Halimit ”Postmoderniteti në prozën e Zejnullah Rrahmanit”. Ndër tjera Bajraktrai-Januzi thotë se për një figurë të kompletuar me përmasa të larta, siç është Zejnullah Rrahmani, prozator dhe studiues i shquar, na kanë munguar shkrimet dhe botimet meritore, prandaj ishte një guximtar si studiuesi Fatmir Halimi që i hyri punës për ta ndërtuar një tekst teoriko-letrar mbi një vepër madhore si vepra e Zejnullah Rrahmmanit.
Në dy temat e fundit të këtij studimi autorja flet për marrëdhënien religjion-letërsi shqipe dhe për reflektimet krahasimtare në letërsi.
Duke parë gjithë atë që autorja sjell në librin e sajë mund të konstatojmë se ajo dëshmon një qëndrim të drejtë e të plotë ndaj kritikës, ndaj letërsisë dhe veprës konkrete letrare. Vërehet se ka prirje, mundësi e kulturë të gjerë të përgjithshme letrare.
Duke i poseduar të gjitha këto virtyte në kritikën letrare ajo me prezencën në letërsi paralajmëron një përkushtim në kritikën letrare shqipe.
Andaj autorja shihet se ka një përvojë teorike e praktike si dhe ka dije të mirë për tu marr në mënyrë kompetente me kritikë letrare.
Në librin e prezantuar Januzi shihet se interesimi kritik i sajë është i gjerë duke filluar nga problemet e veprat e mjedisit tonë letrar deri te problemet e fenomenet e përgjithshme si teorike ashtu edhe historike-letrare.
Për mënyrën si e koncepton kritikën letrare dhe fenomenin letrar, shkrimet kritike të Merita Januzit në librin ”Brenda kritikës” bëjnë me dije për një pikëpamje të avancuar të kohës , kurse karakteri i prirjeve dhe mundësive , që shprehet aty flet për një kritikë –lexim inteligjent e serioz të teksteve letrare ku është në gjendje ta lexojë, kuptojë e interpretojë drejtë gjuhën e veprës letrare që e merr në shqyrtim.