Depresioni tek fëmijët, shkaqet dhe roli i prindërve

0
452
Fëmijë me kukull

Dr. Selami Deraj, psikopediatër

Zhvillimi i fëmijëve varet nga shumë faktorë. Dështimet në zhvillimin e moshës fëmijërore sjellin psikopatologji. Shumë prindër ankohen se fëmijët e tyre janë të shqetësuar. Disa nga ata kanë dhimbje barku të papërcaktuara, të tjerë veçohen nga ambientet shoqërore, ndërsa disa të tjerë kanë frikë të ndahen nga nënat e tyre. Disa janë qaramanë, të irrituar e bëjnë shpërthime inati.

Fatkeqësisht fëmijët nuk dinë të ankohen verbalist, por shfaqin indirekt probleme të gjumit, vonesa të rritjes e paaftësi integruese. Shumë fëmijëve u mungon sasia e cilësia e dashurisë.

Fëmijët që kanë probleme të shëndetit mendor karakterizohen në atë që kanë impulsivitet, bëjnë çrregullime të sjelljes dhe janë agresorë ndaj të tjerëve. Disa të tjerëve u mungon interesi për sendet rreth tyre dhe duken konfuz, të tërhequr e kanë forma bizare të mendimit. Ndërsa disa fëmijë janë të frenuar, të turpshëm e anksiozë. Djemtë janë zemërues e destruktiv, ndërsa vajzat tërhiqen e frenohen.

Të gjithë në ndeshemi me ndryshime të humorit në jetën e përditshme. Hidhërimi, mosaprovimi janë pjesë normale e ekzistencës njerëzore. Edhe gëzimi e ngazëllimi po ashtu.

Dëmtimi i funksioneve trupore mund të jetë edhe nga ndryshimi i humorit, si shqetësimet e gjumit, oreksit e veprimtarive të tjera. Ndryshimet e humorit mund të sjellin dëmtime në veprimtarinë e përshtatjes në familje, shkollë e shoqëri.

Tërheqja e pasiviteti i fëmijëve, mërzia dhe tendenca për izolim, refuzimi i lojërave kolektive orientojnë drejt depresionit të moshave fëmijërore.

Shenjat kryesore të depresionit tek fëmijët përqëndrohen rreth asaj që quhet Disfori (humor i rëndë, depresiv ose i rrituar).

Menjanimi shoqëror, vështirësia në shkollë, zemërimi, shpërthimet e inatit, sjellja e rrezikshme (abuzimet alkoolike, droga, aksidentet, veprimet e pamatura) janë ato që quhen shenja shoqëruese.

Dhe ato që quhen shenja vegjetative ndodhin shumë në fëmijë (të pikëlluar, të ngathët, pa kuriozitet etj).

Pa qenë të vetëdijshëm (për depresionin adoleshentët shfaqin dhimbje koke, përparim të dobët në mësime, kundërshtim për të shkuar në shkollë, hiperaktivitet, sjellje antishoqërore ose abuzim me alkoolin, drogën etj.. Ata mund të bien në peshë ose shtojnë, hanë të babëzitur ose ndërpresin bukën, flenë shumë ose kanë pagjumësi, janë burracakë ose agresivë, të mënjanuar e nënvlerësuar për veten e tyre, të shoqëruar ose izoluar. Gjatë lojës, në intervistimet e tyre, karakteret imagjinare do të jenë pa shpresë ose ndjenja vrastare e suicidal. Ata mund të tregojnë edhe se kur ju ndryshon humori. Duke manifestuar disa aspekte të sjelljes në shkollë, tregojnë jo verbalisht atë të quajtur shqetësim të depresionit (fëmijët nuk ankohen për depresionin, por manifestojnë spontanisht shenja orientuese). Ata mund të jenë impulsivë ose bëjnë sjellje agresive ndaj të tjerëve. Shpeshherë luftojnë kundër ndjenjave depresive me anën e istabiliteti, provokimeve e palaçollëqeve.

Në fëmijët e porsalindur, mangësia emocionale e zgjatur e nënës (arsye të ndryshme) e çon fëmijën drejt çrregullimeve depresive (nëna i mungon fëmijës më shumë se 3 muaj). Depresioni në foshnjat është tronditje e shkaktuar dhe e shoqëron fëmijën deri në vdekje.

Fëmijët e vegjël (shumica) reagojnë ndaj çrregullimeve depresive me regresion, p.sh, kthehen në lagien e dyshekut ( gjatë natës), thithin gishtin e madh të dorës etj.

Ndarja nga prindi i sëmurë ndikon negativisht te fëmija, vetë sëmundja e nënës e zgjatur mund të shkaktojë probleme të zhvillimit të tyre, sjellin gjendje konfuze e fantazi frikësuese ndaj saj.

Vuajtjet e zgjatura nga sëmundjet i traumatizojnë fëmijët. Ata zhvillojnë shenja fizike ose trillojnë me ndërgjegje sëmundjen si përgjigje ndaj shqetësimit emocional. Vetë dhimbjet, shtrimet në spital i prezantojnë fëmijët me sfida emocionale që duhen përballur. Emocionet mund të kanalizohen më shenja fizike si dhimbje barku, dhimbje koke etj. Çrregullimet e ankthit, të ndarjes (nga nëna) ato fobive (frika të ndryshme nga objekte ose kafshë) dhe mosmarrëveshjet familjarë bëhen shkak i çrregullimeve fizike.

Normalisht duhet dalluar depresion si shenjë (humor disforik) nga depresioni si sindromë (grup shenja + humori disforik) me manifestime shoqërore, të fushës së veprimtarisë njohëse, psikomotore e verbale.

Fëmijët duhen vlerësuar se si ato i përdorin lodrat, objektet, sa kohë shpenzojnë me ato etj.

E rëndësishme është të folurit e fëmijës si tregues i moshës mendore, veprimtaria lëvizore e tij, që po ashtu tregon stadin e zhvillimit të fëmijës.

Fëmija i depresionuar ka më pak të shprehur çrregullimin e sjelljes, ndërsa fëmija që ka sindromën, shqetësimin e ka më serioz si me sjelljen po ashtu edhe me turbullime të tjera.

Shpesh herë fëmijët e depresionuar, që shfaqin probleme të sjelljes, maskojnë depresionin.

Madje në disa adoleshentë vihet re një gjendje humori e lartë me shpërndarje të vëmendjes e hiperaktivitet. Po ashtu, të tillë fëmijë manifestojnë hiperseksualitet, veshje bizare, zemërim të shfaqur egër dhe violencë. Vetë hiperaktiviteti (sjellja hiperaktive) me mungesë të vëmendjes, pa përfunduar asnjë punë të nisur, pa u përqendruar dot në një vend, janë shenja të turbullimit depresiv.

Shkallët e buta të vuajtjes depresive mund të ngatërrohen me problemet e sjelljes së adoleshentit, veçanërisht kur hiperaktiviteti, iritabiliteti, vëmendja e pakët, impulsiviteti, ngacmueshmëria e sjelljes antishoqërore, zemërimi e fjalori i pa përshtatshëm mbizotërojnë.

Shenjat depresive, veçanërisht humori i pikëlluar si përgjigje ndaj traumave ambientale, janë të zakonshme në varësi të grupmoshave fëmijërore, por zgjatja e çrregullimit është shumë e shkurtër dhe nuk ndërhyn plotësisht në shëndetin e fëmijës. Në të kundërt zgjatja (disa muaj) e shqetësimit të orienton drejt një sëmundje të vërtetë depresive, duke kompromentuar seriozisht përshtatshmërinë si atë shoqërore e shkollore, e duke dëmtuar gjumin e oreksin.

Fëmijët që vuajnë depresionin janë fatkeq dhe qajnë pa shkak të rëndësishëm. Shikimi i tyre është i venitur e janë të lodhur. Zëri është murmuritës, sytë i kanë të fiksuar përdhe dhe përsërisin pa pushim disa ngjarje që u kanë bërë përshtypje. (p.sh., ç’dënim kanë marrë, ç’incident ka ndodhur në familjen etj).

Dhimbja morale e fëmijëve, që është më pak e dallueshme se tek të rriturit, zbulohet nga shprehitë e lira, nëpërmjet vizatimeve me laps të zi ose ngjyra të tjera (manushaqe) ose me nuancën e tregimit. Të tillë fëmijë refuzojnë lojën kolektive, ata ulen vetëm ose me shokë më të vegjël. Vetë ankthi që mundon fëmijët shprehet me kriza të frymëmarrjes ose zgjime të natës.

Shumë fëmijë që vuajnë nga depresioni luftojnë kundër gjendjes depresive me lëvizshmëri të tepruar, instabilitet, provokime etj.

Vajzat vuajnë 3 herë më shumë nga gjendjet depresive, ato janë më të qeta, të frenuara e me luhatje të humorit, ndërsa djemtë kanë vështirësi në lidhjet e shoqërisë, vështirësi në shkollë e gjeste agresive.

Fëmijët parashkollorë bëjnë lagie të natës (eneuresis), kanë anoreksi, pagjumësi, kërkojnë të ushqehen me biberon (regres zhvillimi) e refuzojnë të ecin. Po ashtu, rrinë pasiv e mbajnë qëndrim negativ, si dhe qajnë me zë të ulët.

Fëmijët e moshës shkollore janë të deprimuar, irritohen shpejt, kanë mungesë kontakti shoqëror, vështirësi në mësime e nuk dëshirojnë lojën kolektive.

Me rritjen e moshës kuadri klinik pasurohet (paraadoleshentët p.sh. kanë ndjenjë inferioriteti, impulsione suicidal e impulsivitet).

Në këtë moshë depresioni (reaksioni depresiv) fshihet mbas disa maskave, p.sh., një fëmijë deri atëherë i qetë, i dashur, bëhet irritabël, provokues, inatçi, agresiv ndaj vëllezërve e motrave, bërtet, zihet e është gjaknxehtë. Shpërthimi agresiv ka karakter mbrojtës kundër daljes së ndjenjave depresive, ndërsa vetë shqetësimet dalin në pah në atë moment kur adoleshenti është në momentin e fitimit të koshiencës, të nevojës për miqësi e dhembshuri.

Duhet bërë kujdes në fëmijët që bien në mësime (mendohet se vuajnë nga depresioni). Po ashtu, 40% e tyre që urinojnë natën kanë shenja (karakter) depresiv.

Fëmijët e vegjël që vuajnë, jetojnë me mendime braktisëse, vetmie, si dhe kanë pamundësi për të menduar për të ardhmen.

Vetë depresioni mund të shfaqet në disa nivele, si në atë të fantazisë që shprehet në lodrat, tregimet vizatimore e ngjyrat, në atë të shprehjes verbale (tema dëshpërimi, lot, fajësi, mosadaptim), si dhe në atë të trishtimit, fytyrës së ngrirë, frenimit etj.

Përgjithësisht vuajnë nga depresioni fëmijët e prindërve me histori depresive, fëmijët e nënave të pa përshtatshme, të baballarëve alkoolist, fëmijët e keqtrajtuar fizikisht e verbalisht, fëmijët që humbasin një njëri të dashur (motër, vëlla, prind), fëmijët me një lloj predispozicioni para sëmundjes, fëmijët që kanë histori të përsëritura ndarjesh nga familjarët, fëmijët që ballafaqohen me stres të vazhdueshëm.

Roli i prindërve

Një nënë e pa zonja, e depresionuar, e lodhur nga jeta, e ballafaqon fëmijën e vet me një ambient familjarë të papërshtatshëm, e ekspozon ndaj shqetësimeve familjare dhe e largon atë nga afeksioni prindëror duke e turbulluar e çrregulluar. Një baba alkoolist që kontakton pak me fëmijët e vet ose është keqtrajtues, delikuent i hap rrugë fëmijës së vet të vuaj nga depresioni. Të tillë fëmijë në rritje bëhen të turpshëm, të irritueshëm, jetojnë në situate stresante, ndërpresin lojën, fajësojnë vetveten, kanë humor të rënë, janë të dëshpëruar (vuajnë gjatë nga depresioni). Një fëmijë që humbet të afërmin e vet mund të manifestojë humor depresiv, lotim, ngadalësim të lëvizjeve, të folur me zë monoton, helmim shpirtëror. Para fillimit të çrregullimeve këta fëmijë përshkruhen si kokëfortë e negativë, ndërsa vuajnë formën e shpejtë të depresionit.

Fëmijët e moshës 6-12 vjeçarë që vuajnë nga Sindroma depresive e paidentifikuar, kanë shenja të humorit të vazhdueshëm të trishtuar, veçim shoqëror e mungesë shprese, paaftësi e prapambetje psikomotore, dështim shkollor e shoqëror, turbullime në ngrënie e në gjumë, ide e mendime suicidal, shenja që zgjasin 2-3 muaj para kërkesës për ndihmë mjekësore.

Sot flitet në turbullimet (reaksionet) depresive për disa ‘ekuivalenca afektive’, që janë shenjat e para të panikut, çrregullimeve obsesive (mendimet- compulsive, veprimet) dhe çrregullimeve të ngrënies.

Përfundimisht duhet thënë se mërzitja e fëmijës është një reaksion që i përshtatet gjendjes që rrjedh nga ngjarjet traumatike, që nuk bën pjesë në reaksionet depresive, ndërsa dhimbjet morale vijnë nga mossuksesi ose disfatat në jetë. Ngjarjet në familje, vdekjet, ballafaqimet me stres instalojnë çrregullime reaktive e dhimbje morale. Fëmijët që provojnë dhimbjen morale fillimisht nuk e pranojnë lajmin e keq, pastaj bëjnë reaksion dëshpërimi, kërkojnë personin e humbur e shpërthejnë në inat karshi padrejtësisë. Më vonë e pranojnë fatkeqësinë, kujtojnë ngjarje e kujtime, akuzojnë fatkeqësinë deri sa krijojnë relata të reja. Mungesa e këtyre fazave është patologjike. Ndërsa angoshja në fëmijët është frikë pa objekt e shoqëruar me shqetësime trupore (rëndesë, pllakë në gjoks që e pengon të marrë frymë). Vetë mërzitja e angoshja janë emocione njerëzore normale, por që mund të bëhen patologjike në disa raste, p.sh., frika e një rreziku të pashmangshëm që pritet nga individi nga koha në kohë. Individi është në gjendje të çoroditur dhe ka vështirësi në frymëmarrje, tharje goje, lëmsh në fyt, zbehje etj..

Mërzitja e angoshja nuk janë depresion, ndërsa angoshja mund t’i shoqërohet depresionit.

Pasojat e vuajtjes depresive janë të shumta. Vuajtja e zgjatur e rraskapit fëmijën dhe e pengon në zhvillim, e invalidizon atë duke e bërë dhe problem shoqëror e familjar. Vetë familjarët lodhen, stresohen e vuajnë. Fëmija turbullohet në sjellje e personaliteti i tij mund të formohet keq, duke përbërë bazë paaftësie integruese në shoqëri, e cila ka rregullat e normat e veta.

Suicidi (vetëvrasja), lëkundjet e humorist, shpërthimet e pakontrolluara të gjendjes efektive përbëjnë problem të shëndetit mendor. Dëmtohet rëndë arsimimi i disa fëmijëve e përshtatja e tyre në shoqëri e familje. Disa fëmijë bëhen agresivë ndaj të tjerëve. Vetë vetëvrasja ndodh (kryesisht në adoleshencë) nga ajo që individi do të largohet nga një situatë e papërballueshme e munduese.

Shumë fëmijë që vuajnë nga depresioni mund të shërohen, por në disa çrregullimi evoluon drejt psikopatisë, drejt formave atipike të turbullimit të personalitetit ose formave më të rënda të turbullimeve psikike.

Disa fëmijë majmen jashtë mase (shëndoshen shumë). Ata që të vegjël janë tepër emotivë (prishja më e vogël e qejfit i bën shpërthyes, kanë dridhje trupi, kërcitje dhëmbësh, belbëzim, ndryshim të ngjyrës së fytyrës, djersë të ftohta, nevojë për të urinuar etj), ndërsa kur rriten, edhe pse duken normal, në pamje të jashtme kanë një lloj hiperemotiviteti. Ata papritur humbasin gjumin, kanë gëzim të pa motivuar e të pazakontë, flasin pareshtur, ndërrojnë bisedat dhe janë të papërqendruar.

Sëmundjet depresive në fëmijët e adoleshentët shpjegojnë shumicën e paaftësive të zhvillimit mendor./ Shendeti.com.al