IDRIZ ZEQIRAJ
Dihet mirëfilli se anëtarësia e LDK-së jeton me ethet e ndarjes të saj. Është ky klan që e ka ndarë një herë LDK-në, dhe mund ta ndajë sërishmi. Duke kursyer modestinë, autori i këtij shkrimi, vite me radhë ka denoncuar këtë rrezik. Kam qenë delegat në tre Kuvendet e fundit “Zgjedhore” të LDK-së. Një maskaradë gërditëse “kuvendore”. Asnjë debat, asnjë konkurrencë, (përjashto zgjedhjen e kryetarit në Kuvendin e 7-të), asnjë votim i fshehtë! E “drejta” e vetme e 355 ose 358 delegatëve ishte votimi tufëzues, aklamativ, fiktiv.
Prandaj, bërtita, deri në çjerrje, thirrjen e përvajshme dhe dëshpëruese, drejtuar të 358 delegatëve, në Sallën ku mbahej Kuvendi i 9-të “Zgjedhor” i LDK-së: “O, skllevër të shekullit dixhital, mos votoni verbërisht dhe në tufëzim, paligjshmëritë e klanit, brenda Kryesisë të LDK-së!”
Ishte nënkryetarja e LDK-së, Vjosë Osmani, e cila denoncoi publikisht, se drejtuesit e LDK-së, strukturat e saj, prej shumë vitësh, nuk janë provuar me votën demokratike të anëtarësisë, të popullit, përveç deputetëve. Rrjedhimisht, strukturat e partisë dhe vetë udhëheqja qendrore, nuk kanë legjitimitetin, domosdoshmërisht, të nevojshëm.
Thënë më troç, me mujshi e dredhi, klani brenda Kryesisë, ka uzurpuar e ngulfatur partinë, duke i bërë të paligjshëm edhe strukturat e partisë, kuadrot aktual, të cilët, në shumësinë e tyre, do ta kalonin suksesshëm edhe votën e fshehtë demokratike. Akuzë e rëndë, por, e bazuar katërcipërisht.
Kryetari I LDK-së, Isa Mustafa, kuadër i viteve `70-a, me pesë dekada përvojë politike, me trysni të vazhdueshme, nga klani që e trashëgoi të gatshëm, por, që e konsolidoi dhe stazhionoi çelikshëm, për ta hequr qafe, një herë e mirë, rebelen dinjitoze, rugovistën e thekur e besnike, Vjosë Osmanin, “hyri në valle!”
Fillimisht, klani mendoi t`i përdorë anëtarët e Kryesisë, për goditjen e Vjosës. Por, në këtë strukturë, ka kuadro të dëshmuar, për mbrojtjen e LDK-së, të anëtarësisë, elektoratin e saj. Ata, u rrekën me bandat Buja dhe Haradinaj dhe simotrat e tyre, duke rrezikuar vetën dhe familjet e tyre. Dhe, fituan betejën, (ndërkohë që klani heshti), për ta vazhduar përballjen e mëtejme ligjore, për makro-uzurpimet, pëvehtësimet e pasurive shtetërore, si trashëgimi të brezave shqiptarë. “Blejë mallin me vezë, pastaj shit me lopë!”
Ndërhyrja e vendosur e kryetarit simpatik të Lipjanit, njëherit nënkryetar i LDK-së, Imri Ahmeti, se “REFUZOJMË”, me paanësinë tonë, kyçjen në debatin e dëmshëm, për t`u bërë pjesë e lojërave djallëzore, stopoi revanshin e klanorëve, për goditjen nga lart të Vjosë Osmanit. Krejt i drejtëpërdrejtë ishte edhe kryetari i Pejës dhe nënkryetar i LDK-së, Gazmend Muhaxheri: “Vjosë Osmani nuk ka bërë asfarë tradhtie. Përkundrazi, i ka ndejur besnik premtimit të dhënë anëtarësisë, elektoratit, shqiptarëve, se do të luftojë krimin e organizuar, hajninë zyrtare dhe të këqijat e shumëta, që kanë bërë qeveritë e mëparshme. Nuk do të kemi koalicion me PAN-in dhe preferojmë Vetëvendosjen, pavarësisht orientimit majtist të saj.
Vlerësues real e dinjitar ka qenë edhe kryetari i Vushtërisë dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, Xhafer Tahiri: “Kryetarja e Kuvendit (Vjosë Osmani), është një nga vlerat më të mëdha, që e ka jo vetëm LDK, por tërë skena politike në Kosovë. Me profesionalizmin dhe qëndrimin e saj parimor është vlerë”.
Reformatorët i mbijetojnë kohërat, sundimtarët harrohen
Kryetari Mustafa njihet si inatçi i madh. Këtë ligësi e ka trashëguar nga monizmi. Në regjimet staliniste, me akuza fiktive, i kanë dërguar në plumb, kundërshtarët politikë. Kundërshtinë e Vjosës, oponencën e saj, nuk e kapërdinë dot, nuk e harron. Për goditjen e saj, nxitet edhe nga klani i tij, sepse me votë demokratike, i mundë të gjithë. Si klan, kanë intriguar gjatë dhe kanë përfituar reciprokisht. Trysnia e tyre është për ta hequr qafe Vjosën. Andaj, Isa nuk u dorëzua, nga refuzimi në rangun e parë dhe, zbriti në rrjeshtin e dytë, tek Grupi i deputetëve dhe Këshilli i Përgjithshëm.
Isa Mustafa është idhnak, i thekur në intriga dhe dinakëri. Me goditjen e Vjosës, ai ka për qëllim përçarjen, goditjen selektive, deri në shuarjen e Grupit simpatik reformatorë, Grupin e të rinjëve, të ardhmen e LDK-së dhe të Kosovës, brezin e Republikës, gardën mbrojtëse të rugovizmit, të kryesuar nga dy luftëtaret e dinjitetëshme, Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani. Tashmë, disa syrësh e zbuluan vetën, në këmbim të një shpërblimi nga klani. Disa të tjerë nga ky grupim, flasin përçartë. Edhe pse mësues Gjimnazi dhe gazetar profesionist, më duhet t`i rilexoj, për të kuptuar se çfarë bëlbëzojnë realisht!? E dhimbshme, skajmërisht mjerane!
Por, kjo do të jetë “Fitore e Pirros” e klanit Mustafa. Sepse anëtarësia, simpatizantët, elektorati i LDK-së, është me reformatorët, sepse koha, historia ka dëshmuar, se e ardhmja u përket, pikërisht, reformatorëve. Ndërsa, sundimtarët hileqarë autokratë, do të harrohen, si një ëndërr e trishtë, e keqe.
Fushatë goditëse bolshevike dhe manipulative
Skemat fushatore bolshevike, janë unike për suksesin e tyre. Andaj edhe klani Mustafa, kësaj radhe ka kopjuar filosllavin stalinist, Enver Hoxhën, i cili zhvendosi gjyqësinë nga Pallati i Drejtësisë, në shtallat e derrave dhe të lopëve të kooperativës. Hoxha i Tiranës mburrej me demokracinë e përkryer, sepse baza kooperativiste gjykon dhe jep vendime, për t`i burgosur dhe plumbosur armiqtë e partisë, intelektualët e zëshëm e deri ke anëtarët e Byrosë Politike, shokë të luftës dhe të punës të Enver Hoxhës.
Me bujë e pompë, u proklamua se mbështetja për koalicionin, me bandën e PAN-it, është masive. “Nëndegët dhe Degët e LDK-së, anekënd Kosovës, autorizuan Kryesinë Qendrore të veprojë, në emër të tyre!” Ndërkohë që askush nuk e konsultoi, nuk e pyeti anëtarësinë! Gënjeshtër sa e madhe, aq edhe e turpshme! Kjo praktikë bolshevike e manipulative, tërësisht anashkaluese e mospërfillëse, është e përsëritshme, për shumësinë e vendimeve fatale, që ndërmerrë Qendra. Po hakmerrën ndaj anëtarësisë, me akuzën inatçore, “pse bëri trysni, për ta bërë koalicionin me Vetëvendosjen!” Klani Mustafa kishte preferencë PDK-në. Dhe, këtë nuk e kanë fshehur kryeklanorët!
Në orkestrimin sulmues, për ata që blasfemuan, duke kundërshtuar Mocionin e turpshëm mosbesues dhe refuzimin e koalicionit me bandën selektive PAN, u aktivizuan edhe në Mërgatën shqiptare. Kalemxhinj individualë e gruporë, anatemuan e fyen Grupin reformatorë. Ata folën në emër të Nëndegëve dhe të Degëve të LDK-së në Mërgatë, pa asfarë autorizimi.
Një mashtrim përfid ndodhi me mbështetjen tufëzuese të Nëndegëve dhe të Degëve të LDK-së, në Evropën Demokratike. Refuzimet e disave syrësh, për koalicionin e pistë, shumë të dëmshëm për LDK-në, sepse amniston dhe rehabiliton krimin dhe hajninë zyrtare, për çka i dënoi populli në zgjedhjet e e 6 tetorit 2019, u konvertuan në aprovime të njëzëshme!?
Kuadro me integritet dhe personalitet të dëshmuar në dekada, krejt të qartë në deklarimin e tyre, se nuk kanë bërë kurrë dhe nuk do të bëjnë as tani, pazare me parimet e tyre, rezulton të jenë lënduar skajshëm, me tufëzimin e emrave të tyre, se, kinse aprovojnë koalicionin me bandën PAN!!
Ndërkohë që, mendimin me shkrim, e kishin dhënë se nuk e aprovojmë koalicionin me partitë e PAN-it, ngaqë nuk luftohet krimi dhe korrupsioni, me ata që identifikohen, pikërisht, me këto dhe të këqijat tjera, për dy dekada radhazi. Dhe, tani, po detyrohen të heshtin, në këmbim të ruajtjes të unitetit në parti. Fatalisht, e rëndë, e dhimbshme.
Ka ardhur koha, që baza LDK-iste, tashmë, e përgjumur, më në fund, të zgjohet, të bashkohet, për ta kthyer frymën rugoviane, debatin e lirë, konkurrencën e ndershme, votimin e fshehtë demokratik, për ta ruajtur e begatuar kështjellën e dikurshme, LDK-në e Presidentit Rugova.