Deliso: Berisha dhe Gazidede i hapën portat islamit vahabist në Shqipëri

1
1981

Nga Salih Mehmeti4 Shtator 2017 / Konica.al

Kur filluan kontaktet e para të Shqipërisë me vendet e botës arabe? Ishte ky një moment i komunikimit të rigjetur, një diplomaci e mençur, apo një improvizim në rrethana të caktuara?

Gazetari amerikan Christopher Deliso ka një përgjigjje për të gjitha këto.

Autor i librit ngacmues ‘Ardhja e Kalifatit Ballkanik’, ai rindërton kronologjinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Lindjen pas shembjes së komunizmit, shkruan Konica.al.

Në kapitullin për rrënjet e islamizmit radikal në Shqipëri, ai përkujton faktin se prej zgjedhjes si president në mars të vitit 1992, Sali Berisha mbante lidhje të forta me Shtetet e Bashkuara, NATO-n si dhe përfaqësuesit ushtarak amerikanë.

Por, një shkarje drejt Lindje nuk vonoi.

Zhgënjimi me dështimin e Perëndimit, shkruan gazetari amerikan, për të bërë investime, e frymëzuan Berishën që t’i kthehej botës islamike.

Deliso konsideron se një faktor tjetër pati një ndikim në këtë kthim të beftë.

Zyrtari i dytë më u fuqishëm dhe dora e djathtë e Berishës, Bashkim Gazidede, ishte një ‘mysliman i devotshëm’ dhe ai i përdori të gjitha kapacitetet e gjëra si drejtues i shërbimit kombëtar të ingeligjencës për të përshpejtuar aspiratat lokale të grupeve islamike, disa prej të cilave mbanin lidhje të afërta me grupet terroriste ndërkombëtare”.

Presidenti Berisha u hapi dyert interesave të pasura islamike.

Në prill të vitit 1992, në të njëjtën kohë kur regjimi pro-sovjetik u përmbys në Afganistan, një delegacion kuvajtian erdhi në Tiranë për të shpalosur një plan ‘ambicioz’ investimesh ekonomike në këmbim të lejimit të ndërtimit të xhamive.

Ndërtimi i tyre filloi thuajse menjëherë, anipse shumica e popullatës nuk kishte ide se çfarë të bënte me xhamitë e reja”, shkruan Deliso.

Disa muaj më vonë, një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Islamike për Zhvillim, i drejtuar nga Ahmed Mohammad, ofroi investime të ndjeshme bankare për bujqësinë, transportin, trajnimin në gjuhën arabe, dhe mundësi për shqiptarët e rinj për të studiuar në shtetet islamike.

Pasi e bëri Shqipërinë anëtarën e parë evropiane të Organizatës së Konferencës Islamike më 1992, vendim kundërthënës që nuk u kalua asnjëherë nga Kuvendi, presidenti Berisha nisi të kërkonte lidhje të reja me zyrtarë të ndryshëm arabë.

Një infrastrukturë krejtësisht e re arsimore dhe klerikale u zhvillua me të shpejtë në Shqipëri falë dhurimeve kryesisht saudite. Shoqata Lehtësimi Islamik vërente se shqiptarët ishin si ‘një sfungjer i thatë’, i gatshëm për të thithur gjithçka u jepej”.

Një tjetër lehtësim që Berisha i krijoi kapitalit arab, ishte në sektorin bankar.

Në vitin 1994, presidenti Berisha siguroi një prani të fortë islamike në sektorin e hajthëm bankar të Shqipërisë me arritjen e Bankës Islamike arabo-shqiptare, para bankave të tjera përëndimore”.

Qysh atëherë është hedhur dyshimi se Osama bin Ladeni ishte themelues i kësaj banke.

Banka Islamike arabo-shqiptare mbikëqyri ndërtimin e qindra xhamive, dhënien e bursave në universitetet islamike jashtë, dhe u jepte para në dorë shqiptarëve varfanjakë – me kushtin që femrat të pranonin bartjen e ‘chador’-it (një veshje e jashtme me mbulesë’.

Si e tillë, më shumë sesa një institucion financiar, ajo u bë një instrument i propagandës vahabiste të sauditëve”, vëren gazetari amerikan.

Ai shton se ‘agjenda e vërtetë’ e të huajve në rindërtimin e Shqipërisë si shtet islamik ishte një proces që përvijonte tre hapa: e para ishte ndihma ekonomike, e pasuar nga propaganda fetare dhe në fund etablimi i qeverisë islamike.

Në libër thuhet se shefi i SHIK-ut dhe drejtuesi i Bashkësisë së Intelektualëve Islamikë të Shqipërisë, Bashkim Gazidede po punonte edhe përtej orarit ‘duke pritur delegacione zyrtare nga bota arabe, rrjedhimisht duke iu shmangur detyrave zyrtare dhe duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare’.

Burimi: Christopher Deliso, The Coming Balkan Caliphate: The Threat of Radical Islam to Europe and the West, 2007, ff. 29-31

[ Librin në Anglisht, në PDF e gjeni këtu! ]

Komentet janë mbyllur.