Nga: Fahri Xharra, Revista Drini – 1 Shtator 2019
Me mundësitë e mia e kam ndarë dhimbjen me popullin tim. Unë, duke lexuar për ne u brumosa dhe u dashurova në kombin tim sepse në momente të vështira ku shihej karakteri ynë, karakteri i vërtetë i një kombi ne dolëm faqebardhë. Por fatkeqësisht i pava edhe të metat të cilat u paraqitën pas luftës së fundit; disa të meta që nëse nuk i largojmë do të jenë fatale për ne si komb. Unë nuk do të isha i sinqertë sikur përkundër lavdeve që i kam të mos i cekja edhe anët tona të mbrapshta.
E kishim një të kaluar të shkëlqyeshme, pas së cilës erdhën shekujt e mjerimit, okupimi 523 vjeçar turk, i cili na e humbi … krejt çka i erdhi për dore. Por, përkundër këtij 500 vjetshi t‘errët, paraardhësit tanë, të ngërthyer nga lemeria e okupimit kanë qëndruar të fortë ndaj fesë kombëtare, kanë qëndruar besnikë ndaj para të parëve tonë. E kemi popullin heroik, dhe mund të them me plot të drejt që ushtarët tonë të luftës së fundit nuk ishim tjetër por vetë kombi ynë. E kemi popullin atdhedashës. Nuk njoh popull tjetër që është aq legjendar si populli im.
Ne nuk e pranuam zotin ashtu si na e diktonte Bibla apo Kur’ani, por e krijuam zotin tonë shqiptar, si ishte Skënderbeu !
Por të vazhdojmë me lavdërime, jemi shumë mikpritës e kemi besën që nuk e ka askush ; jemi popull demokratik, me të vërtetë demokratik e jo në stilin e disave. Ne e çmojmë njeriu si njeri e jo se çka mbathë e vesh, dhe çfarë titulli ka fituar. Ne e kemi popullin me plotë ndjenja bamirësie, dhe shfaqemi si të tillë mu atëherë kur duhet. Jemi krenar ! Jemi popull inteligjent, i kthjellët dhe shumë i mençur. Nuk kemi krahasim.
Ndoshta nuk do të më hidhëroheni nëse do t’i shënoj të metat tona.
Nuk jemi punëtor të mëdhenj ashtu si themi sepse për punën e sotme zakonisht e presim të nesërmen. Pasojat dihet: asgjë nuk e kemi mbaruar. Oh! sa shumë kohë i kemi humbur kombit tonë me përtacinë tonë. Por kjo e ka arsyen e vet : sepse në 500-600 vjetshin e fundit ne kemi punuar kot së koti dhe është pasuruar robëruesi. Edhe një gjë, populli im, ne e kemi humbur falënderimin: kërceva ujin, e dh… kalin !
Me të vërtetë jemi shumë pa falënderues. Në mesin tonë kemi shumë të pasur të cilët harxhojnë nevojë e pa nevojë vetëm për t’u treguar ; dhe nuk japin asgjë për ata që kanë sakrifikuar. Shumëkush nga ne, edhe pse kohë pas kohe i rikujtojnë në mënyrë pompoze data e shënuara, por ata e dinë që kur vendi ishte pranë vdekjes dhe duhej flijuar , nuk kanë ber asnjë gjë vetëm se janë kujdesur që të ruajnë personin e tyre te çmuar: vetveten !!! dhe pastaj e shfrytëzuan fatkeqësinë kombëtare për t’u vet pasuruar..
“Inteligjencën” e kemi, “intelektualë” jemi që nga zyrtari me i ultë deri tek ministrat.
”Inteligjenca“ e Kosovës asgjë nuk bëri për vendin e vet, por vetëm brengosej që t’afërmit mos t’i heqin keq. Disa, duke u kthyer pas luftës në atdhe nga një luftë që as që ishin pjesëmarrës, e nderuan vetëm veten e tyre. E t‘mos flasim për luftëtarët e vërtetë që po kërkojnë kanaqe nëpër mbeturina për të mbijetuar.
Si çdo qenje amorale ashtu edhe disa nga ne, nga “inteligjenca” krekosen me forcën që e kanë, dhe në vend të pozitivitetit na mbushen me minusa.
Ata në vend se të na ndërtojnë na shkatërruan, ata janë vatra e qelbësirës dhe e prishjes morale nga e cila ne të gjithë po vuajmë. Nëse kështu vazhdojmë e pat Kosova!
Një frymë e rrezikshme po frynë dhe po e “ajros“ rininë dhe po i a fikë zjarrin e atdhetarisë. E shohim që tek ata është ngritur xhelozia dhe mëria. Rinia ynë e ka mendjen vetëm aty ku janë paratë, në çdo cep të botës dhe vetëm te ketë para.
I riu i sotëm devijoi nga edukimi që e kishte. Djelmoshat dhe gocat mendojnë dhe janë të bindura që shteti duhet t’iu siguron jetën e jo që ata ta sigurojnë shtetin. Mos na ardhtë që ta shohim këtë bindje! Nga erdhi kjo? Sepse e panë që në vendin tonë dija, aftësia dhe trimëria janë të kota, se për të qenë dikush në këtë sipërfaqe duhesh të jesh i ndonjë partijeje që ata që e kanë shtetin ta japin një shtytje më tutje.
O popull, sa keq e kemi punën ! Në rast nevoje, rinia më nuk vdes për atdhe, të kotë e kemi sepse ajo po i sheh gjërat me sytë e saj.
O populli im, mos të lejojmë që shpirti i pastër i rinisë të kalbet në këtë kohë qelbësire! Në komb që diti të tejkalon furtunat shekullore të një pas njëshme, nuk guxon të kundërmon arratisje, tradhti, prostitucion, dëshpërim demoralizim…
Ah, që nuk e patëm një Shqipëri si duhet, se edhe ne do të ishim ndryshe !
(Arçibald Rajs, një zviceran, pasi që punoi 15 vjet për një shtet të Ballkanit ( ata e kishin paguar ), më në fund u largua shumë i dëshpëruar nga ata. E shkroi një letër në vitin 1928, të cilën e përpunova dhe përshtata për kohën që po e kalojmë).
Fahri Xharra, Gjakovë