KRISTAQ TURTULLI
– fragment romani.
Pa e kuptuar as vetë më përfshiu dëshira dhe malli të bridhja rrugëve të qytetit tim, të rizgjoja kujtimet, të flakja tej perden e rëndë të errësirës, nga supet e humbura të viteve. Ndoshta doja të prekja, të merrja diçka nga gjallëria, rrëmuja dhe lëvizja e njerëzve. Përpara më doli shtëpia e kulturës, me shkallë mermeri në formë gjysmë të rrumbullakët. Anash mbi shkallët, me dy pragje mermeri, ku prej andej ngriheshin, lartoheshin, harqet e bukura të derës së madhe hyrëse të godinës me arkitekturë të vjetër e të hijshme.
Dikur në vitet tridhjetë kjo godinë kishte qenë bashkia e qytetit, gjithashtu mbaj mend fort mirë që kisha një fotografi të vjetër ku kishte dalë im atë me patriotët e qytetit në shkallët e godinës. Dikur në ato pragje mermeri ne djemtë e shtëpisë së kulturës uleshin dhe përgjonim me sy vajzat e bukura që kalonin aty pranë, dikush nga ne sulej mbas vajzës që simpatizonte, për ta ndalur e për t’i shprehur dashurinë. Hyra brenda, ishte qetësi, mjediset e kësaj godine ishin shumë të njohura për mua. Vështrova nga të dy anët e korridorit. Në krahun e majtë ishte bari i vogël i shtëpisë së kulturës, ku banakieri Koço përgatiste kafe të mrekullueshme dhe kaçurrelin e hatashëm, konjak, fërnet e ponç dhe buzët e gotës i lyente me pak sheqer. Pak më tej zyra e drejtorit Petraq e pastaj vinin me radhë dhomat e kurseve të ndryshme.
Me sa më kujtohej kursi i kitarës dhe mandolinës ishte në krahun e djathtë, dera e dytë nga fundi. U drejtova për atje dhe e shtyva ngadalë. Për habinë time dera u hap dhe më dhomë s’ kish njeri. Pranë një komodine qëndronte ndehur një kitarë. Më rrahu zemra, mu drithërua shpirti! Ndjeva një shtrëngim në zemër. Kitara, send i thjeshtë më shkundte dhe më trishtonte njëherësh! Bëra disa hapa, u përkula, mora kitarën në duar, ndjehesha i mpirë, më mbërtheu meraku, mos më shpëtonte nga duart, binte përdhe dhe thyej. Kisha tridhjetë vjet pa i rënë kitarës. Lëviza gishtërinjtë me plogështi, preka telat e kitarës të cilat lëshuan një tingull të lehtë. U drodha. Ndjehesha i plogët, i ndrojtur, mos vallë kisha harruar të luaja! U përpoqa të bëja disa akorde, zemra më kërceu si zog. Befas rrëzova rrëmbyeshëm gishtërinjtë mbi tela dhe fillova të luaja melodinë e këngës: “Dëgjo floriri im”.
Dua ta luaj për ty Irina, për ty dhe vetëm për ty! Nisa të këndoja lehtë. Në fillim zëri më doli i ngjirur, i çakorduar, u kollita si të pastroja fytin, kisha nevojë të pështyja. Nxora shaminë e xhepit, pështyva në të. Zë dridhur nisa të këndoja përsëri, ngadalë, zë ulët duke lëvizur dhe luajtur gishtërinjtë lehtë nëpër tela. OH! Nuk kisha harruar të luaja në kitarë e as të këndoja:
Ndriçon hëna e plotëzë
Si me magji ndër sy
Dhe drit e saj më thotëzë
Të dal të të gjej ty.
Isha i përpirë, i humbur në krahët e këngës, e cila me lidhte me shumë kujtime, më mbante shtrënguar me jetën.
-Të dal të gjej ty, Irina,- mërmërita me vete: -Të dal të kërkoj ty!
Dëgjova që dikush rrahu shuplakat. Ngriva i tëri, duart mu varën menjëherë. Përhumbshëm vështrova, pranë derës dallova dy këmbë të hijshme me çorape të bardha, ngrita vështrimin ngadalë, një fustan i hollë me lule, një xhaketë puplin, dy gjokse të vegjël e më pas një fytyrë të bukur, të freskët vajze. Mbylla sytë një copë herë. Oh, aty pranë derës është Irina, po buzëqesh, ëmbël, është e ngazëllyer! Të ngrihem të sulem drejt saj, ta përqafoj ta puth…!
Dëshiroj të vazhdojë gjatë ky vegim! Vajza lëvizi prej derës. Me shumë vështirësi mblodha veten. U ngrita në këmbë, vendosa me kujdes kitarën pranë tavolinës bëra të largohesha.
– Më falni!- thashë me zë të ulët.
– Ju të më falni që ju ndërpreva! Këngë e mrekullueshme,- dëgjova të fliste vajza,- nuk e kam dëgjuar kurrë. Mu duk sikur ishte një magji, nata, qielli me yje dhe malli.
Ngrita sytë, vështrova vajzën. Ajo ishte e bukur, si gjithë vajzat e bukura të qytetit tim. Qerpikë të gjatë, fytyrë të trëndafiltë, por ajo dukej dhe vajzë e mençur.
– Është këngë e vjetër,- i thashë.
– Sa e vjetër?- më pyeti dhe ngriti përpjetë gjithë habi vetullat e bukura të harkuara.
– Nuk e di, ndoshta sa vetë jeta,- i thashë.
– Ju i binit shumë bukur kitarës!
– Ashtu!- ia bëra dhe u largova.
‘Ku të gjej ty, Irina, ku?!’