DEDË GJON LULI – NJË KUJTIM I BJERRUR

0
324

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

Na ishte njëherë një Ded Gjon Luli! Por po të vërejmë se si kujtohet ai sot nga shqiptarët, me rastin e vrasjes së tij 105 vjetë më parë nga forcat serbo-malazeze, njeriu kollaj mund të vijë në përfundim se ai nuk ekziston më në memorien e kombit të vet, si njëri prej figurave më të dalluara kombëtare të historisë së shqiptarëve.

Historia e kombit shqiptar gjatë shekujsh është përballur vazhdimisht me pengesa të llojllojshme të cilat kanë bërë të pamundur bashkimin shpirtëror dhe kombëtar të Shqiptarëve. Ishin këto pengesa të vjetra e të reja, sipas orekseve të rastit, të armiqëve të shqiptarëve, por të cilat ishin shumë më të rënda se pengesat me të cilat janë përballuar kombe të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës, në rrugën e tyre drejtë bashkimit kombëtar. Megjithë këto pengesa — dëshira dhe ndërgjegjia e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar nuk u shua kurrë. Por megjithë pengesat historike për bashkimin e shqiptarëve, historia ka plot raste personalitetesh kombëtare që janë dalluar për veprimtarinë dhe luftën e tyre për bashkim shpirtëror dhe kombëtar të shqiptarëve. Njëri prej këtyre figurave më të dalluaraa është Ded Gjon Luli nga Malësia e Madhe. Me 24 Shtator 2020 u mbushën 105-vjetë nga vrasja tradhtisht e tij. Ishte 24 Shtatori, 1915 kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit shqiptar.

Megjithëse – në mungesë të kujtimit të kësaj date dhe të këtij heroi të kombit, nga faktorët zytar shqiptarë – përpjekja ime modeste për të kujtuar këtë burrë të maleve tona – më duket krejtësisht si një përpjekje e bjerrur, por nuk po mundem të kursehem pa i thënë dy fjalë, me këtë rast.

Dedë Gjo’ Luli ishte prijsi i kryengritjes së Malësorëve kundër Perandorisë Osmane, kryengritje e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë në trojet shqiptare, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit — Skënderbeut. Sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin kundër otomanëve dallohej nga kryengritjet e tjera të shqiptarëve — mbi të gjitha — për nga karakteri mbarëkombëtar që e frymëzonte atë, që më në fund, tërhoqi edhe interesimin dhe mbështetjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit. Pasi angazhimi dhe lufta serioze e Malësorëve me Ded Gjon Lulin tërhoqi vëmendjen e tyre, ata shkuan për tu takuar me malësorët e Ded Gjo Lulit dhe si përfundim përpiluan, atë që njihet si, “Memorandumi”, i cili përmbante kërkesat mbarëkombëtare të Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë, gjuhë dhe buxhet të vetin. Memorandumi në fjalë ishte, në të vërtetë, një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve për vetadministrim. Kërkesa kryesore e Ded Gjo Lulit dhe e malësorëve të tij, ishte se Shqipëria, vetëm “donte vedin me sundue”.

Marrë nga libreza “Kryengritja e Ded Gjo’ Lulit” (1911-1971), Ernest Koliqi, Romë, 1971

Lufta e tyre kishte qëllime, kryekëput, mbarëkombëtare. Si frymëzuesi i këtyre përpjekjeve gjithë kombëtare, Ded Gjon Luli mbetet edhe në këtë 105-vjetor të vrasjes së tij — një simbol mbështetës i përjetshëm i idealeve dhe i bashkrendimit të interesave dhe të fateve, afat-shkurta dhe afat-gjata, të trojeve etnike shqiptare për bashkim. Për më tepër, Dedë Gjon Luli duhej të konsiderohej edhe si njeriu që ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare, në atë kohë. Si përfundim i luftërave të malësorëve për liri, gazetat europiane të kohës shkruanin për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo më duke përdorur një fraza të zbrazta gjeografike, por shkruanin për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit turk: për një popull i cili dëshironte bashkim të trojeve të veta etnike — ndër më homogjenet në Europë– pasi si sanxhak ottoman, Shqipëria ishte e ndarë në vilajete dhe administrohej nga një sistem i egër otoman. Për më tepër, Kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritjet e tjera mbarë shqiptare në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, duke çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor, 1912.

Dedë Gjo’ Luli, si rradhë ndonjë tjetër patriot shqiptar, pati guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë osmane dhe kolonializimin shekullor të shqiptarëve ngaa institucionet e sajë. Si i tillë, ai ndryshoi përgjithmonë historinë e kombit shqiptar, duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe të pavarësisë politike të një shteti të pavarur, të quajtur Shqipëri. Vepra e Dedë Gjon Lulit dhe e malësorëve të tij mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik e patriotik, që do që meritonte të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale dhe të vlerave atdhedashëse të malësorëve dhe të kombit shqiptar, në përgjithësi, për të jetuar në liri dhe duke sunduar veten, larg influencave të huaja, kundër pushtuesve të huaj dhe të gjithë atyre që, historikisht, nuk ia kanë dashur kurrë të mirën shqiptarëve — as atëherë, as sot! Me heroizëm dhe sakrificë Dedë Gjon Luli dhe malësorët e tij — i ndëjtën besnikë vlerave shekullore të fisit të shqiptarëve: mbi të gjitha drejtësisë dhe lirisë, si dhe vet-sundimit dhe vlerave të Kombit Shqiptar – besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke, si dhe të armiqëve të tjerë të afërt dhe të largët të Kombit shqiptar, ndër shekuj. Dedë Gjon Luli ishte personfikimi i këtyre vlerave shekullore të shqiptarit.

Ded Gjon Luli duhet të kujtohet edhe sot si një figurë e kombit shqiptar i cili i me shembullin e tij u thotë edhe sot shqiptarëve se kjo tokë e vjetër nuk mund të nxirret në ankand për tu shitur nga askush. Duke ngritur flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbe, për herë të parë në pesë shekuj, Dede Gjon Luli ka ndërruar përgjithmonë fatin dhe epokën e Shqiptarëve.

Prandaj, në këtë 105-vjetor të vrasjes nga serbo-malazezët, Ded Gjon Luli meriton të njëjtin respekt që i akordohet rilindasëve të kombit dhe baballarëve të pavarësisë së Shqipërisë, si Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Mungesa e vazhdueshme e respektit zyrtar për Ded Gjo Lulin, si figurë historike dhe e veprës së tij atdhetare por – të pakën edhe e një kujtimi sadopak simbolik të tij në përvjetorë si ky 105-vjetor, më bën të ndihem se edhe ky kujtim modest nga ana ime –mijëra kilometra larg trojeve shqiptare – në të vërtetë nuk është asgjë më shumë se një kujtim i bjerrur. Si rrejdhim, në këtë përvjetor, së bashku me Fan Nolin, dua të shprehem se megjithë, “Trimëritë, mençurinë, guximin dhe vetëdijen e lartë që kishte dhe për sakrificat që bënte për Atdheun e tij”, Ded Gjon Luli — edhe unë ashtu siç është shprehur edhe Noli — “Jam ndjerë i pezmatuar, kur vonë u rehabilitua nga sistemi komunist dhe shumë pak u përmend”, Ded Gjon Luli, sipas Fan Nolit. Besoj se Noli do të shprehte të njëjtin zhgënjim edhe sot se si politika 30-vjeçare post-komuniste trajton Herojt e Kombit si Dedë Gjon Lulin dhe kontributin e tij ndaj lirisë dhe vet-sundimit të Kombit!

Me heshtjen e tij, regjimi komunist i Enver Hoxhës e dënoi për së vdekuri Dedë Gjon Lulin, heroin e luftërave për Flamur dhe Pavarësi të shqiptarëve. Fatkeqsisht, është kjo një heshtje që vazhdon edhe në periudhën post-komuniste. Çdo komb tjetër po mos të kishte një hero si Ded Gjo Lu do ta çpikte një të tillë. Sot, udhëheqsit shqiptarë, për fat të keq, adhurojnë më shumë pasardhësit e atyre kombeve që kolonizuan tokat shqiptare për pesë shekuj, madje duke u ndërtuar atyre edhe përmendore në tokat shqiptare që dikur i kishin zaptuar dhe jo heronjtë, e luftërave për Flamur dhe Pavarësi të Shqipërisë, si Dede Gjon Luli. Megjithëkëte, “Historia vonon, por nuk harron”, ka shkruar Fan Noli, në kujtim të heroit mbarëkombëtar, Ded Gjon Lulit.