DEDE GJO LULI – SHEMBULLI MË I MIRË I ÇËSHTJES KOMBËTARE

0
1106

NGA JAHJA LLUKA

Se sa sublime është dashuria ndaj atdheut, se sa e shejtë është mbrojtja e pragut të shtëpisë, edhe kur shancat janë të pamundura dhe fitorja thuajse është e paarrirë, shpirti luftarak i malsorit Dedë Gjo Luli duhet të jetë shembull, si njeri që i kushtoi çështjes kombëtare mbi gjysmë shekulli jetë, duke mos u dorëzuar deri në frymën e fundit. Familja e Gjo Lulit në historinë shqiptare njihet me përkushtimin e denjë ndaj dashurisë së atdheut. Nga kjo derë e madhe lindën shumë burra që me veprën dhe gjakun e tyre do të ngisinin në përjetësi emrin e fisit të tyre, sa madhështor aq dhe të dhimbshëm por të vdesësh për atdhe është akti më i lartë që mund të jep njeriu nga vetja.

Kur shfletojmë historinë radhë nëpër epoka do gjejmë se si kjo tokë e bekuar lindi shumë trima e trimëresha të cilët nuk e njihnin frikën dhe dorëzimin ndaj armikut. Shpirti i shqiptarit është i etur për liri, në mohimin e tyre nga bota, në vuejtjen e tyre pa mbarim shqiptarët janë një ndër popujt e rrallë që njeh historia, sepse anjëherë nuk pranuan dorëzimin e aq më pak nënshtrimin. Trimi i madh Dedë Gjo Luli u lind në Traboin më 1840, emrin e trashëgoi nga gjyshi për tu bërë njëri ndër figurat më të mëdha të qëndresës shqiptare.

Si i ri u njoh me Prende Gjeloshin, me të cilën lidhën kurorë dhe nga kjo martesë paten katër fëmijë dy vajza dhe dy djem. Shpirti i tij luftarak nuk e lejoi që të rrinte anash në luftën për shlirimin e Shqipnisë, Kongresi i Berlinit me vendimet e tij, la jashta shumë territore shqiptare duke ja dhuruar fqinjëve, kështu trimi Gjo Luli u angazhua në luftën heroike në mbrojtjen e Hotit dhe Grudës të cilat ju dhuruan Principatës së Malit të Zi. Populli iu bindën fjalës dhe luftës së Gjo Lulit, ai udhëhoqi malësorët e Hotit dhe Grudës dhe Kelmendit, në Kryengritjen antiosmane të 1911.

Ndezi gjakun e malsorëve për ta ngjallur qëndresën e tyre, që të zgjidheshin njëherë e përgjithmonë nga pushtimi turko-sllav,duke bërë të mundur kështu hapjen e një epoke të re me shpalljen pavarësisë e Shqipërisë e cila nuk do ishte ashtu siç deshën shqiptarët. Luftrat ballkanike dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër ishin ogur –zeza për kombin tonë.Ishte mbi 70 vjeç por pushka e tij nuk ndali edhe atëherë kur ja vranë birin Gjergjin në moshën 22 vjeçare dhe kushëririn Nik Gjelosh Lulin. Me zemrën e thyer, burrërisht nuk u ndal jo vetëm ai por gjithë Malësia gjëmuan, duke dhënë mesazh fqinjëve pushtues se gjaku shqiptar nuk shuhet edhe atëherë kur dielli nuk arrinë të lind.

Do ja ndalte hapin Turgut Pashës në Tuz, i cili erdhi të pushtojë Malësinë, poashtu dhe Etem Pasha me misionin e tyre prej 27 mijë ushtarësh shumë më të armatosur sesa trimat e maleve, nuk arrijnë të mposhtin djemtë e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli. Malet gjëmonin, toka çahej, Evropa bënte sehir, por askush s’arriti ta qante qëndresen madhështore të trimave akilian, në mbrojte të atdheut të shejtë. Ishte shtator i vitit 1915 kur Deda, ballafaqohet me një pritë në Sheshëz afër Oroshit. Ai vritet pabesisht nga hordhitë serbo–malazeze.

Tri vite pas me 1918, djali i tij Kola do ndërronte jetë si pasojë e helmimit. “Më 1920, në verilindje të Shkodrës, do të binte me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit i djathtë i tij ndër beteja. Jo vetëm këta, por dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne, Baca Xheka, miqtë e shtëpisë, Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë e zgjasin shumë listën e dëshmorëve për Atdheun të këtij fisi.”

Dërgoi për publikim, Skënder Mulliqi, gazetar