Isak A H M E T I
Kohë më parë poeti Sarë Gjergji nxori në dritë librin e tij më të ri me titull jo të zakontë: AVE AELIA, (redaktor :Mehmetali Rexhepi, recensent:Alisa Velaj, botues: adoniS a.h, Durrës, 2018).Ky libër që është i veçantë dhe me vlera shumështresore hapet me poezinë, shumë domëthënëse, minjaturale : AROMË ZJARRI
Gjithçka fillon me Ty,
me ujin, ajrin dhe tokën
dhe ja rruzullimi.
Ti mollë e syve të mi
mitet e pathyeshme thyen.
Vlen të theksohet se poezia e Sarë Gjergjit në përgjithësi dhe ajo e librit më të ri, në veçanti, me strukturën e veçantë tekstore-poetike, me shumësinë dhe thellësinë kuptimore, biblike-filozofike, që ngërthen në vete, me nëntekstin e pasur poetologjik, si një strukturë e hapur, si do thoshte U. Ecco, bën njërën ndër pjesët, më të bukura kuptimore të poezisë sonë më të re. Poezia e librit në fjalë, që lexohet me një frymë, e ku dashuria është obsesioni kryesor i poetit S.Gjergji, është poezi elitare, shumë e veçantë, origjinale, është poezi himn-psalm dashurie e ndikuar fuqishëm nga Bibla, kryesisht nga Libri i Zanafillës dhe nga Kënga e Këngëve.
Ky libër, shkruan Dr. Alisa Velaj, lexohet si reminishencë biblike e rrugëtimit të qenies njerëzore apo nostalgji edenike. Teksti poetik i këtij libri të S.Gjergjit, sipas vlerësimit të Mehmetali Rexhepit, është shpërthyes, ngërthen dhe zbërthen metafora dhe epitete metaforike me ritme dramatike. Vargjet dhe strofat rrjedhin lirshën shtratit të lumit dhe çojnë ngushticave “malore” të semantikës.
Libri”AVE AELIA” vendos në qendër të tij zanafillën biblike të krijimit të njeriut, Evës dhe Adamit, për ta shndërruar atë, përmes përpunimit poetik, në Zanafillën e lindjes së dashurisë, që është një temë dhe ndjenjë e përjetshme, universale, edhe në botën e poezisë. Kështu, prandaj, poeti S.Gjergji përmes një mjeshtrie të rrallë poetike-krijuese, përmasën erotike të jetës njerëzore, i ka ngritur dashurisë një nga himnet më të bukura të poezisë shqipe (Dr.Alisa Velaj).
Për më tepër, Adami dhe Eva, kryepersonazhe të librit,janë rikënduar dhe “rivlerësuar” në kohë dhe dimensione të reja, në një frymë të re poetike por pa iu shmangur konceptit themelor të Biblës, Librit të Zanafillës as Këngës së Këngëve. Shën Diellza apo Shën Dashuria është për mashkullin domosdishmëri dhe zotërim, luftë dhe paqe. Në këtë kuptim, shkruan Dr. Alisa Velaj, poeti S.Gjergji ka arritur ta zbërthejë psikologjinë e botës mashkullore me një kthjellësi dhe qartësi solomonike.
Në këtë libër të S.Gjergjit secila poezi është më e bukur se tjetra. Mëgjithëkëtë unë këtu do veçoja më shumë disa prej tyre si:
1. Jehonë e butë kënge (ose Psalm për Pemën e Jetës),
2. E diel ndryshe;
3. Meditim për dashurinë,
4. Në ditën e shtatë,
5. Njësoj si dje
6. Evë Evë,
7. Nga Libri i Zanafillës,
8. Prilli (Nga Libri i Zanafillës),
9. Adamah;
10. Psalm 151, etj.
Te poezia: Adamah, p.sh. poeti me të drejtë do këndojë:
“Pa ty, Evë jam
veç një Adamah”, ndërsa te poezia: Prilli (Nga Libri i Zanafillës), këndon si vijon:
“Pasi krijoi qiellin e tokën
për tri ditë rresht,
në të katërtën Hyji tha:
“Le të bëhet prilli”Atëherë qiell e tokë galduan,
e ëmbla aromë prilli,
pushtoi kohët:
të djeshmen,
të sotmën,
të nesërmen.Hyji shkroi faqen e librit të mirë,
e bekoi e i fali amshimin…E ti, bëhu prill!”.
“E diel ndryshe”është titulli i një poezie. Pse e diel ndryshe? Sepse, këndon poeti:
“nuk këndohen psalme si rendom
edhe Kënga e Këngëve mungon”.
Krejt në fund le të theksojmë se thelbi i librit në fjalë është “prushi” i dashurisë, si një thirrje për dashuri, për pranimin e tjetrit, për dashuri e mirësi ndaj tij, është poezi për domosdoshmërinë e mbajtjes ndezur gjithnjë të flakës së dashurisë jo vetëm si ndjenjë, si cilësi, si tipar a virtyt i njeriut, por si esencë e qenies njerëzore, qoftë dashuri tokësore apo dashuri hyjnore.
Në Arbon të Zvicrës,
27 prill 2018