Nikolin Sh. Lëmezhi
Të flasësh për dashurinë në Besëlidhjen e Re nuk mund të mos të të shkojë mendja menjëherë tek Himni i Dashurisë i Palit Apostull, teksti që përshkruan dashurinë dhe që është më i frymëzuari i të gjitha kohëve: 1 Korintianëve, kapitulli 13. Jemi mësuar të ndiejmë se Dashuria është Mbretëresha e të gjitha virtyteve në përshpirtëri dhe në katekizëm kemi mësuar se është njëra prej tri virtyteve teologale, ose virtytet e besimit: feja, shpresa dhe dashuria. Ajo që na përshkruhet në himnin e sipërpërmendur. Dhe është kështu.
Sidoqoftë, Dashuria e Hyjit nuk është një ndjenjë, as një Virtyt, por është një lidhje midis Zotit dhe njeriut që zbulohet në një mënyrë konkrete në Jezu Krishtin, Bir i Zotit dërguar në botë si “Fli Shlyerjeje” për mëkatet tona dhe pikë e shpëtimit:
a) “Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por – Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona”. (1 Gjn. 4, 10)
b) “Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne”. (Rm. 5, 8)
c) “Ne e njohëm dashurinë që Hyji ka kundrejt nesh dhe i besuam asaj. Hyji është Dashuri, dhe, kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të”. (1 Gjn. 4, 16)
d) “ Me këtë gjë e njohëm dashurinë: Jezusi e dhuroi jetën e vet për ne. Edhe ne e kemi për detyrë ta japim jetën tonë për vëllezër”. (1 Gjn. 3,16)
Duke vënë dashurinë si pikë kryesore, feja e krishterë pranon thelbin e fesë së Izraelit dhe i jep këtij thelbi një thellësi të re, duke vënë në jetë fjalën e Ligjit të Përtërirë, që përfshin zemrën e ekzistencës njerëzore:
“Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm!
Duaje Zotin, Hyjn tënd, me gjithë zemrën tënde,
me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde!”. (Lp. 6, 4-5)
Jezusi bën porosinë e tij dhe thotë:
“Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!”. (Mk. 12, 29-31)
3. Pasi Hyji na ka dashuruar i pari, dashuria nuk është vetëm një urdhër, i pari ndër urdhra, por është përgjigje e dhuratës dashurore, me të cilin Zoti na del përpara.
4. Dashuria e Hyjit, zbuluar në Birin e tij, është totale dhe universale:
“Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të humbë asnjë ndër këta të vegjëlit”. (Mt. 18, 14)
Krishti vdiq për të gjithë njerëzit pa përjashtim: “S’ka qenë dhe nuk do të jetë
kurrë asnjeri, për të cilin Krishti s’ka dhënë jetën e tij”. (Katekizmi i Kishës Katolike 605)
5. Dashuria e Krishtit zbulohet në flinë e tij më të lartë:
“Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet”. (Gjn. 15, 13)
Pranojmë në zemrën e Tij njerëzore dashurinë e Atit për gjithë njerëzit dhe Jezusi
“i deshi deri në pikën e fundit”. (Gjn. 13, 1)
„Askush nuk mund të ma marrë jetën: por unë e jap prej vetes„. (Gjn. 10, 18)
Benedikti XVI, në Enciklikën e tij të parë fliste për dashurinë: “Deus Caritas est”, dhe e ndante atë në dy pjesë; pjesa e parë dhe ajo më e rëndësishmja saktëson disa të dhëna thelbësore në dashurinë për Zotin dhe lidhjet e brendshme mes dashurisë hyjnore dhe asaj njerëzore, ndërsa pjesa e dytë ka një karakter më konkret në praktikimin e dashurisë ndaj Zotit.
Të gjitha mesazhet e Jezusit dhe të Kishës janë përqendruar mbi temën e dashurisë së Zotit për ne e të dashurisë sonë për Zotin dhe për të afërmin. Ky është i pari dhe më i madhi urdhërim.
Në këtë Enciklikë ka një rivlerësim voluminoz në Besëlidhjen e Vjetër dhe na fton të shikojmë Besëlidhjen e Re, si zhvillim i së Vjetrës, pa asnjë ndërprerje, por si plotësim i Besëlidhjes së Parë.
Mesazhet e Papës përmblidhen kështu:
1. Jezu Krishti është dashuria e mishëruar Hyjit: “E reja e vërtetë në Besëlidhjen e Re, nuk qëndron në idetë e reja, por në vetë figurën e Krishtit që u jep mish dhe gjak koncepteve” (DCE 12).
a) Në shëmbëlltyrat e mëshirës së Lukës: Delja e humbur, paraja e humbur dhe i biri plangprishës (Lk. 15).
b) Në shëmbëlltyrën e gjykimit final (Mt. 25, 31 – 46) që i përmbahet dashurisë, thotë:
“Mbreti do të përgjigjet: Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt. 25, 40).
2. Dashuria për Hyjin dhe dashuria për të afërmin shkrihen në një të vetme: në më të voglin takojmë Jezusin, takojmë Zotin:
“Nëse ndokush thotë: »E dua Hyjin«, e këndej e urren vëllain e vet, është gënjeshtar. Sepse kush nuk e do vëllain e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë”. (1 Gjn. 4, 20)
3. Dashuria për të afërmin është një rrugë për të takuar Zotin dhe kur mbyllim sytë përballë të afërmit bëhemi të verbër edhe përballë Zotit (Benedikti XVI):
“Asnjeri nuk e ka parë kurrë Zotin siç është Ai në vetvete. E megjithatë Hyji nuk është për ne totalisht i padukshëm, dhe nuk ka mbetur për ne si i paarritshëm… Hyji është bërë i dukshëm: tek Jezusi ne mund të shohim Atin (Gjn. 14,9)… Ai vjen e na takon, na bën për vete deri në Darkën e Fundit, deri në shporimin e Zemrës në Kryq, deri në fund të shfaqjes së të Ringjallurit dhe të gjitha veprave të mëdha, nëpërmjet të cilave, përmes veprës së Apostujve, ka udhëhequr Kishën që ishte duke lindur…” (Benedikti XVI).
4. Dashuria për Zotin dhe dashuria për të afërmin janë të pandara, janë një urdhër i vetëm: të dyja jetojnë nga dashuria që vjen prej Zotit, që na ka dashur i pari. Dashuria nuk ka qenë një urdhër, por një përvojë dashurie dhuruar nga brendësia, në një dashuri që në fund duhet të jetë pjesë për të tjerët. Dashuria rritet nëpërmjet dashurisë.
Dashuria është hyjnore sepse na bashkon me Hyjin, sepse vjen nga Hyji dhe na shndërron në brendësi, duke shartuar në jetën e njerëzve një limfë të re që heq ndarjet dhe përcjell në udhën e Njësisë dhe të Paqes. Bëhemi një gjë e vetme, gjersa Hyji të jetë «gjithçka në të gjithë». (1 Kor. 15, 28).