7.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

DASHURIA ËSHTË PËR TË MËNÇURIT

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

fragment romani.

Një fragment nga romani DËGJO, FLORIRI IM: Dashuria është për të mençurit.

Kristaq Turtulli

Gjyshi Rubin me trupin e drejtë si selvi, të zhdërvjellët hyri mes grumbullit të dasmorëve, kënduar dhe luajtur në kitarë. Balli i gjerë i djersitur, gjithë shkëlqim, si i mbuluar me margaritarë. Hodhi këmbën e majtë përpara, përkuli trupin, si të bënte përshëndetje fisnikërie, zgjati qafën, ngriti kokën. Bëri një gjysmë rrotullim, fshikulloi ajrin, këndoi:

Qyteti është sy zgjuar, po përgjon,
Doli flladi, rrugicave rrëshqet,
Falma moj Retinë syn e zi,
Dale moj, me gojë pse s’më flet…

Por Retina ka sy të kaltër dhe flokët gështenjë. Ajo vështron sy ngulur e hutuar burrin e saj. Po e puthin të gjithë të ftuarit e dasmës. Dreqet janë të zellshme, e puthin pa u lodhur në buzë dhe në faqe. Disa femra të paturpshme, bile edhe mesogra, iu varën në qafë si të papara, gati t’i marrin shpirtin, lanë gjokset e mëdhenj të bardhë t’u dalin jashtë, si pellgje me leshterikë. Ato duan ta joshnin, t’i hedhin grepin, ndaj i kacavirreshin ashtu. Hëm, i përdridhen pa turp dhe namuz. Oh nëne, kërkojnë ta mbytin burrin e saj të ardhshëm në pellgoret e marrëzisë dhe dëshirës së papërmbajtur femërore! Largohuni tutje!

Retina do të klithë me të madhe, të shkundë dasmën. Të pacipat ende s’po i shqiten, i marrin frymën burrit të saj! Ku u gjendën gjithë ato oaze mishtore në dasmë! E di shumë mirë që Rubini është mashkull i bukur, por mbytja në pellgje me leshterikë të gjokseve femërore është mbytje madhe, e papërballueshme, tmerrësisht e padurueshme për një nuse të brishtë si ajo, që nuk di se çfarë është prekja mashkullore. Nata e parë e martesës duhet të jetë si porta e thurur me ar e parajsës. Ajo duhet të hyjë në atë portë si një bulëz e freskët vese, të preket, të shijohet vetëm nga ai mashkull i pashëm.

Xhelozia, si krimb i vogël i hynte në shpirtin e brishtë, s’e linte të qetë. ‘Rubin të lutem, mbaje të freskët, të pa prekur afshin, flladin dhe aromën e mrekullueshme të burrit, mos u a le të ta rrëmbejnë epshet e femrave gjoks përveshura! Lëre kitarën. Të përgjërohem. Eja ulu këtë pranë meje, si gjithë dhëndurët e tjerë! I marrosur gratë e botës… ‘

Ai një meteor verbues, përvëlues! Vetëm majat e gishtërinjve të këmbëve i prekin dërrasat e lara, të kruara me kujdes të dyshemesë. Ishte një kërcim i rrallë, elegant, siç di të kërcente vetëm ai. Balli i shkëlqente, sikur drapri i hënës preu qindra cepa yjesh dhe derdhi më pas në ballin e në trupin e tij…

Gjyshen e mbërthente meraku. Ajo donte të lëvizte të turrej, ta tërhiqte prej andej, ta kish të tërin për vete. Sa të vështirë e paskan nuset, sidomos nuset e reja, kur kanë burrat e bukur, të gjallë, të shkathët si Rubini! Shih, shih, një vajzë e re, gërshetë gjatë si litarë, nga mëhalla e kasapëve, vrapoi drejt tij. Dale, iu var në qafë, seç po i thotë! Oh jo, oh nëne! Ja ngjiti buzët burrit të saj si e ndërkryer. I mbajtka të mbërthyera fort, s’ ja shqit, si t’i rrëmbejë të gjithë bukurinë mashkullore!

Po i thahej buza dhe korseja i merrte frymën, ishte gati t’i këpuste telat e korsesë, të lirohej nga sikleti. Vallë a do ketë vend në fytyrën e tij për puthjet e saj të mëvonshme? Të jenë kaq të ndezura femrat! Zuskat kanë meshkujt e tyre në krah, ç’duan me mashkullin e botës dhe aq më tepër me një dhëndër! Donte të ngrihej, paçka që dikush i vendosi dorën mbi sup. Ngriti kokën ngadalë, vështroi si nëpër mjegull fytyrën e lodhur të nënës së saj. Retina nuk kishte zë që t’i fliste nënës, së paku të largonte dorën nga supi. Kërkoi sytë e nënës por dhe ajo i kishte tretur mbas dhëndrit. U mundua të merrte frymë thellë por në sallë ajri ishte i rrallë. Dasmorët ishin ngjeshur njëri mbas tjetrit dhe Rubini humbi mes tyre.

Krejt befasisht Rubini u shfaq përpara saj. S’e la nusen e tij të tirrte gjatë. E tërhoqi butë nga krahu, qëndroi në mes të sallës, si t’i thoshte se jeta i pastron shumë shpejt yjet e rreme dhe mbjell yje me vlerë.

Ajo u përpoq të kundërshtonte, përpëliti qerpikët, mërmëriti disa fjalë të pakuptimta, por në realitet donte të thoshte: Në qoftë se atë arrakatin e bukur e mbërtheu syri i keq, që e shtyu të vepronte kësisoj, e pazakonshme për zakonet dasmore… Nuk mundej, nuk kishte sesi. Ishte nuse, dasmat janë të nuseve dhe, veprimet e tyre mbahen mend deri në vdekje. U përpoq ti largonte krahun. Zhurmëtar ke qenë përherë. Ajo do të shkonte, nuk do linte syrin xheloz ta shigjetonte. Por… nuk mundte. I ngjau vetja si zogu i vogël i pulës. Donte të bërtiste. Zëri i humbi në folësen e gjoksit.

Ja bleu mendimet. Vështroi Retinën ngultas. Me lëvizje të vrullshme i shkoi krahun poshtë belit të nuses, si të rrëmbente puhizën pranverore. Gishtin e madh e futi poshtë kopsës së korsesë, pastaj bëri një rrotullim si fllad së bashku me të. Retinës iu morën mentë, ishte e përhumbur, por njëherësh e përshkënditur. Në dasma nuset janë epiqendra dhe njëkohësisht harresa e saj. Rubini me një shikim të shpejtë përfshiu gjithë gjendjen dhe përkuli me delikatesë trupin e Retinës si t’i jepte krahë fluturimit në valsin e ëndrrave. Drejtoi trupin një copë herë, u përkul lehtë, ngadalë. Koka u drejtua drejt kokës të mbushur me lule të nuses. Cepi i mustaqes së hollë lëvizi me vrull dhe me solemnitet i dhuroi nuses së tij puthje gjithë afsh sa që shkaktoi në sallë një psherëtimë të gjatë.

Nuk dashuroj as unë as ti
Por dashuron dashuria…

I pëshpëriti në vesh. Rubini vërtet Rubin i çmuar. Nuses iu morën mente. Çfarë trille të çuditshme ka burri i saj! E mbante të shkëputur nga toka, si të ishte re e vogël pupëlore, në një qiell të pafund, të përmbytur nga vështrimet xheloze të femrave të botës. Pastaj i rrëmbeu buzët, si të ishin dy copëza qershie, duke i marrë frymën me puthjen legjendare, që u përfol në qytet për vite me radhë.

Gjyshi Rubin mbajti nusen në krahë. E çoi në dhomën e çiftit të ri. Perdet të ngritura dhe hëna e plotë, e argjende, nazemadhe. E lëshoi ngadalë në shtratin e madh me dyshek të trashë, me pendë shpendi dhe i pëshpëriti në vesh:

“Hiqi teshat, zhvishu, shtojzovallja ime.”

Retina luajti kryet ngadalë dhe vështroi përreth e hutuar. Të zhvishej, çfarë thotë ky Rubin! Prapa derës përgjojnë dasmorët, gjysmë të dehur. Perdet e dritareve janë të hapura. Hëna përtej, në qiell u ka ngulur sytë paturpësisht, gjithë shkëlqim hënor. Ai e tërhoqi ngadalë, butë nga vetja dhe i rrotulloi me kujdes kopsën e parë të fustanit të nusërisë. Ajo u drodh.

“Të lutem, mos,” murmuriti ajo: “Hëna është përtej.”

“Çfarë?! ia pat Rubini me drithërimë të lehtë në trup. Lëkura e bardhë e gruas e pështjellonte. Ç’punë ka nusja e tij me hënën e hutuar që qëndron shumë lart në qiell:”E pastaj. Na qenka hëna! Ajo është qore.”

“Nuk është qore hëna jo, shiko si na shkel syrin. Mbulohemi me kuvertë më mirë,” pëshpëriti dhe ngriti cepin e kuvertës me lule: “Zhvishem nën rroba dhe pastaj të flemë së bashku. Hë të lutem! Mirë?”

Rubini ndjehej i paduruar. Ishte i ndezur, zjarr. U ngrit me nxitim dhe tërhoqi perden e trashë. Dhoma u përmbyt nga errësira. Ndërkohë Retina hoqi fustanin. Ai ndezi dritën. E trembur nusja mbuloi me nxitim trupin me cepin e kuvertës.

“Mos,” ia bëri ajo: “Të lutem mbylle dritën!”

“Çfarë bën! Ne jemi në dhomën tonë dhe është nata jonë e parë e shenjtë. Këtë natë gjumi është për të marrët dhe dashuria është për të mençurit.”

“Kam ndroje,” murmuriti ajo.

“Oh Retinë, ne tani jemi një trup. Hë de zhvishu, hiqi të linjtat. Po përvëlohem, po zhuritem si qiriu!”

“Kam frikë Rubin, kam shumë frikë, mos gjesh ndonjë të metë në trupin tim dhe do të detyrohem të vras veten,” pëshpëriti ajo.

Nusja e re fërgëllonte si një lule në erë. Ai buzëqeshi lehtë dhe përkëdheli butë flokët e saj.

“Me të puthura do të vrasësh veten moj e mira ime?” foli zë ulët.

Retina lëvizi kryet gjithë naze dhe vari buzët. Si t’i thoshte atij, tallu ti tallu, por s’ është e lehtë për një nuse kur i gjenden të meta në trup. Ai qeshi me të madhe dhe e puthi gjithë afsh në gushën e bardhë. Ajo u shtriq. Retina ishte vërtet një nuse e vogël e paditur. Ai e puthi ngadalë në buzë. Ajo u drodh, picërroi sytë, lëvizi qafën me nervozizëm të lehtë dhe shtrëngoi kuvertën në gjoks.

Buzët e tij ishin të ngrohta, të njomura, provokuese, gjithë nektar dhe ajo dëshironte të puthej akoma më tepër, por jo të zhvishej në dritë të plotë. Rudini me delikatesë i largoi kuvertën dhe kundroi gjithë dëshirë gjinjtë e bardhë, të rrumbullakët, të pafajshëm. Ajo rrëzoi sytë përdhe, nisi të merrte frymë me vështirësi, si t’i pengohej diku brenda gjoksit të saj.

“Më duket se kam gjinj të mëdhenj,” foli ajo zë ulët si pëshpërimë, dhe vuri duart në gjoks. Ai i largoi duart me kujdes pa u mërzitur. Ajo nuk kundërshtoi.

“Ke gjoks të vogël, të mrekullueshëm Retina ime, si dy korrka portokaj gjithë aromë. Më lër të thith aromën e tyre, të prehem, të ndjehem si në parajsë.” dhe vendosi kokën e bukur në gjoksin e saj.

Ajo u skuq nga kënaqësia, donte t’i thoshte mbi dyshimin e përhershëm. Sa gjokse femrash ke prekur, por nuk mundi. Ai nuk ishte i dhunshëm, po i ngacmonte lehtë thithkat e vogla. Po luante me gjinjtë e saj dhe trupi i bëhej mornica. I u lut përsëri që të futeshin ne shtrat, pastaj ai le të bënte çfarë të donte me të. Ai nuk ia prishi u futën së bashku në shtatin e madh dhe filluan të ngacmoheshin, të përkëdheleshin dhe të kërlesheshin si kurrë ndonjëherë….

Kur valët e epshit ishin shuar, u ngrit nga shtrati dhe eci ngadalë drejt dritares, e zhveshur lakuriq, si një shtojzovalle. Vështroi jashtë, përtej dritares, në qiell, hëna ishte akoma aty, por dukej e zbehtë e lodhur, gati e fikur. Rubini u rrotullua në krah, vështroi trupin e saj të mrekullueshëm, të zhveshur që lëpihej xhelozish prej dritës së dridhshme të hënës. I foli, i thirri zë ulët, të fillonin të bënin dashuri nga e para. Ajo u kthye, eci ngadalë në majat e gishtave mbi qilimin e trashë. Ngjante si një statujë klasike. U ndeh gjithë naze drejt tij, gjoksi iu var mbi të si fruta të dëshiruara. Ai zgjati duart dhe ia shtrëngoi fort. Ajo fërgëlloi e tëra.

“Të ndez dritën?” i pëshpëriti.
“Ndize!” i foli ajo zë ulët.

Ai qeshi lehtë dhe e rrëmbeu vrullshëm në krahët e tij…

- Reklama -

Më shumë shkrime

Shkrimet e fundit