“DASHURI NË KOHË LUFTE”-ROMAN EPOPE PËR LUFTËN E UÇK-së

0
874

Me rastin e Përvjetorit të betejës së Koshares (9 prill 1999-9 prill 2018), shkrimtari Sahit Shala i dhuron popullit shqiptar dhe lexuesve të tij të shumtë romanin, i cili bën fjalë për këtë ngjarje të rëndësishme historike.

Shkruan Zymer Mehani

Romani “Dashuri në kohë lufte” është roman epope për luftën e UÇK-së. Skajet e romanit kapin periudhën më dramatike të shqiptarëve të Kosovës, pra vitet 1998-1999, kur edhe shpërtheu lufta kundër okupatorit serb. Shkrimtari Sahit Shala arrin që në shumëdimensionalitet të paraqesë zhvillimet e kësaj periudhe duke pasqyruar rrezikun që i kanosej qenies sonë kombëtare dhe të ekzistencës sonë njerëzore në këto hapësira, që vinte nga sistemi okupues, duke i kaluar kufijtë për të arritur deri në gjenocid. Lajtmotivi i romanit është qëndresa prometheike e njerëzve të lidhur për truallin e vet, qëndresa e bijve dhe bijave më të mira të popullit kundër armikut qindvjeçar, deri në luftë të armatosur. Edhe pse kjo qëndresë manifestohet në disa variante të saj, që shprehin situata të ndryshme të jetës në luftë, prapë se prapë motivi i qëndresës në roman do të mund të cilësohet si “qëndresë i të voglit ndaj të madhit”.

Në romanin “Dashuri në kohë lufte” shkrimtari ka ndjekur hap pas hapi jetën, hallet dhe brengat, luftën dhe fitoren e UÇK-së në një periudhë të caktuar (njëvjeçare). Është meritë e zotit Shala pasqyrimi i kësaj periudhe duke e lartësuar madhështinë e saj. Në faqet e romanit vërehet se autori di ta zotërojë plotësisht formën e të rrëfyerit dhe ta shtjellojë subjektin plotësisht. Po ashtu i portretizon me sukses figurat e ushtarëve në rrethana e mjedise të caktuara. Por, mos të harrojmë se shkrimit të autorit me vlera njohëse nuk i mungon as forca përgjithësuese dhe emocionale.

Krahas përpjekjes për të vënë me vërtetësi ngjarjet dhe figurat, në shumë faqe të romanit zë vend edhe ndjenja e krenarisë (kombëtare). Me mirënjohje e respekt autori flet për bijat dhe bijtë e popullit, që nuk bëjnë ndonjë veprim të jashtëzakonshëm, por vetëm se vëhen në shërbim të atdheut, duke i lënë librat dhe duke i rrokë pushkët për të luftuar për liri. Kështu ata vetëm se po e kryenin detyrën ndaj atdheut me vendosmëri, guxim, dhe me bindje për fitore ndaj armikut, që është karakteristikë për çdo ushtar çlirimtar.
Në roman, në tablot që i paraqet autori, zotëron atmosfera e luftës, guximi dhe vullneti i luftëtarëve, optimizmi dhe bindja e fitimit të lirisë. Personazhet janë, si të thuash syri popullor me të cilin sheh e pasqyron këto situata. Ata janë tipa të zgjuar, trima, të ndershëm, të guximshëm që në çdo çast janë të gatshëm të flijohen për liri të atdheut. Këta janë njerëz që e kanë bërë luftën, e këtu është theksuar ideja se e sotmja ushqehet prej traditës së bukur të së shkuarës dhe kësisoji bën që e kaluara të shihet dhe vlerësohet edhe në këndvështrimin e arritjeve e të perspektivave të çlirimit.

Në të gjitha episodet, krahas luftëtarëve të vjetër, siç ishin xha Marku, p.sh., një hokatar, tip gaztor, i mençur, me përplot thumba satirikë në biseda me të tjerët e ndonjë tjetër, me interesim të veçantë autori ravijëzon figurat e luftëtarëve të rinj, brezit të ri si faktor madje jetik dhe vendimtar për arritjen e fitores. Kështu shkrimtari ia ka dalë që me sukses të pasqyrojë unitetin e brezave në flakët e luftës për liri.

Kryesisht në roman mbizotëron përshkrimi. Në rastet kur rrëfen autori, përshkrimi merr shtrirje më të gjerë dhe kalohet lehtësisht nga një situatë në tjetrën, kështu që edhe karakterizimi dhe vlerësimi i figurave kryesore bëhet më i drejtpërdrejtë, me anë vlerësimesh të shkrimtarit ose të opinionit shoqëror, që sjell rrëfyesi, si p.sh për Agim Ramadanin, Sali Çekajn etj.

Mund të themi se romani “Dashuri në kohë lufte” i shkrimtarit Sahit Shala bart një copë jete dhe sjell tipa personazhesh të veçantë. T’i kujtojmë Veselin e Sokolin, Dianën e Besën, Zanën e Yllin dhe një galeri të tërë personazhesh të tjerë që e përshkojnë romanin, ku secili është botë në vete, më trim a trime se tjetri, më i mençur po ashtu dhe më atdhetar sa s’ka. Falë guximit, vendosmërisë dhe sakrificës së tyre, ndodhi që në Betejën e Koshares, më 9 prill 1999 të thyhet triumfalisht kufiri famëkeq shqiptaro-shqiptar. Autori Shala sjell material jetësor nga faza vendimtare e Betejës së Koshares dhe Operacionit “Shigjeta”. Me përshkrimin e kësaj ngjarjeje, autori ka dashur të paraqesë dy aspirata të luftëtarëve dhe popullit, e para, të hiqet guri ndarës kufitar me çdo çmim, dhe e dyta, doemos të fitohet liria, po ashtu me çdo çmim, që duhet të na dergojnë deri në Ribashkim Kombëtar, që është e drejtë legjitime e kombit tonë.

Romani “Dashuri në kohë lufte” është vepër e gjerë epike, ku që në faqet e para vërehet se shkrimtari i ka vënë qëllim vetes ta paraqesë rolin historik të UÇK-së në luftë për çlirim. Nisur nga ky pikësynim ideoartistik, ai e ka zënë fillin e subjektit në vitin 1998, kur situata e gjithmbarshme në Kosovë ishte e tensionuar tej mase për shkak të represionit sistematik ushtarako-policor që po shtronte Serbia padrejtësisht në këto hapësira. Pikërisht në këtë amulli, në këtë kohë të pakohë, nis veprimin edhe grupi i studentëve të rinj, Veseli, Sokoli, Diana, Besa e shumë të tjerë, të cilët shkrimtarit i kanë shërbyer si mishërim i tipareve të të rinjve tanë, që lanë auditoriumet e studimet dhe shtegtuan drejt shtigjeve në luftën për liri, duke u rritur e kalitur në flakët e saj.

“Dashuri në kohë lufte” është roman epope, me temë historike. Në sfondin shumë veprues të ngjarjeve të luftës në Kosovë, të veprimtarisë së popullit, të udhëhequr nga UÇK-ja, në një anë dhe të okupatorit serb dhe makinerisë vrastare policoro-shtarake të tij, në anën tjetër shkrimtari ka dhënë një tablo mjaft të gjerë të atmosferës në prag dhe gjatë luftës. Lidhjet dashurore të Sokolit me Dianën, që të dy pasardhës familjesh atdhetare, njëri nga Rrafshi i Dukagjinit, e tjetra nga trualli i Drenicës Qëndrestare i kanë shërbyer shkrimtarit për të paraqitur idenë e unitetit të viseve të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë në luftën për çlirim. Sokoli është gjithnjë e më i vetëdijshëm se për interesat e popullit ia vlen të sakrifikohet, çka edhe e dëshmon plaga e tij e marrë në luftë. Ky është një konstatim i rëndësishëm, një tipizim i fortë letrar artistik.

Po ashtu edhe Diana gjithnjë është e bindur se fatet e atdheut duhet të vëhen në dorën e tyre, në pushkët çlirimtare të UÇK-së, duke pasur parasysh forcën e popullit, të udhëhequr nga atdhetarët Komandant Adem Jashari, Agim Ramadani, Sali Çekaj e shumë të tjerë. Vetëdija për drejtësi dhe rezistencë të armatosur i bën më me peshë figurat e Sokolit dhe të Dianës, qëllimi përfundimtar i të cilëve është lufta e pakompromis deri në çlirim definitiv nga okupatori serbo-sllav, por padrejtësisht dhe fatkeqësisht rrugët e këtyre dy të rinjve do të ndahen, ngase Sokoli nga plagët e marra, duhet të kërkojë shërim në Shqipëri, e prej andej në Munchen të Gjermanisë, ndërsa Diana do të vazhdojë të jetë në shërbim të atdheut, duke ushtruar rolin e motrës medicinale, gjithnjë në shërbim të vëllezërve dhe motrave të saj-ushtarë, por edhe të popullatës civile pa përjashtim, që ua mëkoi plagët e luftës nëpër spitalet e improvizuara në malet e Kosovës, me profesionalizëm, por dhe me butësi zemre.

Një prej meritave të mëdha të shkrimtarit që ka arritur me romanin “Dashuri në kohë lufte” është se duke shkruar një roman me temë historike, nuk i ka humbur shpresat e popullit, por ia ka lënë kohës dhe rrjedhës historike të ngjarjeve të bëjë vlerësimet dhe të japë përfundimet, të kurorëzojë fitimtarët-bij të ligjshëm të këtij trualli shqiptar, padrejtësisht të ndarë nga trungu amtar, si dhe të ndëshkojë okupatorin dhe makinerinë policoro-ushtarake të tij deri në gjunjëzim. Ndërtimi i kompozicionit të romanit i përgjigjet mirë pikësynimit të autorit për të paraqitur luftën në shtrirjen e saj epike, me dramat dhe të papriturat e saj. Sahit Shala i ka vënë si qëllim vetes që të tregojë pjesëmarrjen e popullit në luftë dhe kontributin e tij në të gjitha mënyrat prej më të ndryshmeve. Autori ia ka dalë me sukses ta përshkruajë forcën titanike të UÇK-së, duke kryer çdo ditë heroizma kundrejt armikut, siç bënë djaloshi nga Skivjani, ushtar Ylli e shumë të tjerë.

Veselit, Dafinës, Zanës etj. u duhet të kalojnë nga një pikë në tjetrën, prej një regjioni në tjetrin,e Diana me Zanën edhe të shërojnë të plagosurit. Janë këta personazhe që zënë vend kryesor në roman.

Po thuaj në çdo kapitull të romanit tregohen episode heroizmash të luftëtarëve shqiptarë, që të gjithë bashkë formojnë tablonë e madhe dhe të ndritshme të heroizmit të UÇK-së dhe të mbarë popullit. Shkrimtari me realizëm dhe saktësisht ka paraqitur zgjimin e ndërgjegjës popullore, duke ia kthyer shpinën pacifizmit dhe rrugës paqësore, për të cilën trubetonin ca zëra të vetmuar, si dhe lartësimin e njerëzve të thjeshtë, por guximtarë, të edukuar nga familja, siç janë Sokoli e Veseli, Diana e Zana, Besa e Ylli etj, etj., të cilët patën të drejtë që rrugën e çlirimit e kërkuan dhe e hapën përmes grykës së pushkës.

Zgjerimi i vazhdueshëm i sferës së interesave të shkrimtarit, detajimi i subjektit dhe ritmi dinamik i ngjarjeve, janë diktuar nga vetë realiteti, nga rrjedhat e ngjarjeve dhe shndërrimet që ndodhën. Edhe kur episodet përshkruhen në hollësi, lexuesi ndjen se në to mbizotëron një ritëm në rritje dhe vemendja e tij ndjek shumë ngjarje, shumë personazhe, përjeton situata nga më të ndryshmet e të paparashikuara. Sahit Shala i është përmbajtur determinimit historik dhe kronologjisë së ngjarjeve dhe është përpjekur që të mos thurë një subjekt të mbyllur. Ai në fillim është nisur të pasqyrojë jetën e kryeqytetit, Prishtinës, sidomos atë jetë të të rinjve studentë: Sokolit, Veselit, Dianës, Besës dhe të tjerëve, q ndiqnin mësimet nëpër shtëpitë-shkolla, periudhë kjo që mund ta quajmë buzëpragut të luftës, e përshkuar me plot zymtësi, kërcënime, dëbime nga shkollat etj, etj., ku nuk ka më kohë për të medituar: Këta të rinj do të bëhen njerëzit e veprimit luftarak.

Shkrimtari i kursyer në përshkrimin fizik të personazheve, në përshkrimin e ambientit, në analizat psikologjike e në zbulimin e gjendjes shpirtrore, tregohet mjeshtër në përshkrim dhe paraqitje të situatave, ku duken më së miri edhe lëvizjet më të vogla që ndodhin në qëndrimet atdhetare dhe në shpirtin luftarak të pjesëtarëve të UÇK-së. Disa herë vetëm me një përshkrim të shkurtër, autori e fut lexuesin në atmosferën dhe ndryshimet e kohës. Ta kujtojmë p.sh. momentin e kapërcimit të kufirit nga djemtë mërgimtarë, që erdhën nga vendet perëndimore për ta ndihmuar luftën, ku duket qartë shpirti luftarak i tyre, e që 13 prej tyre, që në hapat e parë drejt atdheut të përflakur nga lufta bijnë në fushën e nderit, për t’u lartësuar në altarin e atdheut përjetësisht.

Shkrimtari Sahit Shala nuk është rrekur pas hollësive sentimentale (rasti i vrasjes së Rexhepit, babait të Dianës, pastaj vetmia e nënë Zahides…). Emocionaliteti i romanit përmbahet, para së gjithash në realitetin që pasqyrohet në faqet e tij dhe në idetë e shumta që e përshkojnë. Prandaj, mund të thuhet me të drejtë se nga ky roman njeriu mund të mësojë shumë.

Shkrimtari Sahit Shala nuk është rrekur pas hollësive sentimentale (rasti i vrasjes së Rexhepit, babait të Dianës, pastaj vetmia e nënë Zahides…). Emocionaliteti i romanit përmbahet, para së gjithash në realitetin që pasqyrohet në faqet e tij dhe në idetë e shumta që e përshkojnë. Prandaj, mund të thuhet me të drejtë se nga ky roman njeriu mund të mësojë shumë.