DASHMIR ZAÇE, PORTRET I NJË RILINDËSI TË KOHËS SONË

0
706

Nga Sylejman Salihu, mësues i gjuhës shqipe në diasporë

Abdurahim Ashiku, “Dashmir Zaçe-një rilindës i kohës sonë”, Botimet M&B, Tiranë, 2018

Pasi iku në amshim mësuesi Dashmir Zaçe, miku i tij, publicisti dhe gazetari Abdurahim Ashiku, ende pa mbirë mirë bari mbi varrin e tij, i shkroi librin këtij mësuesi atdhetar, që një jetë të tërë e shkriu për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Kush ishte në fakt Dashmir Zaçe? Ai ishte një mësues, një arsimdashës, një atdhetar, një intelektual, një gojëmbël e mbi të gjitha një njeri. E njoha në takimet e seminareve për mësuesit e diasporës dhe pastaj u bëmë miq. Por në qoftë se atëherë nuk arrita ta njihja sa duhet këtë njeri, libri i Abdurahim Ashikut ma jep këtë mundësi madje në një dimension tjetër disi më të veçantë. Përse mund të thuhet kështu?

Mund të thuhet kështu sepse që nga faqja e parë kur i hyra leximit të librit dhe duke vazhduar pastaj nëpër gjithë brendinë e tij, e njoha portretin e tij më shumë, më ndjeshëm, më thellë, më mirë dhe më fuqishëm. Miku i tij, që tashmë është edhe autor i monografisë për të, na e jep në këtë libër voluminoz personazhin e tij gjerësisht në një shtrirje nga të gjitha anët dhe nga të gjitha fushat, nëpër të cilat Dashmir Zaçe eci dhe shpërfaqi aktivitetin e tij mësimor, kulturor, pedagogjik, patriotik e poetik. Duke shpalosur faqet e librit “Dashmir Zaçe, një rilindës i kohës sonë”, ai na del një njeri i mbrujtur me virtyte të larta njerëzore e atdhetare, me të cilat me dinjitet dhe me profesionalizëm eci trimërisht dhe ballëhapur duke qenë gjithmonë një shërbëtor i urtë në shërbim të shkollës shqipe, nxënësve, dijes dhe atdheut në përgjithësi.

Përmes këtij libri Dashmir Zaçe shfaqet kudo duke lënë gjurmët e tij: në Përmetin e tij që e deshi pafundësisht shumë, në Përmetin e luleve, në Përmetin e Laver Bariut, me të cilin këndoi ndonjë këngë apo edhe përmbysi ndonjë gotë, ku kaloi fëmijërinë dhe ku u mbrujt me këngët e bukura përmetare, të cilat janë perlat e vërteta qytetare shqiptare, shumë nga të cilat edhe i botoi vetë në librin “A kanë ujë ato burime”.

E gjejmë Dashmirin para nxënësve si mësues, por edhe e gjejmë para kolegëve të tij si drejtues shkolle, që drejton dhe ndihmon, jo me arrogancë dhe fodullëk por me urtësi, bujari e dashamirësi e profesionalizëm. Dashmir Zaçe këtu na shfaqet përmes shkrimeve, skicave, dialogëve, polemikave, monologëve, intervistave, bisedave, rrëfimeve, kujtimeve, korrespondencave. E gjejmë dhe e shohim pothuajse në çdo seminar mësuesish të diasporës, që nga Durrësi, Struga, Mitrovica, Prishtina, Peja, Berati, Shkodra e kudo tjetër gjithnjë i qeshur, i dashur. Por këtu ai shfaqet me punën dhe misionin e mësuesit në qytetin e bukur të Selanikut teksa ligjëroi gjuhën e bukur shqipe përpara fytyrave të qeshura e të virgjëra të fëmijëve shqiptarë.

Derisa po shëtisnim njëherë në perëndim të diellit buzë Drinit të Zi në Strugë, Dashmiri më rrëfente për hallet dhe vështirësitë që kanë mësuesit në Greqi, të cilët nuk kishin asnjë përkujdesje as nga shteti grek jo e jo por as nga shteti amë, por që mësuesit e bënin detyrën e tyre të mësuesisë me shumë dashuri, vetëm që gjuha shqipe të jetonte dhe të mos vdiste në gojët e vogëlushëve shqiptarë, që po kërcënoheshin fuqishëm nga asimilimi pa fajin e tyre. Puna e tij pedagogjike në Shkollën Shqipe të Selanikut, është njëherit edhe guri i parë themeltar i kësaj shkolle. Ai mbajti orën e parë të saj, duke dhënë edhe emocionet e para nxënësve dhe prindërve shqiptarë përmes vargjeve të rilindësve shqiptarë dhe kështu për t’u shndërruar edhe vetë më vonë një rilindës i kohë sonë.

Para nxënësve dilte i qeshur dhe i dashur, sado ditëve të punës bënte punë të rënda fizike, për të siguruar bukën e gojës. Fliste ëmbël, butë, qartë, qetë dhe fjalët e tij tingëllonin si nota të ëmbla në një pentagram muzikor para nxënësve dhe kolegëve të tij. Por nganjëherë dinte edhe të “trazohej”. Kur, si dhe me kë? Jo me miqtë, jo me nxënësit, jo me kolegët, por me pushtetarët e Tiranës, që nuk denjuan asnjëherë të ishin pranë mësuesve të Greqisë, apo vinin vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve për të zhvatur ndonjë votë prej këtyre mërgimtarëve hallexhinj.

Nuk ngurronte ndonjëherë t’i quante edhe me emrin e vërtetë si: horra, maskarenj, të cilët jepnin ca premtime false dhe iknin. Por edhe kur ishte i zemëruar nuk nxirrte helme nga goja e tij, sado ndonjëri edhe e meritonte. Të tillëve ua mbyllte gojën urtësisht pa e prishur terezinë me fjalën dhe metaforën e bukur dhe të urtë se : “s’pyet mali me dëborë nga balta që ju doni të hidhni”. Në librin e tij Abdurahim Ashiku na e jep mikun e tij dhe mësuesin e përkushtuar Dashmir Zaçen jo vetëm me fjalë, por si një publicist i mirë që është, ai e pasuron librin edhe me fotografi nga fototeka e tij, të cilat flasin vetë sa mijëra fjalë.

E shohim Dashmirin në moshë të njomë, në mesin e shokëve, në mesin e nxënësve, në ambiente shkollash, në klasa me nxënës. Dashmirin e shohim edhe me miqtë në ahengje, në shëtitje, në punë, në mesin e familjarëve të tij dhe në mesin e kolegëve, me të cilët ndau momente të jetës dhe të punës. Në libër nuk kanë mbetur pa u thënë edhe vlerësimet e miqve dhe kolegëve të tij, që i dhanë për këtë mësues të vyer e të përkushtuar, i cili mbeti një pishtar rreze drite i fëmijëve tanë në Greqi e veçanërisht i Shkollës Shqipe të Selanikut. Ku e shohim gjetiu Dashmirin? Atë e shohim te Burimi i Drinit të Bardhë, në Prekaz me vëllain e komandantit, Adem Jashari, në Prizren para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Berat duke bërë promovimin e një libri apo në Dushkajë me shkrimtarët dhe shkencëtarët bashkë.

Por Dashmir Zaçen e shohim edhe duke drejtuar ndonjë seancë pune gjatë punimeve të seminarit për mësuesit e diasporës dhe me mikrofon në dorë duke dhënë mendime, pikëpamje, gjykime, vlerësime, propozime. Ai pra ishte kudo, ku e kërkonte detyra e mësuesit , poetit dhe e intelektualit. Dashmir Zaçe një jetë të tërë nuk deshi dekorata, nuk deshi lëvdata, nuk deshi mirënjohje, nuk deshi fjalë të mëdha, se ato i merrte nga gojët e njoma dhe të ëmbla të nxënësve të tij, prej të cilëve çdo fjalë shqipe ishte një mirënjohje, një trëndafil, një falënderim, një dekoratë, një përqafim, një kujtim. Edhe atëherë kur do të ikte nga kjo botë ai nuk do të donte lot, vlerësime e përgjërime:

“Kur të iki miqtë e mi,
Më këndoni këngët e dashurisë,
Nuk dua lot e vlerësime,
Koha jonë vlerëson vetëm horrat,
Unë do të jetoj se përmendoren ia ngrita vetes,
Në zemrat e nxënësve të mi, do të mbetem kujtim,
“Kur të vij” do të thonë,
“Kemi pasur një…
Që në kurbet,
Na mësonte gjuhën e bukur të nënës…”

E unë prapë do të jem gjallë.
Kush do që ta njohë më mirë këtë mësues, le ta shfletojë librin e Abdurahim Ashikut, që është një kontribut i mirë për këtë rilindës dhe për gjithë mësuesit e diasporës shqiptare.

SYLEJMAN SALIHU
Mësues i gjuhës shqipe në diasporë