DASH: Tom Doshi, deputet i korruptuar. Kemi informacione të besueshme për veprimtarinë e tij

0
500

Opinion.al

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se vendimin për të shpallur “non grata” deputetin shqiptar Tom Doshi e mori në bazë të informacioneve të besueshme se ai ka qenë i përfshirë në afera korruptive gjatë mandatit të tij si anëtar i Kuvendit. Në një përgjigje për Tv Klan, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk përmend çështje konkrete ku Doshi është i përfshirë, por thotë se korrupsioni prek interesat e sigurisë kombëtare amerikane, por edhe të vendeve partnere.

“Departamenti ka informacione të besueshme se z. Doshi ka qenë i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm gjatë mandatit të tij si deputet. Në përgjithësi, korrupsioni shkakton kosto të konsiderueshme për ekonominë, shoqërinë dhe sigurinë; mund të lehtësojë krimin e organizuar dhe degradon besimin në sundimin e ligjit dhe qeverisjes. Kjo ndikon drejtpërsëdrejti interesat e sigurisë kombëtare të SHBA, ekonomike dhe të jashtme, dhe ne besojmë që edhe ato të vendeve partnere”.

Vendimi për të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të deputetit Tom Doshi vjen pas atij të dhënë në fillim të vitit për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla. Por a ka të tjerë zyrtarë të lartë shqiptarë për të cilët do të merret e njëjta masë? Në Departamentin e Shtetit thonë se rastet janë në shqyrtim.

“Kur Departamenti i Shtetit merr informacion të besueshëm se një zyrtar ka qenë i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm dhe /ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, Departamentit i kërkohet të caktojë zyrtarët dhe anëtarët e tyre të ngushtë të familjes sipas nenit 7031 (c). Ne po shqyrtojmë në mënyrë aktive rastet dhe e zbatojmë këtë autoritet globalisht. Varësisht nga rrethanat e veçanta, disa përcaktime bëhen publikisht, ndërsa të tjerat bëhen privatisht”.

Vetë deputeti i Shkodrës nuk ka pranuar të bëjë komente pas vendimit të Departamentit të Shtetit. Kundër tij ka pasur në të kaluarën një reagim të Ambasadës Amerikane në Tiranë e cila përshëndeste përjashtimin e Doshit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste më 2 Mars 2015. /Tv Klan