Dafina gjashtë-muajshe, e cila u ekzekutua nga paramilitarja Liljana, ish Miss Serbia

0
512

Shkruan: Halil Matoshi, MekuliPress.com

Eshtrat e Dafinës gjashtë-muajshe të masakruar nga forcat serbe në Izbicë i ka fshehur për 18-vjet diku në Serbi lidershipi politik i këtij shteti.

Vogëlushen Dafinë, simbolikisht (dhe potencialisht) e ka ekzekutuar paramilitarja Liljana, ish Miss Serbia (1978) e cila qenka vrarë në Lybeniq 20-vjet më parë nga UÇK-ja, vendi i cili sot kujton rreth 100 viktima civile, vrarë nga shteti serb, gjatë fushatës së spastrimit etnik.
Serbia “pro-europiane”, hesht për Dafinën dhe 1370 fëmijë të vrarë në Kosovë gjatë luftës e në anën tjetër heroizon ekzekutorët…

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić në vend se të angazhohet seriozisht për defashistizimin e shoqërisë serbe dhe të shtetit – ku ende në postet publike ka fashistë të vetëdeklaruar promilośević- ian dhe për kërkimfalje për spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë, ai vazhdon ta akuzojë NATO-n dhe shqiptarët.

Madje porositë e tij cinike, të stilit “po të guxoja e nuk guxoj, do t’i thoja Ramush Haradinajt shko shërohu”, pos që nuk i shërbejnë asgjëje dhe askuj, janë thjeshtë deklarata primitive, kur po hyjmë në dekadën e tretë të shekullit 21 dhe janë vetëm retorika nxitëse që u thuhen atyre serbëve të paemancipuar, të mbetur në terrin mesjetar, në intencën patologjike të shkatërrimit dhe spastrrimit etnik ndaj të gjithë joserbëve. 
Duke shikuar përpara, Kryeministri Haradinaj nuk ia ktheu Presidentit serb, për ta lënë të vetmuar me të vetët në gropën humnerore të ndërgjegjes.

Sot, kur Kosova kujton 79 civilë, kryesisht fëmijë, gra e pleq, të ekzekutuar dhe masakruar nga njësiti gjakatar “Ćakali” në Lybeniq të Pejës, Presidenti Vučić dhe klasa politike e mediatike në Serbi, lërë që nuk e pranojnë krimin e regjimit, (shef për pçropagandë i të cilit ishte vetë), por thurrin mite të reja, për një “Betejë të re të Kosovës” duke trilluar për një grua të estradës serbe, kinse të vrarë në luftime në Lybeniq, pjesëtare e forcave që kryen masakër në fshatrat e Pejës dhe anë e kënd nëpër Kosovë, duke i dhënë asaj epitete heroike.

Cili na qenka heroizmi i saj pos masakrimit të popullsisë civile!?
 Për t’ia vulosur profilin gjendjes shpirtërore kolektive vetes, klasa politike serbe, askush nga kreu i shtetit serb, pushtet e opozitë dhe as media nuk e zuri në gojë vrasjen e vogëlushes gjashtë-muajshe Dafinës në Izbicë, eshtrat e të cilës i mbajtën fshehur në token serbe plot 18 vjet, por mbushën faqet e shtypit me Ljilanën, që potencialisht ka mund të jetë ekzekutorja e vogëlushes në Kosovë, si paramilitare që ishte!?

Foli, ndonëse e vetmuar Nataša Kandić qe ia rikujtoi kreut serb vrasjen e 14 anëtarëve të familjes Bogujevci në Podujevë, gjysma prej tyre fëmijë nën 14 vjeç.

Derisa elitat intelektuale dhe politike serbe janë në këtë gjendje të transit nacionalist që përkon me fashizmin, secili nga ta veç e veç ka nevojë për një psikiatër të mirë dhe do të duhet që po ashtu, në kushte normale dhe në një shtet pro-europianë, që diskuton kapitujt për BE, një nga një, secili nga ta, që është involvuar në një mënyrë ose tjetër në tragjedinë e shkaktuar shqiptarëve, do të duhej të zinin një avokat, madje një nga ata që u thonë avokatë djalli!?