ÇRREGULLIME NË DIPLOMACINË SHQIPTARE!

0
496

Nikë Gashaj

Opinioni publik nëpërmjet të mjeteve të informimit (p.sh. portalet: ulqini/online, malesia.org, etj.) u njoftua se në Asamblenë e Përgjithshme të Kombëve të Bashkuara u votua për një rezolutë për tërheqjen e vendimit të Presidentit të SHBA, Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Në Asamblenë votuan kundra 9 vende dhe 35 abstenuan, ndersa 128 vende votuan për rezolutën në fjalë duke përfëshi dhe Shqipërinë, e cila iu bashkua shteteve të Konferencës islamike, të cilat në krye me Egjyptin ishin dhe sponsorues të kësaj rezolutë. Gjatë kohës që Asambleja e Përgjithshme e Kombëve të Bashkuara votoi për një rezolutë që kundërshton njohjen e SHBA që Jerusalemi të bëhet si kryeqytet i Izraelit, në vizitë të paparashikuar ndodhi edhe Kryeministri Edi Rama (Beqir Sina-New York).

Votimi i përfaqësuesit diplomatik të Shqipërisë pro-Rezolutës dhe kundra vendimit politik të SHBA me të drejtë shkaktoi reagime negative tek opinioni publik shqiptar dhe çka është indikative në lidhje me këtë vendim të diplomacisë shqiptare reagoi dhe vetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, i cili i dergoi letër Presidentit të SHBA, z. Donal Trump, ku nder të tjerat thuhet:

I dashuri President Trump,
Dëshiroj të shpreh keqardhjen e madhe për votën e Shqipërisë dje në OKB kundër aleatit dhe mikut tonë më të madh, Shtetëve të Bashkuara të Amerikës. Kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qendrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA në momentet më të vështira të ekzistencës së tij.

Do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qendrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare (malesia.org).

Letëra e Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta është me vend dhe e qëlluar, por gjithashtu ështe dhe shqetësuese, sepse prapaskenës merren vendime me rëndësi në emer të Shtetit shqiptar përpa u konsultuar as përpa ditur Presidenti i shtetit. Ajo fatkeqësisht është dukuri disfunksionale e shtetit shqiptar. Gjithashtu, mund ta konstatohet se diplomacia apo qeveria e shtetit shqiptar e cila me këtë rast u është bashkua para së gjithash shteteve islamike për votimin pro- Rezolutës dhe kundera politikës së Amerikës është indikative dhe shkakton brengosje dhe dyshime në një politikë të tillë.

Është e preferueshme se çështje e tillë të shqyrtohet në ndonjë Seancë të jashtëzakonshme të Parlamenti shqiptar dhe në lidhje me të merren vendime të duhura. Jamë i lirë të shprehi një mendim të tillë, sepse në njërën anë Shteti Shqiptar është dhe shteti amë apo i kombit amë dhe se një vendim i tillë me rëndësi i diplomacisë shqiptare ka të bëjë jo vetëm me Shtetin shqiptar por mund të ketë pasoja negative për mbarë kombin shqiptar, në anën tjetër. Prandaj, përgjegjësia e qeverisë shqiptare për një vendim të tillë është jo diskutabile.

(Autori është politolog)

Podgoricë, Mali i Zi, 24. dhjetor 2017.