“Corona” apo kurora e ndarjes së Veriut!?

0
388

Shkruan: Florim Zeqa, 07.04.2020

Qytetarët e Kosovës i kaluan 21 vite duke ëndërruar, duke kënduar e vajtuar, duke gënjyer e zhgënjyer vetveten se një ditë do të bashkohet qyteti i ëndrrave dhe kujtmeve rinore, veriu i artë apo siq e quanin në kohën e shkuar qyteti i minatorëve.

Florim Zeqa
Florim Zeqa

Hipokrizia e politikanëve me veriun e vendit

Përgjatë këtyre viteve i “provuam” të gjitha mundësitë tona për të bindur (frikësuar) pushtuesin tonë verior të na lë Mitrovicën, por kot!
Në anën tjetër “bartësit” e luftës, të akomoduar mirë nëpër institucione shtetërore, të zhytyur thellë në luksin përrallor që u solli liria e harruan në tërësi pjesën veriore të vendit.

Ashtu sikurse ndarja e Mitrovicës që nuk ishte e rastësishme (e planifikuar), edhe veprimet e mëpastajme të pasluftës ishin të planifikuara dhe të koordinuara nga Serbia, Rusia dhe një pjesë tjetër e bashkësisë ndërkombëtare.

Heronjë e vetëm të asaj toke janë ata pak banor shqiptar të mbetur në pjesën veriore, të cilët me prezencen e tyre fizike janë duke u munduar t’i dalin zot trojeve te veta stergjyshore, përderisa liderët partiak me hipokrizi sillen ndaj tyre duke e përdorur vetëm për marketing politik pjesën veriore të vendit.

Në anën tjetër, serbët me modifikimin (ndryshimin) herë pas herë të pamjes së barrikadave pranë Urës së lumit Ibër, me permendoren e Car Lazarit dhe flamujt serb na rikujtojnë se aty përfundon sovraniteti i shtetit të Kosovës.

E gjithë kjo lojë e serbëve po bëhet para syve të opinionit vendor dhe ndërkombëtar. Janë serbët, varrëmihësit e shqiptarëve që s’ka kush ti ndalë në lojrat e tyre djallëzore, të cilat më tepër se lojë, janë provokim dhe tallje me shqiptarët e pjesës tjetër të Kosovës, të ndarë dhe përqarë në luftën për pushtet në gjysëm shtet!

Ndarja e veriut, produkt i 21 viteve më parë

Pandemia botërore e “Covid-19”-it, e nxori në pah edhe një herë të vërtetën e hidhur të Veriut të vendit.

Se fundmi “De-fakto” u vërtetua se Veriu i Kosoves nuk administrohet nga indtitucionet e Republikës së Kosovës, por nga shteti i Serbisë, përkatësisht nga strukturat paramilitare të saj në këtë pjesë.

Kjo situatë nuk është e re dhe as produkt i qeverisë aktuale. Kjo ka filluar pas 12 qershorit 1999, kur ky territor u nda dhe u vendos nën mbikëqyerjen e KFOR-t ruso-francez., me ndihmën e të cilëve u instalua pushteti i paramilitarëve serb në pjesën veriore.

Veriu i ndarë është produkt i 21 vjetëve e jo i 51 ditëve të qeverisjes Kurti, por është edhe produkt i qeverive të deritanishme, përkatëisht e klasës politike që qeverisën me shtetin e Kosovës për dy dekada, të cilët nuk e bën as përpjekjen më minimale për shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë, por vetëm u kujdesën për pasurimin enorm të tyre në mënyrë të paligjshme mbi kurizin e një popullate të varfër.
Tendencat për ta fajësuar Albin Kurtin për diçka që nuk është produkt i tij janë të ulëta dhe jo njerëzore.

Duhet të jemi real dhe të paanshëm në gjykime. Situata e tanishme në pjesën Veriore të vendit është mjaft e tendosur, e në veqanti në këtë periudhë të pandemisë së “Coronavirus”-it, në emrin e së cilës erdhen mjek nga Serbia, me ç’rast janë ngritur edhe dilema, se nën petkun e “mantilave të bardha” mund të jenë futur struktura të organizuara nga Serbia, të cilat do të shtrihen lirshëm në atë pjesë.

Pushtuesit edhe shpëtimtarët hyjnë për të njëjtën derë

Zhvillimet e fundit në veriun e vendit edhe një herë e shpërfaqen mungesën e sovranitetit të Kosovës në veri. Pamundësia e shtrirjes së FSK-së në veri dhe hyrja brenda natës e një numri enorm të “punëtorëve shëndetësor” nga Serbia, pa pasur leje pune në Kosovë dhe pa u verifikuar se a janë punëtor shëndetësor apo punëtor të shërbimeve sekrete serbe.

Këtu nuk kemi të bëjmë fare me reciprocitet dhe humanitet, por me shkelje të sovranitetit ekstrem në veri të vendit. Pushtuesit edhe shpëtimtarët mund të hyjnë për të njëjtën derë, por nuk kthehen nga e njëjta kah kanë ardhë!

Disa politikolog, duke u munduar ta lidhin çdo gjë me reciprocitetin, hyrjen e mjekëve nga Serbia në Kosovë po mundohen ta kushtëzojnë me dërgimin e mjekëve nga Kosova në Luginë të Preshevës, duke harruar se ajo pjesë është nën juridiksionin e një shteti sovran, ndërsa Veriu i vendit tonë është pjesë e pushtuar nga strukturat e të njëjtit shtet.

Për ta sqaruar edhe më mirë këtë situatë situatë, lexuesve dëshiroj t’ua kujtojë edhe një fakt tjetër. Pesë vite më parë (më 10 shtator 2015), gjatë qeverisjes PDK-LDK, Serbia i ndaloi, i mbajti në terminalin doganor dhe pas gjashtë muajve (më 02 mars 2016) i ktheu mbrapa 103.222 tekste mësimore ë Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, të dedikuara për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Për këtë veprim të Serbisë, ish Qeveria e Republikës së Kosovës heshti, nuk e pat guximin të marr masa të njëjta reciprociteti në fushën e arsimit, për ndalimin e përdorimit të teksteve mësimore të Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës.

Nga ajo kohë e deri më sot, Serbia për çdo vit furnizon me tekste mësimore nxënësit serb sikurse në pjesën veriore ashtu edhe në brendi të Kosovës, dhe për habi nuk doli një birë nane në Kosovë që kundërshton e lërë më të parandaloj një gjë të tillë!

Kryeministri Kurti të sqaroj hyrjen e “mantilbardhëve” nga Serbia në Kosovë

Edhe pse nuk është fajtor për situatën e krijuar në veri, kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka për obligim t’i sqaroj opinionit publik dhe qytetarëve, për mënyrën e hyrjes së “mantilbardhëve” nga Serbia, numrin e tyre dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në pjesën veriore nëse ai e llogaritë Veriun si pjesë të vendit tonë.

Qytetarët e vendit kanë nevojë për informim real dhe transparencë e jo për kamuflime dhe gënjeshtra siq vepruan pararendësit e tij për 21 vite rresht.

Qeveria Kurti duhet të deklarohet publikisht pro ose kundër masave të Serbisë në pjesën veriore të vendit tonë, përkatësisht pro ose kundër dërgimit të mjekëve nga Serbia dhe aplikimit të masave të orës policore dhe karantinës për komunat serbe në veri të vendit tonë.

Populli i Kosovës është lodhur nga mjegullat artificiale, gënjeshtrat, maskaradat mashtruese dhe spektallet televizive për kinse shtrirje të sovranitetit në veri të vendit nga qeveritë paraprake.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me transparencë të plotë duhet t’i informojë të gjithë qytetarët e vendit për gjëndjen reale në veri të vendit, qoftë ajo edhe e hidhur, në mënyrë që banorët shqiptarë të asaj pjese t’i liroj përfundimisht nga iluzionet për bashkim, ose ta dëshmojë para tyre të kundërtën e ndarjes-bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Nuk po dihet çfarë është duke ndodhur, është kjo “Corona” apo kurora e ndarjes së veriut të vendit tonë!?