CONSTANTINE KAVAFI – poezi

0
686

CONSTANTINE KAVAFI
1863-1933

Konstantinos Kavafis
Data e lindjes: 29 prill 1863
Vendi i lindjes: Aleksandria, Egjipt
Vdiq: 29 prill 1933, Aleksandria, Egjipt
Prindërit: Haricleia Cavafy, Peter John Cavafy
Vendpushimi: Varrezat Ortodokse Greke
Çmimet: Independent Publisher Book Award for Cover Design – Fiction

TRUP MOS KUJTO VETËM PASIONE

Trup mos kujto
vetëm pasionet
që zgjove dhe shtretërit që të mirëpritën,
por dëshirat që shkëlqenin për ty
hapur në sy dhe mbulonin zërat,
ndonëse rasti qe dashamirës
s’e arritën komplimentin e tyre.

Tani që gjithçka është shumë larg
dhe duket pothuaj se ato dëshira
i ke braktisur – kujtohu
si shkëlqenin sytë duke të parë,
si dridheshin për ty zërat,
trup, kujtoje tani.

Përktheu: Faslli Haliti


LARG

Do doja të thosha këtë kujtim …
Por u shua … gati nuk mbeti gjë prej tij:
larg, viteve të para të adoleshencës,pushon ai.

Lekurë jasemini…
Dhe mbrëmja e gushtit ( gusht ishte?) …
Tashmë kujtoj, pothuaj:mbase mavi…
Ah, blu, po! si safir i kaltër.


Jack Cardiff, Audrey Hepburn, 1956

DITË TË VITIT 1903

Nuk i gjeta më – i humba kaq me ngut…
ata sy poetikë, atë fytyrë të zbehtë…
gjatë rrugës që errësohej …

Nnuk i gjeta më – të zotëruar rastësisht
dhe të braktisur aq lehtësisht;
e me ankth të kërkuar pastaj
Sytë poetikë, fytyra pa gjak,
ato buzë, s’i gjeta më, ndërkaq.

MBI ANIJE

Në këtë shenjë të lehtë grafike
Skicuar shpejt në bordin e anijes
Gjej, po ato karakteristika të saj.

Ne të rrethuar nga deti Jonik,
Pasditja e magjepsur,
Tiparet e saj. Por e bukur
Më shumë se kaq, më duket mua
Tani, ndërsa e revokoj atë.
Një butësi e tillë në ndjenjën
E saj, për t’u bërë
Vështrim i verbuar.
Kështu rishfaqet

Brenda meje – nga Koha.
Nga koha… Shumë evente
Të motshme… Ai portret,
Anija, pasditja…

MOS HARRO, TRUP…

Kujtoj, jo vetëm sa i dashur, ke qenë, o trup,
jo vetëm krevatet ku je shtrirë,
por edhe dëshirat që ty
të shkëlqenin në sy,
dridheshin në zërin tënd – të kthyera më kot
nga disa pengesa krejt si në rastësi.
Tani që gjithçka është pjesë e së kaluarës,
si të ishe e lejuar
edhe për ato dëshira – që të shkëlqejnë
drejt në sy, mos i harro,
dridhen në zërin tënd, për ty, mos e harro, trup.

PËR AQ SA KE BRENDA VETES

Dhe nëse s’mund të jetë ajo që ti dëshiron
Kërko së paku
atë që ke brenda vetes:
mos e prish në shumë biznese me njerëzit
me shumë fjalë në një vajtje-ardhje plot tension.

Mos e prish duke e sjellë në mëshirë
të fatit të lojës së përditshme
të pa mend të takimeve
dhe ftesave
derisa ta bësh atë një të huaj të mërzitshme.

QIRINJTË

Janë ditët e ardhshme para nesh
si një rresht qirinjsh të ndezur –
të artë, të ngrohtë e gjallërues.
Mbeten prapa ditët e së kaluarës
rresht i dhimbshëm i qirinjve të shuar:
më të afërtit çojnë akoma tym
të ftohtë, të holluar, e të përdredhur.
Nuk dua t’i shoh: më dëshpëron pamja e tyre,
më shqetëson kujtesën drita e tyre e lashtë.
Dhe shikoj përpara qirinj të ndezur.
Nuk dua të kthehem, ngaqë s’dalloj në një drithërimë,
si zgjatet shpejt linja e errët,
se si rriten shpejt qirinjtë e mi.

Përktheu: Faslli Haliti