Nga MUSTAFA V. SPAHIU
ÇKA MERR LUMI
Së parë ia dafnjen krrelat burimit,
Etjen ia shuan – i jep hove trimit!
N’piskun e verës – ditë më drekë
Rrëmben nga shtatë-tetë palë brekë;
Lodra, sukulla, kordele dhe sandale,
Valset e pipizaneve luadh më luadhe.
Zërin trishtilash – lulëkuqet cuk faqet,
Nën balluke vëthët – duarve pogaçet!
Nuses së re vrik pelenkat e djalit,
Imitimin e grishlemëzave tej malit.
Tëra urave legjendat – lashtësinë,
Brigjeve të veta – çudi – afërsinë.
Si babaxhan s’ndal hove ky velet, –
Hingëllon si hajger me mijëra vjet.
Puhizës s’lehtë që flladit n’lulishte,
Lejlekëve kur pehaten n’shelgjishte.
Plepave ua ‘vjedh’ shendin pranveror,
– Pilivesës tambëlçakun kryepuplor…
Pahetueshëm i ‘mjelë’ rètë e shiut, e
Stomit ia ‘cik’ qengjin e fyellin bariut.
Çka rrëmben lumi, m’thuani kush di?
Natës duvakun – qiellit yjet syshmërli…
Puthjet e hënës – gërshetë mbi kep,
Peshkut t’artë – orën thellë në xhep…
Një tatëloshit ia zhdaravit mendimin,
Mëngjeseve zgjatê duar t’zërë agimin.
Me gafet e veta dënes foshnjërisht, e
Jetën kaltërisht e gudulis rrodhanisht!
Lumi lodhet me lazdrime nganjëherë,
Bëhet skilak – s’bën fare poterë, dhe
Sarajet e rërës – thotë – kushtojnë lirë!
Beft i rrëmben buzagazet – xhevahirë.
Lumi huqesh t’veta përposh kur rrjedh,
Kam dro këto vargje t’mos m’i ‘vjedh’!
Rrugë merr – s’i premton prapakthim,
Pas shkronjës ‘L’ – derdhet me nxitim!
Për hashari nuk lavdërohet ore, trimi,
Sapo bie n’kurthë – fillon ‘ndëshkimi!’
Folja rrjedh shpjegohet në gramatikë,
Po rrjedhës s’tillë i duhet dhe një pikë!
Koras njerëzit i thanë: ‘Ndal, or ndal!’
Për Ty ngremë një digë – hidrocentral!
Nivelin e ujit tënd mjaft e ke rritë, e
Tejesh duam natën të na bësh ditë!
Luginës së Anamoravës,
korrik – gusht 1993