Cili është “Fronti Demokratik” i Presidentit Meta?

0
410
Ilir Meta - mbro teatrin

Mentor Kikia

“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” tashmë është një lëvizje me axhendë politike. Nga krizat dhe përplasjet lindin gjithmonë të tilla lëvizje. Unë bëj pjesë tek njerëzit që luten vazhdimisht, që shoqëria të gjenerojë dhe mbështesë nisma të reja, që të trazojnë ujërat e ndenjura të politikës. Objektivat e saj janë shumë “agresivë”:

1- Të rrezojë qeverinë diktatoriale të Edi Ramës
2- Ndryshimin e sistemit zgjedhor
3- Shfuqizimin e të gjitha amendamenteve kushtetuese të pas vitit 1998
4- Hartimin e një kushtute të re, sipas parimit të demokracisë direkte.

Me pak fjalë synohet një revolucion, një përmbysje e thellë politike, kushteuese dhe ligjore. Mrekulli sikur të ndodhte vërtet!

Në pikën tre të këtij “manifesti”, kërkohet shfuqizimi i të gjitha ndryshimeve kushtetuese pas vitit 1998.

Por mes atyre ndryshimeve të shumta (kushteuta jonë është ndryshuar si të ishte rregullore e një gjimnazi), është edhe Reforma në Drejtësi.

Pra, “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, si një lëvizje e re politike, kërkon shfuqizmin e reformës më të madhe që nga përmbysja e sistemit totalitar dhe çështjes që ndan “për jetë a vdekje”, politikën shqiptare nga ndërkombëtarët, kryesisht SHBA, që e mbështetën fort.

Padyshim që drejtësia e re është me një mal me probleme, por vazhdimi i Vettingut, është një proces që duhet të ecë përpara, pa asnjë dyshim.

Pyetja që mund të ngrejmë, është: Si është e mundur që një lëvizje e re të jetë kaq shumë sfiduese dhe kaq ambicioze në synimet e saj? Unë nuk dua ta paragjykoj këtë lëvizje, përkundrazi, inkurajoj çdokënd që ngre zërin e protestës.

Por ajo që kam vërejtur, unë dhe shumë të tjerë, është fakti se presidenti Meta, është shndërruar në frymëzues dhe gati zëdhënës i kësaj lëvizjeje. Brenda 24 orësh, kreu i shtetit, bëri dy herë thirrje për bashkim kundër dikaturës dhe zgjim të shqiptarëve. Duke referuar, një herë letrën e “Europa Nostra” dhe një herë këngën-homazh dedikur shkatërrimit të Teatrit, ftesa ishte e njëjtë: “Bashkohuni të gjithë në një front të përbashkët, për të rrëzuar dikaturën dhe për të rivendosur demokracinë”.

Meta nuk ua tregoi shqiptarëve frontin, por ai është sheshi ku protestojnë aktivistët për tetarin, tashmë edhe qytet më qytet.

Por a është Meta frymëzuesi i “Aleancës Kundër Diktaturës”? Zëra pranë qeverisë thonë se po. Unë dua të mos jetë kështu.
Transformimi i “Aleancës” në një lëvizje politike duhej të ishte një lajm i mirë për këdo që kërkon një alternativë të re politike. Por, nëse ftesat për ta dalë në rrugë i shpërndan Presidenti, atëherë ky nuk është një lajm i mirë. Përkundrazi, është një trishtim i madh, për një shoqëri që ka mbetur peng i 3-4 njerëzve, që lëvizin të gjitha levat, të qeverisë dhe opozitës.

Trishtim i madh për një shoqëri që nuk pjell dot një lëvizje të lirë për të frymëzuar shpresë dhe besim për ata që ikin apo presin të ikin nga vendi i tyre, por prodhon vetëm mekanizma që u shërbejnë një grushti njerëzish, që kanë marrë peng vendin për tri dekada me radhë.