Nga: Ermira Babamusta
Java e Modës Shqiptare (24-27 Mars 2017) rikthehet sërish këtë vit në një tjetër lokacion historik të New Yorkut. Kaufman Astoria Studios është një kompleks masiv në Queens, Astoria të New Yorkut, hapur që në vitin 1920. Sot konsiderohet si “lakmia e Hollivudit” në New York dhe bukuria e artë “Golden Age Beauty”. Organizuar nga Agjencia e Modës Shqiptare (Albanian Fashion Agency) në New York me themeluese dhe drejtoreshë Mrika Krasniqi, Java e Modës Shqiptare hapet me natën e tapetit të kuq dhe mbrëmjen gala të Albanian Fashion Show, që do zhvillohet me 25 Mars 2017, ora 5:00-9:00 në Astor Room, Kaufman Studios.
“Këtë vit presim që Java e Modës Shqiptare të jetë madhështore dhe një mbrëmje artistike e paharruar. Kemi më shumë dizajnerë që janë pjesë të programit dhe vendi ku do zhvillohet shfaqja është shumë luksoz dhe i bukur. Vitin e kaluar është dëshmuar se interesi për të përcjellë nga afër punën e disajnerëve shqiptarë ka qenë shumë i madh. Ne kishim mbi 500 vetë në sallë, të cilët e pëlqyen pa masë këtë mënyrë të prezantimit të veshjeve të krijuar nga disajnerë shqiptarë nga vende të ndryshme të botës. Ftojmë publikun të marri pjesë edhe këtë vit në Albanian Fashion Show për të parë surprizat dhe argëtimet që kemi përgatitur enkas për shqiptarët e Amerikës,” tha Mrika Krasniqi, organizatorja e AlbFashion Show.
“Ndjehem krenare që arti shqiptar dhe talentet shqiptare prezantohen në Amerikë, duke sjellë kështu një pjesë të bukur të kulturës tonë, të përfaqësuar nga treva të ndryshme shqiptare. Këtë edicion ne jemi përqendruar kryesisht te kompanitë amerikane, të cilat potencialisht bëjnë blerje të koleksioneve të disajnereve europianë.” shtoi Krasniqi.
Disa nga dizajnerët e famshëm të edicionit të dytë të Javës së Modës Shqiptare në New York janë: Ardi Asllani, Flora Select, Kadrije Brestofci, Jehona Bunjaku, Dashurie Elshani, Dona Fashion, Aferdita Delaj & Aida Selimi, etj. Supermodele të mirnjohura shqiptare do prezantojnë kreacionet e artistëve të njohur shqiptarë nga treva të ndryshme, duke përfshirë edhe punime nga stilistë të rinj, bizhuteri, veshje popullore dhe punime artizanale.
Javën e Modës Shqiptare në New York e bën interesante dhe prezenca e yjeve dhe VIP-ave, midis tyre përflitet të jenë të pranishëm Greta Koci, Eni Koci edhe Etnon. Një nga të ftuarit special të shfaqes është kërcimtarja e talentuar Etrita Abdullahu, e cila do performojë një vallzim klasik të baletit.
Për grimin e modeleve do kujdesen: grimerja e suksesshme Shqipe Namani, “NamaniBeauty” bashkë me ekipin e saj, Shqipe Gocaj & Besiana Hoti; si dhe stilisti i njohur Nazim Salihu “Noli Hairsalone” bashkë me ekipin e tij. Në mbrëmjen gala të 25 marsit do të ndahen 500 dhurata nga kompanija BYOB Hair Care. Ndërsa Biletat janë të gatshme në EventBrite
(www.albanianfashionagency.com).
Përveç Javës së Modës Shqitare, regjizorja dhe producentja e njohur Mrika Krasniqi dhe Nil Production zhvillon edicionin e 6-të të Festivalit të Filmit Shqiptar në New York prej datës 26 deri më 29 maj, 2017 (www.albanianfilmweek.net).