Fatmire Duraku
Udha e lirisë
Jeta e ka vetëm një udhë,
uni im i hutuar – një udhë,
që fundin s`ia di kush!
Fundi, a s`është vdekja?!
Vdekja nuk është fundi!
Vdekja është guri në zemër të atdheut,
Nga ku zë të pikojë gjaku i trimit
Dhe të shkëlqejë
Syri i lirisë
Liria, po – tha uni, –
por, këtu ne s`e patëm për të,
për lirinë
Jeta megjithatë e ka
vetëm një udhë…
Pasi guri foli
Qëndroj ndanë urës e kotur
Hija më thyhet në ujë
Ku ik, i them hijes, prit pak
Sa të falem me dallëndyshet në qiell,
Me lulet në gem të qershisë mbi lumë,
Me kallinjtë e rinj të grurit,
Me gurët dhe udhën bri kullës
T`i shikoj fushat nën pemë
Ta ndjek valën e qetë të ujit,
Zgjuar nga pika e lotit të rënë aty,
T`i rikujtoj të gjitha që s` kthehen.
Prit pak sa të vdes…
Ç` të dhemb, i them hijes në ujë, fol
Pasi dhe guri foli dhe u ça në mua
S` do të mund të ikësh kund,
Ti, tërë kjo që sheh dhe ndien je.
Qëndroj bri urës me hije në ujë,
E guri mbi të cilin rrija gjethonte.
Uji i bie gurit
Uji i bie gurit
Në gur fanari
Të mos mbyten yjet në det
Uji i bie gurit
Në gur kalaja
Në kala dera e vjetër
Nga do të hysh
Të mos vdesë pranvera pa ty
Uji i bie gurit
Në gur kalaja
Në kala dritarja
Unë e hap dritaren nga deti
Detit vjen ti prej largësisë
Në Ulqin lulëzon shega
Uji i bie gurit, uji i bie gurit
Ti fle në mua
Me mijëra vjet.
Ago Ymeri
Mbi Ulqin çel gojë kuçedra
Nga po do Ago Ymeri
Jashtë lëkurës nuk mundesh
Nga po shkon mbi hijen
Pas teje dhe shpirti i nuses vjen
Pas teje dhe deti vjen
Ago Ymeri i gurit
Ja si ngrihet me kokë për qiell
E përsëri bie mbi vete deti
Thermi thermi bëhet në sy
E pas një zë të thërret
Një hije e një shpirti të ndezur
Ta bën me dorë dhe vdes
Nga po shkon Ago Ymeri
Pas teje dhe deti po vjen
Pas teje dhe ti zvarrë kthehesh
E kurrë nuk arrin zallit
Ago Ymeri i mallit
Ti det ti zog i ndezur
Çdo gjë vetëm kaltër
Ujë i kaltër ulli` i kaltër sy i kaltër
Çdo gjë vetëm flakë e pafundësi
Zog me një krah në gjithësi
O ti det o zemër e ndezur
Se si vala i ngjitet qiellit të errët
E një pulëbardhë e mbytur në stuhi
Agu nga ndizet flakë mbi ty
Po zgjohesh det apo vetëm po fle
Dritë e gjelbër në Ulqin kaq vjet
Ti det ti zog i ndezur
(Ulqin, 2004)
Kaltër
Kalaja hyn në ag kaltër
Kroi para shtëpisë pikon kaltër
Kaltër ndrit dhe ulliri
Kaltër ndizet pa fund rëra
Unë hyj po ashtu kaltër
Në zemrën tënde të kaltër Ulqin
E gjaku i këngës së kaltër
I bën rojë amshimit tënd
(Ulqin, 2003)
Kaltër II
Marr brushën e kaltër
Dhe pikturoj ëndrrën
Me ngjyrë të kaltër
Pikturoj syrin tënd
Pikturoj pemën tënde
Pikturoj qiellin tënd
E marr brushën
Dhe ngjyrën e kaltër
E pikturoj krejt kaltër
Ëndrrën time
(Ulqin, 2003)
Kitara mes rraqesh
Shkallët e tavanit të shtëpisë
I ngjes me drojë e habi
Mbuluar me terr rraqet e së kaluarës
Ndër penjëza merimanga të frikshme
Në pluhur të thellë kujtimesh
Mes tjegullash pikon dritë magjike
Dhe shoh qartë fëmijërinë time
Lodrat që asaj i japin kuptim
Shoh udhët nën shi e baltë
Arat nën kallinjtë e artë të bukës
Pemishten e ndezur nga agimi
Pemët nën lule pemët nën fruta
Lumin nga ikën dhe merr largësinë
Mes tjegullash pikon dritë magjike
Dhe shoh gjithë atë që ka ikur
Ja dhe kitara aty në pluhur
Koha e ikur që më lidh me ty
Poezi te mrekullueshme
Komentet janë mbyllur.