CIKËL POEZISH NGA PETI DESTAN BAJRAKTARI

0
233
Naxhije Doçi - Destan Bajraktari
Naxhije Doçi
Naxhije Doçi

PROF. PRISHTINË,

Përgatitur nga NAXHIJE DOÇIProf. – Prishtinë

(Destan Bajraktari-profesor (tani i ndjerë), ishte anëtar i LSHK, anëtarë i Shoqatës Mbarkombëtare të Shkrimtarëve për fëmijë-Tiranë, anëtar i Shoqatës së Folkloristëve Shqiptarë të Kosovës, si edhe bashkëpunëtorë i jashtëm i Institutit Albanologjik të Kosovës)

Destan BajraktariPrishtinë

73 DËSHMORËVE – (Poezi)

(me rastin e njëvjetorit të rivarrosjes së tyre në Therandë–1999)

Theranda ime, tani mos u vesh në zi,-
Edhe ju motra mos i përlotni sytë,
Që dëshmorët po i varrosim për së dytë,
Të cilët u flijuan për Atdhe e Liri!

Ja shtatëdhjetë e tri varret, në vërri
Tash do të mbulohen – me nga një dëshmor-
Dhe, mbi çdo tumë, do të vëmë kurorë,
Ku do të shkruhet: “Trim, ty të qoftë lavdi!”

O, i nderuar, që tani vjen për t’i parë,
Qofsh ti i huaj, ose qofsh shqiptar,
Në shenjë nderimi shtatin tënd përule!

Dhe thuaj: “Tash pushoni të qetë, o trima me fletë
Dhe ky dhe, mbi ju, u qoftë i lehtë!…
Dhe, në vendin e nderit, vëni ca lule!

– (Poezi marrë nga libri: “Trojet e rrënuara”, Prishtinë, 2000, f.5)

VENDLINDJA IME

Kam lindur n’Suharekë, rrëzë Gardhinës plakë,
Në fushën e gjërë-tokën bukanike.
Në lindje është Carraleva-Guri Rrumbullak,
N’perëndim Pashtriku-Malet Dinarike.

Në veri rrethohet me G(u)rabinë e Thatë,
E në jug me Malin Sharr-qytetin Prizren.
Ne, që kemi lindur k’tu, kemi pasur fat,
Se tërë këtij vendi era kopsht i vjen.

Në prill çel kajsia, molla, dardha-pjeshka,
Blerojnë livadhet-vreshtat me ardhi,
Mugullon shelku, plepi dhe çka ka bjeshka.

E vjeshtën e presin me shumë prodhime,
Por edhe me tufa bagëtish-dhen e dhi.
O kjo është Drinia-vendlindja ime

– (Destan Bajraktari, “Përpjekjet tona”, Prishtinë, 1995, f. 20)

MOS I PENGONI SHQIPET TONA

O zogjtë e shqipes, që bredhni nëpër rrugë,
Dhe që rroni nga të tjerët-pa punë,
Mos i pengoni shqiptaret tona-me dhunë,
Se sjelljet tuaja na kthejnë në kohën me mugë!
Se dhuna është e keqe-kurdoherë

Dhe një gjë që bëhet pa hiq dëshirë,
ajo kurrë s’ka për të dalë mirë
fëmijët tuaj kanë për të mbetur të mjerë
ju prijuni atyre në shkollë dhe në çdo vend
se kjo është ajo puna juaj me mend
që mund ta bëni për komb e atdhe.

Ju mos i merrni lakmi të paditurit
Dhe ndër të gjithë më të koriturit
Që nuk ka besë, nder as kurkund vend te ne

– (D.Bajraktari, “Trysni e paparë mbi kombin shqiptar”, 2002, f. 19).

NË GARDHINË

Eci fushave dhe udhëve me kthesa
Ti ma hoqe lodhjen e endjeve të kota,
Duke më kthyer kah gjurmët, nga bota,
Edhe mendjen ma cyt te vetja-kah shpresa.

Tash jam ndalur në Gardhinën e stërlashtë,
I tretur n’mendime për t’kaluaren e saj,
Këtu me mbushën sytë lot, zemra m’rri n’vaj,
Sa jam i nxehtë brenda, aq i ftoftë jashtë.

Ah, këtu un’ çmallëm, këtu shpirt’risht pushoj,
Endem e çmendem botës – kudo e kahdo,
Por, veç këtu gjej prehje, se kam çka kujtoj.

Këtu jam si qershia, si arra me thelb;
Këtu gjithëkënd e dua – edhe më do;
Por edhe dikush m’ndrydh si të thatin me qelb.

– (Poezi (sonet) nga libri me poezi: “Ndodhi në stuhi” – Destan Bajraktari,
1995 – Prishtinë, (f. 19)

TRIMI I KOHËS SË VET

“Kush prin n’kohë të vet, – asht trim me fletë”,-
Kjo thënie vlen për Sejdi Bajraktarin,
Se qysh më njëqind e njëzet e tetë,
Ka shpërndarë libra shqip- me Syl’ Jasharin.

Kjo ish e ndaluar n’Jugosllavin’ e vjetër,
Më tepër se sa t’luftosh kundër pushtetit,
Se për atë të quanin cub – asgjë tjetër,
E për këtë – kundër popullit e mbretit.

Përkundër k’saj, ai i m’soi burrat shqip
I ndaloi shqiptarët t’mos dalin në Turqi,-
E qiti veten, me dhjetra herë, në zgrip.

Këtë trim të kohës, pra lipset, përkujtuar,
Duke i ngritur përmendore – n’vend të ti’
Si njeriut, që për komb të tij ka flijuar.
-(Poezi (sonet) nga libri “Ngjarje të paharrueshme”,
-Destan Bajraktari – Prishtinë, 1997, (f. 23)

Sipas të dhënave në libër:
(1.Sejdi Bajraktari nga Suhareka (i ati i autorit), ka qenë i ikur në Shqipëri, prej 1921-1924. Ka banuar te Ahmet Qarri i hasit. Prej andej i ka sjellur librat shqip. Ka qene disa mandate kryetar komune në Suharekë, edhe i ndjekur dhe i burgosur. 2. Syl Jashari-Kuçi, kushëri i Sejdi Bajraktarit, ka qenë me të në Shqipëri edhe e ka ndihmuar në Suharekë, në shpërndarje të librave.).

Përgatitur më 17. 04. 2021- Prishtinë

Destan Bajraktari:

DISA THËNIE POPULLORE SHQIPE MARRË NGA LIBRI
“FJALË TË URTA DHE THËNIE POPULLORE SHQIPE”
TË AUTORIT DESTAN BAJRAKTARI

  1. Anmiqtë kanë mujtë me na nalë shkrimin, por s’kanë mujt me na nalë knimin. f.28
  2. Ari n’zjarm dallohet, e shoki n’rrezik provohet. f. 29
  3. Ata qi s’don me ta ba dikush, mos ia ban edhe ti tjetërkuj. f. 35
  4. Bani mirë të mirit e jo të keqit e të shtirit. f. 43
  5. Çdo bylyk i dhenve e ka ka ni ugiq, po s’dihet me brina a pa brina.
  6. Dikushi ka hypë nalt, jo se ka zotsi e ftyrë, por pse ka ba ndonji punë t’papëlqyrë. f.75
  7. E keqja bahet sa hora, po s’hiqet me vjet. f. 95
  8. Fjala edhe buka, sa ma shum që të ngjeshën, aq ma të kajshme dalin. f. 113
  9. Liria fitohet me shpatë edhe mahet me shatë. f 259
  10. Librin e mirë aq kohë duhet me e shfletue, sa ka zgjatë deri sa asht shkrue. f. 258
  11. Murin e rrxon lagshtia, e njerin e rrxon ligësia. f. 342
  12. Njeri me dijeni din edhe me pri. f. 395
  13. Për me pleqnue, duhet me pasë men, yrrnek dhe durim. f. 430
  14. Punët e mira t’naltsojnë, e punt e kqija t’poshtojnë. f. 454
  15. Punët e tua ndreqi vetë, se n’pritsh me t’i ndreqë tjertë, t’jesin shkretë. f. 454
  16. S’ka gja ma ranë se me liftue me njerin tan. f. 480
  17. S’ka gja ma zi n’kët botë, se me hup kohën kot. f. 480
  18. Shamja asht (sh)frymë e gojflliqtit f. 492
  19. Vllaut mos i kallxo trimni, po kallxoi urtësi e butësi. f. 560
  20. Ziliqarin e mundojnë dy çashtje: të kqijat e veta edhe të mirat e të tjerëve. f. 563

Përzgjedhi: Naxhije Doçi