Cikël me poezi nga Shefqet Dibrani

0
749
Shefqet Dibrani, kala

Shefqet DIBRANI

Cikli është shkruar gjatë verës së vitit 1999, dhe është reflektim i asaj situate në të cilën e gjeta Kosovën: Fillimish është botuar në Libri me poezi “STREHËT E GJAKUT”, Botoi: Shtëpia Botuese “FAIK KONICA” Prishtinë, 2000, e më pas edhe në librin me poezi të zgjedhura “ANATOMIA E BRYMËS”, Botoi: Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë 2013.

I. STREHA IME PIKON GJAK

Pikat e gjakut
Quk-quk zhbirojnë gurët në themelet e kullave shekullore
pa pikë fryme shurdhër ranë mbi dhé
thika e përgjakur qëndrueshëm rri
në dorën e farës së gjinisë me rrënjë tekanjoze
Në agsholin pranveror e vranë pëllumbin pushbardhë
bashkë me vrullin e rritës së shenjtë
nga oxhaqet e fisit tim të pashuar
pikëllimi villte krimin vazhdimisht
që kur këmbë e barbarit shkeli truallin tim
Molla në oborr të shtëpisë preu bulëzimin
sqepi i krimbit, qershisë ia pikoi syrin
ninëzat e kuqe rrodhën si lot për faqe
korbi i zi korb solli tmerrin atë ditë
në agsholin tëmbëlor në prag të shekullit të ri

Kur pushka e parë shkrepi mbi të
u trand deri në çmendi sikur të ishte bishë
pikat quk-quk rrodhën gjakun e zi
krimi e tragjedia nuk kishin kufij
Na pshurrën pragun, na fëlliqën oborrin
streha ime vazhdimisht pikon gjak
gjak e flakë, flakë e gjak për çdo natë deri në ag

Natë ishte. Kujtuan askush s’i kishte parë
po ylli i fatit shqiptar sodiste tragjedinë
e rrezet e hënës deri pranë oxhakut kishin zbritur
Nga një urë e padjegur në zjarr
tymi fitil shkonte përpjetë
te retë çonte lajmin për krimin që ka parë
syrin nuk ia ka turbulluar as cipa
e blertë e hirit sipër rënë

Natë ishte. Gjithçka në gjumë
në shtrat në trojet e veta stërgjyshore

Hëna pikëllueshëm i kishte parë pikat e gjakut
kur nga streha ime
quk-quk në tokën time kishin rënë
dhe një lumë dhembjesh e hjekash
vërshoi nëpër kurmin tonë…

II. VIZATIMET E BARBARËVE

Natën erdhi ushtri e pafarë
erë “shlivovice”, kundërmim qelbësire
si djalli i zi kanë shkelur barin nëpër fushën time
kanë kuisur këmbëzat e urës
ushtrinë e serbit nuk e mbajmë kurrën e kurrës

Erdhën natën, rrethuan shtëpitë
erdhën për të mbetur,
tërbimi theu degët e pemishtes sime
në pullaz tjegullat na i theu…
pastaj shiu quk-quk, si qullë
shtratin e ka bërë ujë

Kaluan barbarët mbi ura në këtë anë
te kroi qetësisht presin frontin trimat
një pushkë një rrethatore e një copë
bukë të thatë, një fletë qepe në mes e dy kokrra kripë
Ka ditë që tymi nuk është ngjitur përpjetë
për mos t’i diktuar burrat ku janë në cilën bjeshkë

Kaluan ushtritë edhe lumin tash janë ngjitur
përpjetë drejt kullës sonë
në shtratin e nuses kanë fjetur tërë natën e gjatë
e diku në oborrin tonë kanë lëshuar qenin e tyre të lehë

Ushtri e pafarë
dalldisur i ka rënë fushës së blertë
qerrja e topave dhe këmbësori e shkretë
kanë thyer misrin, kanë shkelur grurin livadhin kanë djegur
të dehur në odën e bijës sime hungërojnë tërbueshëm
e me thundra brinjët asaj ia kanë shkelur
zvarrë tërhequr kopshtit nën degët e qershisë gjëmuese

me tehun e thikës majat e gjinjve ia shpuan
njëri ia thithte tamblin tjetri me raki plagët ia digjte
Nata bëhet sa një shekull rëndë

ndër muret tona në korridoret e kujtesës
çmendinë serbe barbarisht vizatojnë

III. FËRFËLLIMA E GJETHIT NGA PUTRAT E BARBARËVE

Shiu tashmë ka harruar tokën e çarë sikur gjumi fëmijën
era gjethet fërfëllon, zhurma e ujëvarës prish ëndrrën e natës
buzët e thara nga vuajtjet e ditës pema në oborrin e shtëpisë
fletët nga dega lëshoi
Zymtësia ka pllakosur ftoin dhe kumbullën në kopsht
pullazi pikëllueshëm në dy kahe shiun përçan
dhe gurra e ujit gurgullimën ka pakësuar
për një vuajtje që po afrohet

Ndanë mexhës së arës barbarët po vijnë
me pushkë në krah, “shlivovicën” në grykë e bajonetat në duar
Po vijnë të harbuar nuk ngjajnë me barin pas shiut
po vijnë për të shkretuar tokën
për t’ia prishur ëndrrat fëmijës
Barbarët rrapëllojnë uturimë lëshojnë
ata vijnë natën së bashku me krimin
bulëzimin e jetës për të prishur

Njerëzit kanë ikur pa plaçka në krah
Dhiaret përplot klithje fëmijësh,
gra të lemerisura. Ata nuk po shkojnë në ditë pazari
kanë marrë ikën janë futur malit për ta shpëtuar
vetëm kokën nga kosa e barbarit

Qerret me fasule, mbushur kovat me misër të zier racion ditor
Vasha që deshi të bëhet nuse pajën me vete mori
rrinte në pritje të krismës habertare dhe “eh”-ut të luftëtarit
çardaku mu në mes të malit
As natën njerëzit gjumë nuk fusnin në sy
ata në krahë të njëri-tjetrit në kolonë lëvarin kokën
për t’i përkëdhelur ëndrrat
Në pemishten time përsëri po thyhen pipthat e shartuar
më tutje shtrohet rakia qengji nuk është lëshuar
nga torishta as lopa nga stalla s’ka dalë
Kurse barbari me majën e thikës në trupin e kumbullës
në mur e portën e shtëpisë dhe në ballë të oxhakut
e mbi minder trininë serbe kudo vizaton

Rrugët e pazarit janë shkelur nga turma gjëmëtarësh
nga lindja e fëmijëve në fushë e në mal
me dhembje lehonat ardhmërinë më tutje për një brez çojnë

IV. PEMA IME LARË ME GJAK

E shkelën grurin në arë e gardhiqet na i thyen
u ça porta, dera e shtëpisë u përplas
xhamat e dritares copë-copë ndanë rrugës ranë
fletët e librave nëpër u panë

Lumi përplot gjak e gjaku u nxi
plumbi mbi kokat tona zogut krahun ia plagoi
dielli u turbullua, lemeria e mori
lulja në livadh nga çizmja barbare është vrarë
bari i shkretuar në pranverë pa gafrruar ka mbetur
viçi tmerruar ndër fushë është fshehur

Pema ime u la me djersë burrash
breza të këputur duar të shkatërruara
klithma e tyre si ehu i këngës ndër dhëmbë
dhe rrënjët e pemës ujiten me gjak

Kokat si frutat kanë rënë…

V. NJË TIS MJEGULLE PO VERBON

Muzgu shurdhër po bie, një tis mjegulle po verbon
frika kaploi fshatin trishtimi ndër dhëmbë ka ardhur
ogiçët kthehen me kambana të çara të mbushura me bar
qenve turinjtë ua mbuluan me kova që “ham”-et e tyre
të pushojnë
patkonjtë kuajve jua mbështollën me pëlhurë
që lehtas nga bjeshka të zbresin në fushë
Bagëtia qetë-qetë zbret nga stanet bariu fyellin ka braktisur
trishtimi e frika oxhaqet e odave ka pushtuar
rrugicat e fshatit të zbrazëta
as mjelëset e lopëve në prag të vathit s’dalin

Muzgu shurdhër po vjen, një tis trishtimi po verbon
frika pllakosi fshatin shurdhësia po kaplon
vetëm rrapëllima e barbarëve e prishi monotoninë
thikat e tyre thekshëm vezullojnë, ah barbarët
arritën kudo ndër trojet tona

Një gjel kryeneç alarmin lëshoi barbarët i pezmatoi
për t’u hakmarrë vranë qenin në zinxhir
në kope therën ogiçin, dhenve iu grahën përpara
e dhitë e kuqe na i lëshuan ndër ara
I kallën qerret e mbushura përplot ushqime
kuajve këmbët ua shëmtuan
e zogut krahët ia shpuan

Barbarët erdhën në trojet tona
me dhembje të theksueshme bari rritej në rrugë
Njeri i gjallë nuk lëviz
a thua ka mbetur dikush në jetë ditën që ka lindur

VI. ZËRAT NDËR DHËMBË PËRMBYTEN

A thua ka mbetur dikush gjallë a thua…
Zërat ndër dhëmbë përmbyten nga gulçimat
kambanat e tufave më nuk dëgjohen as hingëllimat
qentë i kanë vrarë njerëzit i kanë shpërndarë
ku e kah nuk di njeri i gjallë
Vera ka ardhur me retë sterrë
njeri i gjallë nuk ka dalë në derë
Arat u shkretëruan tufat u asgjësuan
troku i kuajve s’dëgjohet as qerret me qe rrugës s’kalojnë
Hithra e gjemba mbushur kopshtet djerrë kanë mbetur
rrugët janë shembur udhët e bjeshkës kanë humbur

Nga mëngjesi e gjer në mbrëmje digjen
pëllëmbë për pëllëmbë shtëpitë. Rrobat e palara nga djersa
kundërmojnë, fshati kundërmon nga shtazët e vrara
nga qentë e ngordhur
Tek-tuk nëpër fushë duket tufa e egërsuar
me gjinj të harbuar mjelësja nuk merr qumështin
e djegur nga vapa nga gjinjtë me hithra të regjur

Vera ka ardhur retë janë bërë sterrë
dera e shtëpisë është mbushur me thera
në bjeshkë bari është rritur deri në gju
tufa mungon, s’dëgjohet zëri i Laroshit
lisat e trembur nga qetësia e harruar
pa zërin e grigjës e fyellin e bariut sa e trishtuar
Vetëm era ia prish qetësinë bjeshkës
e ndonjë qen endacak që i shpëtoi betejës
në asnjë bjeshkë zëra nuk ka më
as sëpata e pylltarit lisit të rënë
as “ah”-u, as “oh”-u, as loja, as dashuri në
bjeshkë nuk gjen, kanë ikur të gjithë atje matanë
matanë shtatë brezave ku bren miza hekur

Shirat kanë ndërruar kahet ato ravijëzojnë
bari ka dalë mbi pragun e shtëpisë e
ferrat dritaret i kanë mbyllur
e qeni ka ngrirë në zinxhir

Nëpër pyll ujkonjat ushqejnë këlyshët
me tufat e ngordhura dhe me kockat e
njerëzve të vrarë, një shekull më parë
e tani, tani…

VII. SHIRAT VJESHTORË PO VIJNË

Shirat po vijnë, bari gufon e gafrron
dhe rrugët mbulohen me ferra
tashmë edhe dhiaret e bjeshkës së shkelur
janë mbuluar me bar edhe qentë e tërbuar
ranë në arë. As dëgjohet zë
as ka dalë bujku në fushë tashmë
shkretëruar është jeta, s’ka “lëshuar” as bleta

Ikanakë! Mos ëndërroni shtratin e butë, as
shtëpitë e padjegura as fshatin e katandisur
mos e kujtoni hijen në oborrin e shtëpisë
as tufën as bjeshkën krojet e akullta mos i kujtoni
atje barbarët tashti dergjen
Ikni shqiptarë nga kosa e barbarit
leni lopët çfarë keni të gjallë shpëtoni
kokën dhe bimën që mbani në duar
Tufa do ta gjejë bjeshkën me barin e harbuar
e ndër stanet tuaja ajo do të flejë. Mos u hidhëroni
mos i mallkoni pse bajgën kanë lëshuar në shtratin fierak
shtazë janë, po çfarë të bëjmë me barbarët.

Ikanakë! Në gjumë rrëmbyeshëm do t’u dalë fusha përpara
mos i mallkoni ëndrrat as shekujt plot vuajtje
mos i mallkoni kopshtet e pemishten
se bari nuk rritet në gjak

Ikanakë! Bëfshi gjumë të lehtë në tenda
mos mallkoni shirat vjeshtakë që po ofrohen
e dyshekun do t’ua lagin e trupin
do t’ua kalbin mos mallkoni
pse rrëmbyeshëm do të fryhet përroi ai do t’i
lajë gurët plot gjak e dheun
do ta bartë deri sa të dalë në kafkë në një kafkë harrestare

Plepi do t’i lëshojë gjethet nga erërat vjeshtake
gjethet në tokë do të kalben ti mos
mallko dridhërimat e lisave nga ethet e murlanëve
e ti floknajën tënde mos e lësho në erë kombi im
shpirti im ti mos u shqetëso as mos mallko
Mos i kujto të vdekurit as varret mos harro
çfarë ke parë çfarë ke përjetuar
as krojet e mbushura me eshtra as puset me gjak
mos i kujto ëndrrat e gëzueshme
as puthjen e fëmijës
mos i kujto krimet as kosën
që ra mbi kokat e luleve në livadh

Shirat vjeshtakë po vijnë varret
do t’i rrafshojnë e mbi to në pranverë
bari do të mbijë e kosëtarët
do të kthehen përsëri
Plugu një ditë një kafkë
mbi dhé ka për ta qitur. Ti mos u shqetëso
as mos e mallko umin e plugut pse
një kafkë mbi dhé ka nxjerrë
një kafkë harrestare…

VIII. NJË KAFKË HARRESTARE

Një kafkë harrestare – një kafkë harrestare
tinës fshatit është vjedhur ndër varre
kush e ka parë – kush e ka marrë nuk di njeri i gjallë

Varret janë lodruar kockat janë tubuar
tinës fshatit kanë ardhur kafkën kanë marrë
një kafkë harrestare

Me maska në fytyrë me lopata në dorë
kanë rrëmihur e rrëmihur qetas ndër varre
me gjëmë natën për hënë pa bërë zë
gjersa kanë gjetur kafkën
kafkën kanë marrë
atë kafkën harrestare
që prej vitesh errësonte ndër varre

Varret janë lodruar kockat janë tubuar
fshehtas kanë ardhur vetëm kafkën kanë marrë
kafkën harrestare ndër varre
varret shkretuar gurët kanë rrëzuar
dhe me plugje pastaj i kanë lëvruar

Dhe me plugje lëvruar i kanë varret stërgjyshore
kafkën kanë marrë kafkën harrestare
në kujtesë ka mbetur vetëm kujtimi i zi
në katakombet tona shekullore…

IX. ERDHËN NDËR VARRET TONA

Ndër varret tona tinës për natë ranë
në pritje të mëngjesit me trasta në krah gjetur na kanë
Për dhé na rrëzuan me çizme na shqelmuan
pastaj barbarët egërsisht u sulën mbi gratë tona
Burrat i lidhën për peme në oborr
kosa shkëlqente në dorën e barbarit
priste të rrëzonte meshkujt përnjëherë
sikurse rrëzohet bari

Na ranë në pritje të mëngjesit në ikje
tatëpjetës së malit na ranë në vatrat stërgjyshore
aty ku prindërit tanë denbabaden mbetën në këmbë
ata shkrepnin pushkën për lindjen e djalit
kuajt shalonin dhe vetë lëronin arat
dhe thërrisnin me sa gurmaz që kishin
eeej a dëgjoni gjallë jemi në këtë vend
dymijë vjet para Krishtit, Ilirishte kemi folur
dhe tashti shaminë na kanë vënë mbi gojë

Erdhën ndër vatrat tona për të na rrëzuar
krenarinë e barit vesëtar e lisat
që prekin qiellin si plisat binin
mëngjeseve herët e muzgjeve verore
shpresën vazhdimisht kishim në lindjen e diellit

Pemishtja vetëm ka mbetur. Secili më vete
kujton dhe pyet vetveten dhe ata që
s’janë pranë se si janë e ku janë
Udha nëpër mal është me të papritura
me kosa mbi kokë e thika në shokë
Dikush bie në kodrën e këtushme tjetri bie matanë
me varre u mbulua ky vend në çdo anë
Fëmijët flasin me gjuhën e gjetheve
vetëm zogjtë i kuptojnë e degët rënkojnë

X. KAFKAT NË VARRE NA I KANË SHPALUAR

Barbarët na çanë, gjymtuan e sakatosën
fëmijët flisnin me gjuhën e gjetheve, me zogjtë
kuptohen, në shkollë i dërguan
shkronjat me gaxharrema ua mësuan
Mësuan si nuk duhet dashur atdheu si urrehet vëllai
i mësuan si nuk duhet mësuar e shkronjat
me gaxharrema vazhdimisht trastën ua shpuan
Peng mbetën tek ardhësi, ardhësi ishte barbar
në shkollë të tyre na futën shpirtin na copëtuan
sytë i munduan e vaji në buzë gjithnjë na mbet
Me kallam misri barkun ushqyem e këtë
shtat fidak e rritëm ngadalë.
Disi shkronjat i mësuam, e kur ato germa me qoshe
na shpëtonin prej dore, gjaku curril shkonte
Në vend të Naimit, Vukun na dhanë, në vend të
Kristoforidhit, Njegoshin na urdhëruan, kur
i venim mbi shuplakë, duart vazhdimisht
mbusheshin me gjak, nga tehu i shkronjave
nga të thepisurat që kanë

Ndër varre gurët na i rrëzuan, në noteri
emrat na i ndryshuan. Vuajtje e pikëllim
pësoi kombi im, e kafkat ndër varre
na i shpaluan – kafkat e fisit tim të pashuar
me shpirt të plagosur

Ne dinim të kujt jemi dhe dinim
të kujt mos të jemi, por barbarët na detyruan
edhe në shtëpi të flasim gjuhën e huaj
gjuhën e barbarëve, që na i ngritën kafkat
ndër varre – kafkat e fisit tim që gjallonte në vegim

Barbarët erdhën për të mos shkuar
ndër vatrat tona donin qëndruar
në qytete e katunde dyndeshin pa lindur
dielli në bujtina rrinin gjersa këndonte gjeli
Gotat i cakërronin mbi varret tona
(zakon i moçëm për sojin e barbarëve
dolli e aheng të ngritin mbi varre)
Kuajt tanë rrëmbenin dhe i ushqenin
me bukën e gojës, dhe shpatat i mprihnin
mbi trupin tonë. Barbarët erdhën gjithë
lemeri, erdhën dhe qëndruan
e mbi varret tona kanë kënduar
pastaj kafkat në varre na i kanë shpaluar…

XI. LAVDIA E BARBARËVE

Shpatat preheshin mbi trupin tonë
nga mllefi këndonin nga qejfi dhunonin
bukën e magjes na helmonin, ujin na e kanë pshurrë
me gruan e kurorës natën kaluan
me fjalë të rënda na acaronin
e me thika zemrën na shponin
Pemishten na dëmtuan, tufën na zvogëluan
barbarët çfarë u pillte kaptina kërkonin
me qafë lëvarur jetën kalonim

Hullive të vuajtjeve e rrudhave të ballit
kanë kaluar si në shuplakë dore nëpër oborrin tonë
policë e ushtarë vrasës e kosëtarë

Kaluan ushtri pa prijës e prijësit vinin më vonë
dhe bënin be se këtu do të qëndronin
ne jemi të lavdishëm të përjetshëm na thanë
dhe hëngrën kokën e vet dhe nxorën sytë tanë
Në çdo shtëpi shtatë filiza lindur kanë
lagjet u rritën në katunde, fëmijëve
në çdo çerek shekulli kosa u binte përmbi
e ne si bari shpërthenim përsëri
me piklat e vesës së mëngjesit
e lotët e mbrëmjes

XII. MBI VARRET TONA ËSHTË LUAJTUR KOMEDIA

Kuajt tanë të shalës egërsisht janë harbuar
ka vite shqiptarët që s’i kanë shaluar
as bjeshkën e vet nuk e kanë bjeshkuar
as tufën e vet nuk e kanë lëshuar
as kopshtin kanë mbjellë as pemishten
as kanë biseduar me shqipen

Dasmat kishin harruar zakonet
kënga nga gjokset nuk fërgëllonte
as pushka habertare nuk qëllonte

E ne nuk qanim kur e zeza ra përmbi
e ne nuk kujitëm kur thika përgjakej mbi trupin tonë
As oh as uh nuk bëmë nga gjëma në gjëmë

Varret na shtoheshin çdo ditë
ato zgjeroheshin vazhdimisht
(gurin mbi koka s’lejuan të rënduaka!)
Vjeshta me ujë të rrëmbyeshëm
i rrafshonte e në pranverë bari harrestar i mbulonte
Vinin kohëra të tjera e kosa binte
përmbi e varret e reja
me ngushëllime të reja psherëtimash

Kafkat e vjetra kuisnin nga tragjedia
mbi varret tona zgërdhihej komedia
e ardhur nga skizmëria

XIII. PËRBALLIMI I DHUNËS

Kur e zeza ra si një topuz në trojet tona, barbarët
tashmë ishin kudo e ne u mëveshëm me të bardha
kërkonim vetëm paqe e vëllazëri
butësisht na hynë në shtëpitë tona
e qetësisht na grinë
Me zemrën gur i kaluam të gjitha
krushqitë e reja i bëmë me ta dhe lak e gjak
na rridhte për çdo ditë
Edhe librin e tyre mësuam, gishtat
tanë i lënduam nga tehu i shkronjave
Dhunë libri na u bë përditshmëri, me kokë
varur tehut të shpatës ecnim vazhdimisht
vesës së mëngjesit ia kishim frikën
këmba rrëshqiste sikurse mbi barin e bjeshkës
plagët hapeshin si në frontet e betejës

Ligjin e kishin bërë dhunë e dhunën përditshmëri
sejmenë e topuzë, qyskistarë e krillash
vërsuleshin vazhdimisht e kosëtarët
rrëzonin barin vesatar çdo ditë

Të zezat i kaluan vetëm atëherë kur dhunën mësuam
e fëmijët Durim i pagëzuam

XIV. DIMRAVE KRIMET JANË ASHPËRSUAR

Ende pa fshirë kosën e lagur me fijet e barit të njomë
që kosëtari rrëzonte pa pra
fjalët e buta dhe lapsi ndërmjet gishtërinjve
tashmë si një kunj vrastari lëndonin vazhdimisht
Filluan bjeshkën e kaluan
E në pemishten tonë shqip është folur
e dritat e kuvendit nuk fikeshin deri vonë

Nga rruga bari u herr
e dritares ferrën ia kemi hequr
dhe lëmashku në çati u pastrua
oxhaqet tymin shtëllungë kanë lëshuar

E bjeshka ka mugulluar, vuajtjet e zeza
i kemi përballuar, nëpër plumba e nën tehun
e kosës tufën e kemi shtuar
Arat e Kosovës vetë i kemi mbjellë
e kur bereqeti mirë është bâ, e kur
vera ka qenë e frytshme, në atë vit
tragjedia ka pllakosur
vinin barbarët
bashkë me dimrin e ashpër të krimeve

XV. NË SYTË E ZEZË MATNIM TRAGJEDINË

Bjeshkët tona janë pushtuar
e kurrë dru në to lirshëm
nuk kemi marrë
edhe pse me bjeshkën jetojmë
Kroin tonë e përroin matanë
dhe fushën e begatuar më tonën
s’e kemi pasur
as ujin për ara as kopshtin rreth shtëpisë
dhe pemishten
as yjet përsipër

Xhelepçinj e tagrambledhës vinin rrebesh
tagër për tokë e shtëpi kanë mbledhur
për kopshtin e pemishten
tagër për bjeshkën e pashkelur
e lumin në fushë të paprekur për ajrin e ndotur që
thithnim dhe vesën mbi barin e butë

Tepricat kërkonin vazhdimisht
edhe për hënën që pëlleshëm ndrin
për diellin rrezellitës e shiun
dhe borën e madhe
kur dimrave fërfëllinte mes përmes fërfëllizës

Barbarët me çizme vazhdimisht vinin
vjeshtave të vona dhe dimrave të fortë
shtëpi më shtëpi tagër kanë mbledhur
putrën e venin në vathet tona
në sytë e zezë ne matnim tragjedinë

XVI. FUSHAT DHE ARAT MBETËN SHKRET

U pushtuan katundet tona pëllëmbë për pëllëmbë
Njerëzit e bardhë në stane shkuan
Veten e tufën për ta shpëtuar
Fusha dhe arat mbetën shkretë
Nuk i bartnim dot

Karshi nga bjeshka dukeshin burimet e përrenjtë e shkretë
të lashtat rrëzoheshin nga qentë e ushtria
vadat e ujit gjithkund i shkatërruan
dhe magjen e bukës përjashta e vërvitën ardhësit jabanxhi
e në arat tona kanë hyrë kosëtarët e huaj
bereqetet shkeleshin nga thundra e dhunës

Arat tona tashmë i ka pllakosur zia
më nuk dalin argatët në mëngjes
duajt e korrur kanë filluar të kalben
e bima e re nga kokrra e grurit ka mbirë vetvetiu
askush nuk del në derë
është kohë pune apo verë
ku është barbari dhe njeriu

XVII. BARBARËT VIJNË NË FILLIM TË PRANVERËS

Barbarët erdhën ranë mbi tokën tonë
kur fara e grurit ishte hedhur në arë
kaloi dimri e pushtetarët zgjebën e sollën
në fillim të pranverës filluan të shkelin brazë për brazë
e matën tokën tonë, kryqet ia vunë
dyert e shtëpive me pushkë na i çanë
ranë ndër pemishtet tona pipat e shartuar i thyen

Ditët kalonin zgjatej robëria
askush në derë nuk dilte nga barbaria
As për ujë në gurrë s’kishim guxim të shkojmë
Barbarët vinin e kosëtarët rrëzonin
e ne perimet tona vetë i kemi blerë

Bukën e blinim me mundin e fituar të djemve tanë
përtej shtatë dhembjeve e nëntë shqetësimeve
letrat e tyre na këndoheshin pa na ardhur te shtëpia
vala e krimit rritej çdo ditë
kur ato letra nuk shkruheshin me shkronjat
me gaxharrema e për tokën tonë thoshin është e jona

XVIII. VUAJTJET QË KULLONIN GJAK

Toka e lagështuar nga bora që u shkri…
buka e ardhur në magje ka mbetur pa pjekur në furrë
Burrat me fëmijë ngarkuar gratë
u shkonin prapa shkonin
për mos t’u kthyer kurrë…

Barbarëve dyert e shtëpive
hapur ua kemi lënë
vetëm kuisja e tyre thyente trishtimin
që kishte pllakosur dhomat e vetmuara
qentë kalonin oborr më oborr
për të gjetur të zotët e konakut
edhe ata filluan të largohen për në bjeshkë
pa bërë hamë askënd pa e lehur

Barbarët i rrafshuan pllajat
e plugun e tyre futën serbes në arat tona
(ai na çante mes përmes zemrat)
e dhembja gjatë u ndje
kurse vuajtjet ende kullojnë gjak

XIX. ZËRA TË ÇJERRË

Para se të vijnë befas barbarët
fusha errësohet siç tërbohet era para shiut
ashtu siç shkreptijnë vetëtimat e para
vuajtje e mjerim të madh do të ndezë fusha
Zëra të rëndë të një gjuhe çjerrëse
ashpër komandojnë
shpresa të mbytura që në dhé të çojnë
notonin mbi gjakun që shkonte rrëke

Kush mund të lozë “kollo” a këngë të këndojë
mbi trupat e masakruar të tragjedisë sonë

Shtrënguar në kraharor një vajzë vëllait flokët ia lëmonte
buzën në gaz nga goja gjak i rridhte
lamtumirë vuajtje lamtumirë tragjedi
tha dhe ktheu kokën të fle

Oh, një klithmë buçiti për të vëllanë
vëlla i bardhi vëlla munde (vetëm për mua)
këtë dhembje në orën e ligë

XX. PËRSE DUHET BËRË PAJTIMI?!…

Kur nga toka minat t’i heqim
Kur t’i mbledhim njerëzit me pikëllim
E kur varret t’i renditim
Në raft librat do t`i palosim
Paksa plagët do të na na pushojnë
Atëherë ndoshta duhet të pajtojmë

Pa i mbushur të shtatat, dyert për kryeshëndosh pa mbyllur
pa i rivarrosur shpirtrat e rënë nga bataretë e barbarit
pa i futur në varret e të parëve ku prehen gjyshstërgjyshërit
pa e hequr shkrumbin nga buzët dhe pragu i shtëpive të djegura
pa e shuar etjen me ujin e kroit dhe pa e larë trupin nga turpi
pa ditur për të gjallët nëse janë gjallë
dhe për të vdekurit ku kanë rënë
dhe të shkapërderdhurit anë e kënd botës ku janë
ende pa dalë tymi nga oxhaqet e mbetura në këmbë
pa i hequr ferrat e pa dëgjuar palljen e lopës tek dera
pa e ndjerë hingëllimën e kalit e hamë-hamët e qenve
na thërrasin ata të sojit balosh
për t’u pajtuar, për t’i harruar këto tragjedi
e prapë barbarin ta fusim kumbarë në shtëpi

Na thërret një Lëmsh që emrin e ka Hëmsh
harroni kah jeni e kah veni, të kujt jeni e pse jeni

Krimi i zi deshi të na zhdukë nga jeta, të na fshijë kujtesën
pajtohuni me barbarin na thoshte vazhdimisht
ai probatini i bërë katran zi
Na tha ky mik aq armik se veshët janë për të përgjuar
dhe bota s’ka dëgjuar se sytë janë për të parë e jo për të vëzhguar
kurse hundët nuk janë për t’i futur aty ku s’duhet, aty…
e probatini Hëmsh vazhdimisht miqtë e tij do t’i bëjë Lëmsh

Ky mik kaq armik ka logjikë muzhiku e zbritur ka
nga katundi i Barbarisë për t’i bërë zi shqiptarisë

SHËNIME BIOGRAFIKE

Shefqet Dibrani (03. 08. 1960). Lindi në fshatin Gërdoc të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen teknike, drejtimi kimiko-teknologjik në Kastriot (ish Obiliq), ndërsa Sh.L.P. “Bajram Curri”, drejtimi “Biologji – Kimi” në Gjakovë. Është anëtarë i Lidhjes së Autorëve dhe Autoreve (AdS), në Zvicër që nga viti 2001, anëtar i Shoqatës Interkulturore “International Culture Bridge”, Zürich 2002. Anëtarë i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Zvicër (SHKSHZ).

Sh. Dibrani, shkruan poezi e kritikë letrare, ndërsa viteve të fundit është marrë edhe me hulumtime në fushën e analizave politike. Tashmë është autor i 25 librave letrarë e publicistik. Është i prezantuar në mbi 150 libra studimorë, leksikone dhe antologji me autor shqiptarë dhe të huaj, kurse në 3 tema të magjistraturës dhe disa tituj akademik në nivelin Bachelor, janë marrë për bazë librat dhe shkrimet e tij. Ka dhënë me dhjetëra intervista në gazeta, radio dhe televizione të ndryshme, si dhe ka pasur shumë promovime e prezantime letrare.

Krijimtaria e tij ka zgjuar edhe vëmendjen e kritikës letrare ku janë publikuar me dhjetëra shkrime kritike të cilat si vëllim e përbëjnë një libër me mbi 500 faqe. Kurse poezia e tij është përkthyer në disa gjuhë dhe është prezantuar nëpër shumë antologji shqipe dhe në gjuhë të huaja.

Me një fjalë, Shefqet Dibrani, e ka bërë historinë e vet. Sot nuk mund të shkruhet për shqiptarët në Zvicër dhe emri i tij të anashkalohet!…

Shefqet Dibrani, jeton në Zvicër.