Nga MUSTAFA V. SPAHIU
MË VJEN ZËRI I KËNGËS
Çdo kokërr kripe zjarrit kur pëlcet,
Thikëpërpjetë e nxjerr melodinë…
Kape metaforën e çastit ore poet,
Si bulthi që cërcërron në lëndinë.
Një gjethe, një pendël,një lahuri
Lëshohen barit’ blertë pa hetuar
Patjetër duan të lindet – poezi –
Të këndohet shtruar – shtruar.
Palombar kridhem idilës trime,
Zemra më grafullon në krahëror;
Me diell të verës mbi bubullime –
Kërkon fjalën e re nëpër meteor.’
Më vjen zëri këngës buzëqeshur,
Kënga kërkon madhështi jete…
Sa ësht’ e brumët duhet ngjeshur;
Dhe rimash me shpejtësi komete.
Kënga do lëng, ngjyrë pranverore,
Dallgë oqeani, deti – dallgë liqeni…
Mos të shkrihet si gjurmë dëbore –
Shpirt e zemër ngjatjetime vendi.
E hënë, 13 korrik 2020
VARGJET POETË VARGJET…
Do t’i them vargjet pa ngurim
Me metafora qartë e më qartë!
Çdo rimë të lulëzon frymëzim
Dhe behar i përndezur në kartë!
S’dua asnjë këngë të harrohet,
Qofshin jehonë në shtrëngatë
Secila rebeluar të hakërrohet
Fytas me penë, ose me shpatë!
Do këndoj me maturi në kokë,
Do këndoj se më zu dhe gryka!
Për florë e faunë në këtë tokë –
Nga shklet nepërka pika-pika.
T’ia marë perlën që ka guaska,
Gjithë zjarrin ku ndezet zjarri…
Dhe çdo rreze që vargje paska;
Mbi ylbere ku lartësohet bari…
Këngët mëkojnë plagë gjakimi,
Gjejë motive maleve e në shpat.
Poeti ka shtatë damarë rebelimi;
E kap çastin pa u futur në mat…
Në lojën e cicmicit të del pusia,
Nëntë kokërrat e kanë sekretin!
Bum dhe cak nuk duron poezia,
Parandjenjat ngacmojnë poetin…
E diel, 12 korrik 2020
FACULETA E NANËS
Dyzet vjetë para sysh më shkiste,
Faculetë dasme që mbajnë gratë.
Nga duart shpesh më rrëshqiste –
E qëndisur me fije penjsh të artë…
Nana ikte n’vegim fshihte fytyrën,
E tundte faculeten kristal dëbore
Ia dalloja dantelat, erën e ngjyrën,
I printe valles – zemër burrërore…
Çekmezës këmishat paq i përziej;
Më djeg një flakë, prush i pasosur!
Duarsh e mbaj – me ofshe psherëtij
E vë n’faqe faculetën me lot palosur.
Cepit e kishte yllin sërm të dukur,
Faculeta e nanës – behar i ndezur
Nuses i gdhelte ballin hën’ e bukur
Vetullash gonxhet jeshile te çelur…
E diel, 12 korrik 2020
UNË, BIR I TOKËS
Truallit shputa ngado më shkel
Këmishëblertë luadhi rri qeshur
Pas ferkemesh nga një lule del,
Unë, fshatarisht krejtë i veshur…
Fshati i lashtë n’ ngrykë më merr,
Mocët e plakur thonë ku je, o vëlla?
Të ndërmendim stinësh përherë!
As në dasma s’na vjen, or Mustafa!
Mos më ngani se plasa nga malli
Nuk ka det që ma shuan dashurinë
Edhe ferrparajsën me zjarr e kalli;
Të vij të kuvendojë me njerëzinë…
Unë, bir i tokës – endem vetmitar,
Më braktisën – qindra smirëzinjë!
Zemërçelur poende më guximtar,
Shpirti im se braktisi kur poezinë.
As vendlindjen, s’ jam mendjelehtë,
Mos pandehni se ngjajë në tjetët!..
Tungjatjeta, fshat të them ty përjetë
Prehërit më ke kur mërzitem tepër…
Imazhet kur fshatit nisin rrëshqasin,
Brengë pas brengash kur s’mu shua!
Motivet bjeshkëve ujëvarë buqasin:
“Jetën e desha, prapë unë e dua!..”
Hungurima gomer t’egër sa dëgjoj,
Drejt meje tufane yshtën pa pushim!
“Veçse të shtrenjtën lirë s’e lëshoj.”
Zërin e bretkosave s’e kap veshi im!
Poezia! Famën asnjë dot s’ma zbret,
Vazhdoni sharjet, mllef e përçmim…
Unë, jam poet e fshatit – dora e vet,
Çdo këngë ka firmën e emrit tim…
E hënë, 13 korrik 2020, në
Dardaninë Ilire