CIKËL ME 15 POEZI – “FISI I QENEVE” – nga Faslli Haliti

0
553
Faslli Haliti - portret

FASLLI HALITI

FISI I QENVE

Kur pashë disa qenë ne Paris,
Kur dëgjova lehjet e tyre
Rreth kullës Ejfel,
Në Shans Alize,
Thashë me veten time,
Me shumë pikëllim:
Fisi i qenve qenka kudo njëlloj në botë,
Lehka dhe kafshuaka kudo,
Me të njëjtin
Tërbim…

1986-2004, Nëntori

LUANI DHE KRIMBI

Luani
Nuk pret të bëhesh kufomë,
Ai të hidhet,
Të shqyen,
Të bën kufomë vetë
Në sulmin e tij ka egërsi.
Ka dhe dinjitet.

Krimbi
Nuk të hidhet
Ai pret të bëhesh kufomë,
Pastaj të hidhet
Krimbërisht të sulmon.

1988, Hosteni

ZHURMË

Para meje në rrugë,
Kaloi motoçikleta plot zhurmë
Dhe humbi mes kamionësh në muzg.
Ca krisma skapamentosh plot gaz,
Si uturimë reaktivi
La pas.

E pashë.
Eh, gjërat e vogla
sa zhurmë që bëjnë, thash…!

1963, «Drita»

NËNA

Si më the ashtu në çastet e fundit:
-Mbylle lesën, mbylle lesën…
Derën e apartamentit mbylla unë.
Më çove në fëmijëri,
Më çove në ato vite,
Kur më thoshe në muzg:
“Shko mbylle lesën, Çaçì!

Vrapoja unë në muzg,
Lesën e oborrit mbyllja me vrap,
Lesën e madhe thurur me rakit,
Dhe kthehesha rrugicës duke parë prapa,
Dhe futesha në prehrin tënd nga frika.

Po ti ike, moj nënë,
Ç’pate për të thënë i the të gjitha…
Kam edhe unë diçka për të thënë:
Nëse njeriu s’u ngopka me jetë,
Fëmija nuk ngopet me nënë…

1982, Drita

NIHILISTËT

Dhe ata
Të ulur mbi një lëndinë pranverore
Shanin lulet,
Barin,
Bletët,
Cicërimat,
Shanin këngën e laureshës, drizakut, bilbilit,
Shanin blerimin dhe kaltërsinë qiellore…
Ashtu të ulur mbi bar
Shanin pranverën,
Gjë nuk i linin pranverës pa sharë:

“Edhe kjo pranvera njëlloj na vjen për vit
Me lule, blerim, kaltërsi, cicërima zogjsh, zukatje bletësh,
Edhe fushat, edhe malet i mbush me lule, me bar,
Edhe qiellin na e bojatis me kaltërsi gjithmonë.
Tokën na e bën monotone
Dhe qiellin monoton.
Të kulluar…

Sfidante pranvera, në lulëzim harbon.

1972, Drita

UNË DHE BUROKRACIA
OSE
UNË DHE OLIGARKËT

Unë jam kont Ugolini
Burokracia,
Ruxhero
Është.
Unë si Ugolini
Kokën e Ruxheros burokraci brej
Dhe as lodhje,
As mëshirë s’kam,
Veç kënaqësi
Kënaqësi
Ndiej.

Petraqi
(Shefi im në komitet)
Si Ruxhero
I mbylli vitet e studimeve të mia
Në qelitë e sirtarit të tij
Shtatë
Vjet.
Të uritura vitet e studimeve të mia
Si djemtë e Ugolinit që prisnin një kore bukë
Prisnin një kafshatë leksioni.
Një racion libri të butë.

I ndjek studimet tani
(Me korrespondencë,
Kuptohet)
Ç’të
Bësh.

Leksionet shfletoj me njërën dorë.
Me tjetrën tund djalin
Që qan.
Dhe shkoj
Të marr qumësht për fëmijët
Herët në mëngjes atje në dyqan.

Shkoj në punë
Dhe vij nga puna
Faqet e librave përkëdhel së pari
Përkëdhel fëmijët në faqe pastaj
Dhe dal një xhiro me gruan pazarit.

Ja vetëm kështu unë ty
Ta ha kokën, moj burokraci.

1970, Nëntori

DJALI I SEKRETARIT

Ju jeni burra.
Mos e fusni djalin e sekretarit
klubeve, pasticerive, kafeneve.
Mos ia hidhëroni buzët me kafe,
mos i jepni cigare mefiltër,
mos ia zverdhni dhëmbët dhe gishtat,
mos e mësoni me birrë,
me verë,
konjak
raki .
Mos i flisni për vajza,për nuse, fejesë.
Ai ende është i ri,
pastaj vajzat tuaja do ta gjejnë shokun vetë.
Ju jeni pleq.
Mos dilni me të pazarit përnatë.
Djali i sekretarit nuk është vaksinë,
nuk është tel përçues i tensionit të larrtë.

KUNDËR SHTEGËVE

Nuk lulëzojnë në gjuhën time rrokje:
Lejlekër
Dallëndyshe,
Të tjerë shtergë
Që emrat s’jua di,
Ju atdheun e lini në dimër,
Në breshër
Në borë
Llohë
Baltë
Dhe shi
Dhe pas pranverave vraponi, bridhni,

Pas pranverave kokën lini…

1966, «Drita»

SHOKËT

Nuk ndryshket doreza e derës sime,
Nuk e lënë shokët të ndryshket asnjë çikë,
Duke e prekur me duart e tyre
Çdo orë,
Çdo ditë.

Hollohet prej duarve të shokëve
Doreza e derës sime,
Çdo ditë,
Çdo orë.

Dhe merr ajo prej duarve të shokëve
Një shkëlqim vesor.

1984, Zëri i Rinisë

TOPAVE MBRETËRORË TË DURRËSIT

Si s’u nodez baruti juaj,
Nga shkëndijat
E syve
Tanë?
Si s’pëlcitën kapsollat e gjyleve të topave
Ditën e pushtimit fashist italian?

Por
S’kishte sesi,
Gjithë urrejtjen,
Gjithë inatin dhe mërinë,
Ju e kishit shfryrë kundër popullit o topa mbretërorë,
S’ju kish mbetur gjë për pushtuesfashistëzinë,…

1988, «Nëntori»

BËJ PYETJE SHOKUT GETE

Gjithë bota po të uron ditëlindjen,
Dikush të uron të bëhesh 100 vjeç,
Dikush të uron 100 shekuj përjetësi.
Unë s’të uroj, gjersa ti je i përjetshëm,
Për të përjetshmit
S’ka numra,
S’ka kufi…

Dikur shoku yt, Bethoven,
Të ka qortuar me indinjatë,
Kur ti e nderove me përulje perandorin.
Meqë ra fjala,
Zoti Gete,

Dua të të pyes,
Dua të të bëj një pyetje prej intervistori:

Si quhej, vërtet, ai, perandori?

1986, Drita

VETËDIJE

Për të kaluar vetëm të mirët mbi kurrizin tim
Unë mund të bëhem
Edhe urë
Dhe vig
Por në çast
Do të shembesha
Po të kalonte mbi të
Qoftë vetëm edhe një njeri i lig.

1990, «Nëntori

AJO

Ajo ecte, duke shkelur me këpucët e zeza dëborën.
Nëpër rrugë, sheshe, trotuare,
Të rinjtë qëllonin njëri – tjetrin me topa dëbore.
Djemtë qëllonin vajzat,
Vajzat djemtë,
Topat e borës ishin premtime të bardha,
Të qeshurat,Britmat gazmore
Ngrinin në ajër,
Ktheheshin në flokë bore.
Ajo priste ta qëllonin
Si dikur në rini,
Po askush s’e qëllonte
Sikur dëbora të ishte flori.
Fëmijët s’e qëllonin,
E nderonin si gjyshe.
Djemtë s’e qëllonin,
E nderonin si nënë
Po befas nga një top dëbore ajo u godit
Ajo u gëzua,
Ajo u trondit…

1987, «DRITA»

HARAÇI

Ndërhyra për nipin te profesori,
( Që të jem plotësisht i sinqertë )
I lypa profesorit
Për nipin
Një dhjetë.

Para profesorit
U zvogëlova,
Mora përmasat e një liliputi,
Humba jo pak në peshë,
M’u hollua zëri,
Harrova të folurit
M’u pre gjuha,
Belbëzoja,
Profesori mori përmasat e Guliverit,
Iu zgjeruan shpatullat, dhe gjoksi,
Iu trash zëri profesorit,
Mori përmasat
E Korabit
Zëri i tij oshëtiu si gryka e tomorrit.

Nipi fitoi një dhjetë,
Unë humba
Tonelata
Dinjitet…!

1986, «Nëntori»

KUSH DO TA ARRIJË

Mamanë dhe babanë
Ti i ke si perëndeshë Atena,
Odise të kanë ty
Ata.
Me ndihmën e një Rene e dogji Trojën Uliksi,
Shokun tënd të klasës me talent sipëranë
Ti e dogje
Me dy Athina.

Le ta shtyjnë varkën e paaftësisë tënde
Dy athinatë e tua prindërore
Me gjithë fuqinë,
Dinakërinë,
Shoku yt
I talentuar
Do ta arrijë Itakën e artit,
Ti
Kurrë nuk e arrinë…!

1988, «Nëntori»