Çfarë u bëni grave tuaja, ju i bëni kombit tuaj

0
545
Valeria M. Hudson - photo

Më poshtë e gjeni të përkthyer nga unë një artikull të jashtëzakonshëm, i shkruar nga një grua e jashtëzakonshme, Valerie Hudson, profesoreshë dhe autore e disa librave shkencorë rreth identitetit kombëtar dhe politikës së jashtme. Gjatë punës sime për doktoraturën në këtë fushë, shpesh më kanë shërbyer si referencë shkrimet e saj. Por tani më ka mahnitur me këtë artikull të botuar sot në New York Times, të titulluar “What You Do To Your Wifes, You Do To Your Nation“. /Luljeta Aliu

Çfarë u bëni grave tuaja, ju i bëni kombit tuaj
Gjinia nuk është thjesht një interes njerëzor dytësor në krahasim më politikën e lartë.

Nga Valerie M. Hudson

Znj. Hudson është profesore dhe bashkautore e librit “Rendi i Parë Politik: Si Seksi formon Qeverisjen dhe Sigurinë Kombëtare në botë“.

Në 1995, Konferenca Botërore e UN për Gratë në Pekin, lansoi idenë se fati i kombeve ishte i lidhur me statusin e grave të tyre qytetare. Në vitin 2000, Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pohoi se paqja është e lidhur pazgjidhshmërisht me barazinë gjinore.

Këtë vit, ndërsa i afrohemi përvjetorit të 25-të të konferencës dhe 20-vjetorit të rezolutës, hulumtimi veçse ka theksuar edhe më shumë se ajo që u tha atëherë, vlen edhe sot: Dhuna ndaj grave dhe nënshtrimi i grave nuk janë thjesht probleme të shtëpisë dhe familjes. Tani e dimë, për shembull, se përhapja e dhunës ndaj grave në një vend mund të jetë një indikator i një tendencë kombëtare drejt terrorizmit dhe konfliktit civil. Kjo është arsyeja pse 83 vende kanë krijuar plane kombëtare veprimi për gratë, paqen dhe sigurinë.

Përpjekje të mëdha janë bërë për gratë që nga viti 1995. Në nivel global, vdekshmëria maternale është ulur të paktën 45 përqind, regjistrimi për djem dhe vajza në shkolla fillore është në barazi virtuale, dhe përqindja e grave të përfaqësuara në legjislaturat kombëtare ka kaluar dyfishin.

Këto të arritura nuk janë të papërziera: Ulja e vdekshmërisë maternale vjen kryesisht si rezultat i të arriturave të një vendi, Kinës; vajzat mbeten pas djemve në mbarimin e shkollës fillore; dhe gratë mbushin vetëm afërsisht 24.5 përqind të vendeve të parlamenteve, me disa organe që ende nuk kanë asnjë grua si përfaqësuese. Por prapëseprapë, përparim i matshëm.

Në të njëjtën kohë, ne gjithashtu shohim indikacione shqetësues se të këqijat e vjetra po bëjnë një rikthim. Pavarësisht nëse flasim për përpjekje për të ndaluar pothuajse të gjitha abortet, qoftë edhe në rastin e dhunimit apo incestit, këtu në Shtetet e Bashkuara, apo debate rreth legalizimit të poligamisë në Azinë Qendrore, apo se në 2015 trefish më shumë kombe parapëlqenin të kenë si fëmijë djem, në krahasim me para 20 vitesh – qartë shihet se bota nuk mund të shpresojë në një përparim të vazhdueshëm apo të palëkundur për gratë. Për më tepër, disa dëmtime duken të përjetshme, si dhuna në familje, ngacmimi seksual dhe trafikimi i seksit.

Ndërsa mund të jemi të tunduar t’i shohim të gjitha këto si të një interesi më të ulët, në krahasim me politikën e lartë të botës, asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Në fakt, është koha të themi përsëri atë që u tha në Pekin një çerek shekulli më parë: Fati i kombeve është i lidhur me statusin e grave. Në një studim të ri, bashkëautorët e mi dhe unë demonstrojmë se pothuajse çdo dimension i sigurisë kombëtare është ndërlidhur me atë, se sa gratë janë të nënshtruara ose fuqizuara brenda shoqërisë së tyre. (Duhet theksuar se këte studim e ka financuar Departamenti i Mbrojtjes, në mënyrë që të parashikonte më mirë instabilitetin jashtë vendit – një shenjë që të paktën disa persona në institucionet e sigurisë, kanë filluar t’i marrin seriozisht këto ndërlidhje).

Ne kemi zbuluar se praktikat nëpër familje në shumë vende i nënshtrojnë gratë edhe kur ato janë të arsimuara, edhe kur ato janë të punësuara, edhe kur ato shërbejnë në qeveri. Një nga bisedat më të rëndësishme që kam pasur ndonjëherë ishte me një anëtare femër të legjislaturës afgane, Loya Jirga. Ajo kishte arsimim universitetar dhe kishte një karrierë – dhe prapëseprapë, ajo pyeti, sa e fuqishme ishte ajo në të vërtetë, kur burri i saj mund ta divorconte thjesht duke e thënë këtë me fjalë dhe ajo do të humbiste kujdestarinë e fëmijëve të saj dhe nuk do të kishte ku të jetonte?

Padyshim që na duket befasi që gratë saudite kanë shifra të njëjta sa i përket arsimit universitar si gratë gjermane, mirëpo ende janë të nënshtruara ndaj një kontrolli mashkullor mbi disa aspekte të jetës së tyre. Ose që Ruanda ka shifrat më të larta të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore, si dhe përqindjen më të lartë të grave në parlamentin kombëtar në botë, edhe pse e drejta familjare dhe të drejtat pronësore, shpesh udhëhiqen nga traditat që favorizojnë burrat.

Kjo do të thotë që ne duhet të shqyrtojmë gjërat, që i kufizojnë gratë në shtëpitë e tyre, në jetën e tyre personale – nivele të larta dhune ndaj grave dhe pandëshkueshmëri për sulmuesit, mungesë e të drejtës në pasuri dhe trashëgimi, ligje që favorizojnë burrat në rastet e divorcit dhe kujdestarisë së fëmijëve, poligamia, çmimet e nuseve, pajët. Këto praktika e vendosin rendin e parë politik të çdo shoqërie. Struktura e marrëdhënies midis dy gjysmave të njerëzimit është baza për rendin politik të çdo kombi, dhe nëse ai rend lejon autokracinë, dhunën dhe zhvatjen, kombi gjithashtu do të orientohet në ato drejtime.

Kjo nuk është filozofike, kjo është praktike. Studimet kanë treguar që burrat që mendojnë se gratë janë inferiore kanë më shumë të ngjarë të përfshihen në dhunë politike. Ata gjithashtu kanë shumë më shumë gjasa të jenë armiqësorë ndaj minoriteteve dhe të huajve. Nëse qeverisja në familje bëhet nën urdhëra mashkullore, nuk është çudi që edhe qeveria të jetë autokratike, joefektive dhe e korruptuar. Familja është terreni i trajnimit: Burrat janë të trajnuar në ato praktika, të cilat do t’i përdorin kur të fitojnë pushtet shoqëror.

Shoqëritë që nënshtrojnë gratë gjithashtu e gjejnë veten në kurthin e destabilizimit kronik, të shkaktuar nga praktikat që prodhojnë atë nënshtrim. Nëse aborti në bazë të përzgjedhjes së gjinisë së fëmijës ka zvogëluar 12 përqind të 15 përqind të femrave në një shoqëri, siç ka ndodhur në Kinë dhe Indi, pason paqëndrueshmëria kombëtare. Kur çmimet e nuseve kalojnë, janë të larta, grupet terroriste zbulojnë se mund të fitojnë rekrutë, duke premtuar para për çmimet e nuseve dhe madje duke premtuar edhe nuse për të rinjtë.
Si përmbledhje, ligji i rendit të parë politik është ky: çfarë u bëni grave tuaja, i bëni kombit tuaj.

Duke ekzaminuar 122 variabla që indikojnë nëntë dimensione të sigurisë kombëtare duke përfshirë qeverisjen, konfliktin, performancën ekonomike, shëndetësinë dhe ruajtjen e mjedisit, bashkëautorët e mi dhe unë kemi zbuluar se rendi i parë politik tregon signifikancë të lartë dhe shfaq fuqinë më të madhe ose të dytë më të madhe shpjeguese për rezultatet.

Pra, po, me të gjitha mjetet, krijoni një Zyrë për Fuqizimin Global të Grave në Departamentin e Shtetit, siç ka bërë legjislacioni i fundit. Por ka shumë më tepër për të bërë, dhe fillon në shtëpi. Lista e detyrave përfshin refuzimin për të gërryer të drejtat e fituara riprodhuese të grave dhe sigurimin që gratë mund të kombinojbë riprodhimin dhe prodhimin. Do të thotë gjithashtu të refuzoni të ridefinoni praktikat nënshtruese të nivelit shtëpiak, siç është poligamia si thjeshtë një zgjedhje tjetër e mënyrës së jetesës, si dhe të kuptoni dhunën në familje për atë që është në të vërtetë – një formë e terrorizmit e cila duhet të trajtohet si e tillë përmes ligjit.

Mallkoni gratë tuaja dhe ju po e mallkoni kombin tuaj. Dhe po e mallkoni botën tonë me të gjithë paqëndrueshmërinë e shkaktuar si rezultat.

Valerie M. Hudson, një profesore e çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Teksasit A&M, është me Donna Lee Bowen dhe Perpetua Lynne Nielsen, një autore e “Rendi i Parë Politik: Si Seksi Formon Qeverisjen dhe Sigurinë Kombëtare në botë“.